Marije Kraja: Nuk e ndiej vetminë, me mua është kënga

Sep 25, 2011 | 13:54
SHPËRNDAJE

Në 100-vjetorin e lindjes së artistes së madhe, kujtojmë një bisedë të shkuar. Që nga koncertet në mungesë të plotë infrastrukture, te kujdesi për zërin, trupin e këshillat për këngëtarët e rinj

Tashmë tek ne është krijuar një plejadë e tërë artistësh të moshuar, të cilët për 30 vjet me radhë kanë gjallëruar jetën tonë artistike. Kur dëgjojmë ose shohim në ekranin e televizorit debutimin e ndonjë artisti të ri, artistët e moshuar bëhen objekt i diskutimeve familjare dhe të vjetrit thonë: “Nuk po del ndonjë si Marije Kraja apo Jorgji Truja. Ata kanë pasur zëra të bukur. Kënga të futej deri thellë në shpirt, kur këndonin në skenë, në stadiume apo në sheshe.”
Ku janë këta artistë të moshuar, që ia kanë lënë skenën me dinjitet më të rinjve? Secili ka kureshtje të mësojë për ta, të dijë se ç’bëjnë, me ç’pasione e mbushin jetën për të zëvendësuar atë pasion që e shfaqin për vite e vite me radhë kur dilnin në skenë.
Dhe një ditë i telefonova këngëtares Marije Kraja për t’i marrë disa kujtime dhe mendime për profesionin e këngëtarit.
– Po për çfarë mund të flasim bashkë? Disa herë kanë shkruar për mua. Pastaj, a e din, sot sikur nuk e ndiej veten mirë. Helbete jetova, i kam mbushur të 78-tët vjetët.
– Do të vij kur të jesh mirë – iu përgjigja.
E kështu, pas disa ditësh shkova me magnetofonin dhe trokita në derën e apartamentit të saj. Që nga jashtë vinte një zë i lehtë, një si murmurimë kënge popullore. Pas kësaj më doli zonja Marije.
Këtë murmurimë kënge popullore, herë me zë më të fortë e herë me zë më të ulët, e dëgjova gjatë dy ditëve, që u shtrova në bisedë me të. Kur ngrihej të merrte gotat e pijes apo kur vinte xhezven e kafes, ajo këndonte me një zë si puhizë, të pastër e melodioz dhe sytë të mbusheshin me lot.
– Unë kurrë nuk e ndiej vetminë, pasi me mua është kënga. Ja, duke bërë ngadalë punët e shtëpisë, duke përgatitur drekën apo darkën, këndoj me vete. Dhe më bëhet sikur në shtëpi çdo gjë është e gjallë, sikur dëgjoj duartrokitjet e dëgjuesve dhe admiruesve të mi.
Dhe vërtet, ajo nuk mbetej asnjëherë vetëm, se shpeshherë biseda ndërpritej nga zilja e derës apo e telefonit. Vinte ndonjë komshi për ta pyetur për diçka, vinte ndonjë kushërirë, ndonjë shoqe e së bijës së vetme, mësuese e anglishtes, i vinin kolegë më të rinj apo të moshuar si ajo. “Qenke me punë sot”, dhe largoheshin.
-Para një jave më xhiruan ata djemtë e Televizionit. Kështu me fustanin e shtëpisë, më gjetën të parregulluar. As buzët nuk i kisha lyer. Po, në qoftë se nuk kam dalë mirë, do t’u them ta përsërisin edhe një herë, se pastaj mbetet në arkiv ai material i xhiruar.
Dhe kështu, artistja 78-vjeçare Marije Kraja, duke ecur me një hap të shpejtë e të lehtë si në skenë, dukej si një vogëlushe (ngaqë nuk ka vënë dhjamë në trup), me sy të bukur në ngjyrë jeshile si në gri, të zgjatur në bisht. Që në pamjen e parë, të jep përshtypjen e një gruaje të mençur e njëkohësisht delikate, me ndjenja te holla. Artistet e kanë këtë fat që të mbeten të reja, ndofta ngaqë kanë dhuntinë e zërit, ndofta ngaqë janë të mbushura nga dashuria për artin, ndofta… ka shumë arsye. Ato i shohim shpesh të ulura në presidiume mbledhjesh, përvjetorësh, në salla koncertesh, duartrokasin së bashku me publikun interpretuesit e rinj dhe gëzohen si fëmijë kur shohin se idealet e tyre të artit i vazhdojnë të tjerët, një armatë e tërë.
“Çdo njeri i shënon kujtimet e veta në fletore apo në blloqe. Dhe unë në këtë bllok të vogël bojë qielli kam shënuar disa gjana intime. Nuk ia jap asnjeri. E kam mbajtur gjatë viteve dhe ka mendime subjektive, ashtu siç i kam ndier vetë. Disa nga këto shënime mund të t’i lexoj. A kanë vlerë? Nuk e di. Secili ka mendimin e vet personal.
Deri në vitin 1948 kam punuar në radio, pastaj ne artistët lirikë na emëruan si profesionistë pranë Teatrit Popullor. Në atë kohë nuk ishte krijuar as Filarmonia, as Teatri i Operës dhe Baletit. Kur ishim në Teatër, bënim koncerte edhe në sallë, edhe në qendra pune. Kemi shkuar në spitale, në qendra të ndryshme, jo vetëm në Tiranë, por në mbarë Shqipërinë. Një mbrëmje shkuam në Durrës, ku do të këndonim për aksionistët e hekurudhës (aty nga viti 1947, në qoftë se nuk gabohem). Ishim një grup i vogël, i përbërë nga Hysen Pelinku, Antoniu, vëllezërit Uçi, Nesti dhe Koçoja, të cilët kanë vdekur. Derisa të mbaronin punën aksionistët, ndërtuam një podium, të cilin e ndriçonte një llambë e madhe elektrike. Midis këngës na u fik drita. Unë gjithnjë merrsha me vete në turne një batanije, një këllëf jastëku dhe një qiri. Kur u fikën dritat, të rinjtë filluan të bëjnë zhurmë. Unë qetë-qetë hap çantën dhe nxora qiririn. Me një dorë mbaja qiririn dhe me tjetër u mbaja partiturën shokëve të mi.
Patëm aq sukses, sa u harrua errësira.
Ndërsa kur shkuam në Fier, këndonim në një shesh të rrethuar. Populli ishte ulë në karrige dhe stola, kurse ne rrinim në podium, ku na ndriçonte një dritë e madhe. Dola për të kënduar, po çfarë të shoh?! Nga drita ishin mbledhur gjithë ato mushkonja e miza. Unë këndoja dhe i largoja insektet me shami, gjoja duke bërë naze të këngës.
Ne kemi hasur vështirësi, por kishin dhe ato lezetin e tyre. Po të tregoj dhe një histori tjetër. Ka ndodhur në janar. U nisëm për të dhënë koncert në Vlorë nga Teatri Popullor që në orën 5:30-6:00 e mëngjesit. Kur mbërritëm në Durrës, u prish automobili. Pritëm e pritëm që të rregullohej. U nisëm, por përsëri na u prish në Lekaj. E kështu rregullo e prish, arritëm në orwn 10 të natës në Lushnjë. Burrat, Hyseni dhe Antoniu, hynë në një mejhane për të ngrënë e për të pirë diçka që të ngroheshin. Unë dhe Lola, Llka Gjoka, qëndruem brenda në makinë. Kur tue ba muhabet, dëgjojmë një si zhurmë: duk-duk-duk. Po merrte flakë automobili. Thërritëm. Erdhën shokët. “Do të flemë në Lushnjë se nuk kemi ku të shkojmë”, na thanë ata. Na çuan në një shtëpi të mirë (për hotel as qe bahej fjalë në atë kohë). Lushnja e asaj kohe ishte tamam fshat me rosa, pula, gjela deti, buallica, llaç dynjaja. Në shtëpinë kur shkuam ne, ishin vetëm dy  halla plaka. Kuzhina me oxhak na është dukur më e bukura në botë, pasi u ngrohëm mirë e mirë. Fjetëm dhe të nesërmen u ngritëm në orën pesë të mëngjesit për t’u nisur për në Fier e pastaj në Vlorë. Në krye të shkallëve ishte një muslluk me ujë ku u lamë. Shkruam një copë pusullë falënderimi për dy hallat dhe u nisëm për në pjacë. Atje dëgjojmë një si zhurmë bam e bam. Mbi një sharabajkë (karrocë e hapur ngarkese) pamë shokët e turneut…  Ishte tërë hala. Kur u afruan, i thamë: “Me këtë sharabajkë do të shkojmë, a?” -Jo moj, do të shkojmë me karrocë”. Erdhi karroca. Dhe tani që po flas, e kam parasysh. Ajo kishte përsipër një  mushama që e mbulonte; E tërhiqte një kalë i bardhë, të cilit i dukeshin kockat e lëkura. Kur marrim të hyjmë brenda, çfarë me pa?! Aty ishte vetëm një dru i vumë në mes. U drejtohem shokëve: “A kujtoni se jemi pula që mund të rrimë në këtë hu?” Njaty u ulëm. Shyqyr që kisha batanijen me vete dhe i mbështollëm  këmbët, se do të ngrinim nga të ftohtët. Nuk kaluam as 10 metra, kur na tha karrocieri të zbrisnim të shtynim karrocën se kishte mbetë në baltë. Ishte tue cofë i shkreti kalë! E kështu e shtymë karrocën katër-pesë herë. Më në fund, mbërritëm në Fier (ka qenë viti 1947). Kishim ngrirë. Gjetëm një dyqan të vogël fare dhe dyqanxhiu na dha nga një gotë me qumësht të ngrohtë. Pastaj pritëm autobusin që vinte nga Tirana. Për të hangër drekë kishim triskat me vete dhe hëngrëm për bukuri gjellë me mish. Autobusi erdhi në ora tre. Megjithëse nuk kishte vende të lira, ne na morën me vete dhe kështu mbërritëm në Vlorë. Edhe atje patëm peripeci. Po të kujtoj vetëm një: kur dolëm në skenë për të kënduar, në mes të skenës kishte dalë një alamet miu, saqë gjithë shikuesit u shkrinë gazit. Nejse, shfaqja doli për mrekulli dhe ne u kthyem në Tiranë.
Një ngjarje tjetër që nuk më harrohet është ajo e vitit 1952. Kori i shtetit do të bënte një turne nëpër Shqipëri. Drejtues ishte Kostandin Trako. Shkuam unë dhe Lola. Me ne ishte dhe Hysen Pelinku. Dhamë koncerte në të gjitha qytetet, por mbresat më të veçanta i kam pasur nga shfaqjet që kemi dhënë në Leskovik e në Vithkuq, ku ushtria ishte në fushim. Podium nuk kishim ku të ngrinim, por hipëm në majë të kamionit. Edhe pianon e vendosëm aty e Lola i binte për bukuri, ndërsa unë këndoja me fustan koncerti. Aq lule mblodhën ushtarët për ne nga lëndinat, sa mund të them pa frikë se u mbush makina me lule. Ndërsa në Vithkuq një ushtar më vuri një kurorë me lule në kokë. Kësi historirash kam mjaft. Vërtet kemi pasur lodhje të madhe, por kemi marrë dhe kënaqësi të paharrueshme.
Unë gjithmonë i kam pasur inat moralizimet dhe nuk do të më pëlqente që t’u jepja këshilla moralizuese këngëtarëve, por, ndofta, do të më falin në qoftë se bëj moral për hir të përvojës sime të gjatë dhe të moshës.
Në kohën tonë kemi dhanë shumë koncerte. Madje, ka pasur raste që brenda një dite jepnim deri në pesë koncerte, dhe nuk ndienim lodhje. Po kujtoj vetëm një rast. Ka qenë viti 1948. Bëheshin zgjedhjet. Unë, Hyseni dhe Antoniu shkonim nga një qendër votimi në tjetrën dhe bënim koncert, koncert tamam me program dhe me seriozitetin më të madh në interpretimin e këngës. Në këto koncerte merrnim një kitarë dhe një fizarmonikë. Populli kënaqej dhe na priste jashtëzakonisht mirë. Nuk ndienim lodhje, por ishim të gatshëm të fillonim përsëri. Më vjen çudi kur disa këngëtarë dhe këngëtare thonë se lodhen duke kënduar. Këngëtari asnjëherë nuk lodhet, në qoftë se di të përdor frymën mirë, të ketë elasticitetin e frymës, në qoftë se nuk abuzon në të kënduar. Unë kurrë nuk kam bërtitur, kam kënduar me zanin tem, nuk kam dashur të jap ma shumë se sa e kam zanin, se kur do me dhanë ma shumë, i mëshon zanit, i shkatërron grykët, shkatërron kordat vokale. Këtë ua them vazhdimisht këngëtarëve edhe kur i ndjek në koncerte, edhe kur më vijnë për vizitë në shtëpi. Një mbrëmje shkova në koncertin që dhanë artistët bavarezë. Kaq lehtë, kaq bukur interpretuan, sa e ndieje muzikën. Çfarëdo kënge të jetë, klasike apo popullore, epike apo lirike, duhet të shfrytëzosh rezonancat dhe rezonancat i kemi këtu mbi mollëza, mbi vetulla, sigurisht dhe rezonancat e gjoksit. Shfrytëzoji ato me mençuri, ndërsa frymën lëre të lirë, të rrjedhë fryma, të dalë, jo të marrësh frymë me sforco, se atëherë kontraktohesh. Pra, duhet të jesh e lirë, e lirë.
Çfarë mendoni për pushimin, gjumin, pijet alkoolike dhe duhanin. A ndikojnë ato në zërin e këngëtarit?
Unë u kam thanë të rinjve se duhani dhe pijet alkoolike dëmtojnë shumë. Unë nuk kam pirë asnjë lloj alkooli dhe as duhan, kështu që kam qenë shumë e qetë, e kam pasur fytin gjithmonë të lirë. Ne kemi pasur zëra shumë të bukur këngëtarësh (Nuk dua t’i përmend me emra, se jam e moshuar dhe u mbetet hatri atyre). Disa nga ato e kanë shkatërruar zanin vetëm se kanë pirë duhan e pije alkoolike. Por zani është një dhunti që ta jep natyra dhe duhet të jesh kriminel të shkatërrosh atë që të ka dhuruar ajo. Dhuratën ta ka dhënë për t’ua transmetuar të tjerëve, njerëzve, prandaj këngëtari duhet të jetë i ndërgjegjshëm për vlerën që ia kanë dhanë falas, duhet ta ruajë me fanatizëm të madh.
Gjithashtu, unë i kam kushtuar rëndësi ushqimit. Nuk kam hangër më shumë sesa duhet. Kam përdorur ma shumë barishtet, patatet, kosin e qumështin, të cilat i përdor edhe sot. Ndërsa me gjumë kam qenë gjithnjë deficitare, ngaqë ditën nuk kam pushue kurrë. Nuk më ka dalë koha, pasi mbrëmjeve kishim koncerte. Duhet të kisha pushue në drekë, jo vetëm për za, por edhe për shëndet më të mirë.
Me gjimnastikë jeni marrë?
Gjimnastikë kam ba gjithmonë. Tani e baj ma të lehtë, nuk baj dot akrobacinat e dikurshme (dikur kam qenë e tmerrshme për akrobaci). Baj lëvizjet e kambëve, të duarve, të kokës.
Po emocione keni pasur kur keni dalë në skenë?
Emocion kam pasur, derisa kam dalë në skenë. Ka qenë në ato kohë Dedë Nika, inspektor skene, i cili më thoshte: A moj zonja  Marije, pse të kesh kaq emocion? (Më falni, por mua më thoshin zonja Marije, ndofta për respekt). “Shiko Dedë, i përgjigjesha, mos më thuej kurrgja. Me ba mos me pasë emocion, unë nuk mundem me këndue, nuk mund t’ia jap publikut gjithë ato ndjenja që provoj vetë në trupin tim.” Do të thuash ti përse kisha emocione… Mendoja a do t’i jap publikut atë që due. Por sa qitsha kambën në skenë, merrsha tri herë frymë, me një frymëmarrje të thellë, më të thellë se zakonisht, dhe emocioni më largohej. Ishte pra shqetësimi i daljes dhe këtë duhet ta ketë artisti. Por, kur delja në skenë, atëherë po e zotnoja veten.
Ku keni pasur më shumë vështirësi: në interpretimin e këngës popullore apo asaj klasike?
Kangën popullore unë e kam kënduar qysh fëmijë. Nana ka këndue shumë bukur. Nga ajo kam mësue. Për të interpretuar kangën, qoftë popullore, qoftë klasike, duhet të jesh e ngopur nga përmbajtja e pjesës, nga historiku i krijimit të saj. Kam vënë re se artistët këndojnë tekstin, pa e ditur se çfarë këndojnë. Secila fjalë, edhe kur flasim, jo ma kur këndojmë, ka ngjyrën e vet. Një fjalë e theksoj më shumë, njërën e kaloj më lehtë, tjetrës i jap një za më të rëndë, gravé. Duhet të njohësh mirë dhe stilin e autorit, në çfarë kohe ka jetuar, si ka jetue, çfarë ka ba, çfarë e ka shtye për të shkruar në atë mënyrë etj. Për shembull, kur kam kënduar në operën “Traviata”, në fillim kam lexuar librin, e kam zbërthyer, e kam thithë fije e për pe, pastaj (secili ka ndjenjën e vet) kam dhanë atë që kam ndier unë. Gjithashtu, duhet ta dish të bash dallimet, se opera është tjetër gja, romanca është më e thjeshtë, lideret janë tjetër etj. Këto gjini janë të caktuara dhe këngëtari nuk duhet të bëjë ekzagjerime. Duhet të japësh aq sa të ka caktua muzika. Në qoftë se ke tre të katërtat, brenda kësaj periudhe do të japësh krejt brendinë, t’ia nxjerrësh thelbin filozofik, çfarë ka dashur të thotë me atë kangë. Nga përvoja ime, u kam thënë këngëtarëve: kur lexoni tekstin e kangës, duhet të emocionoheni vetë, se po nuk u emocionuat vetë, ju atëherë këto ndjenja nuk do t’ia transmetoni publikut, se jeni të akullt për vete.
Ka raste që dy këngëtarë këndojnë një duet. Ata duhet të dëgjohen në harmoni me njëri-tjetrin, por ndodh që njëri këndon më fort për t’ia kalue tjetrit. Kjo nuk është ma muzikë. Kangëtari duhet të kapë vijën melodike që do të përcjellë. Në qoftë se njëri është primar, ai tjetri duhet ta përcjellë sa më bukur, për të nxjerrë në pah zanin e të parit. Kjo është e kënduemja për mue. Kënga popullore ka teknikën e vet dhe nuk mund të përdorësh të njëjtën teknikë si të muzikës klasike, se pastaj kanga bastardohet.
Ju keni botuar një shkrim të mirë të Andon Panos. Mua më ka bërë përshtypje sidomos pjesa kur flet për të folurit skenik. Edhe me këngëtarin duhet punue si me aktorin për të folurit skenik. Kangës po s’iu mor vesh fjala, nuk është kangë. Shikuesi vjen vërtet për të dëgjuar muzikë, por kërkon dhe fjalën që do të përcjellë atë muzikë. Fjalës duhet t’i jepet ai tingull, ai theks që kërkon ajo. Mjerisht varet dhe nga poezitë që shkruhen për kangët, që ndonjëherë janë shumë të dobëta, që nuk e frymëzojnë a emocionojnë kangëtarin. Disa kangë nuk kanë shkallëzim. Gjuha vetë është muzikë kur përdoret me vend, me zanore, me bashkëtingëllore. Kompozitori duhet ta njohë shumë poezinë, duhet ta zbërthejë atë. Është krejt e gabuar kur kompozitori ban muzikë pa tekst. Prej çkahit është frymëzuar ai kompozitor? Ja, mund të marrim një fjali të thjeshtë: “Unë të dashuroj”. Edhe kjo mund të marrë nuanca të ndryshme sipas ndjenjës. Kjo fjalë kërkon këtë tingull muzikor, këtë ngjyrë; atëherë dhe kangëtari e ka më të lehtë për interpretim. Për të vënë theksin duhet që kangatari të shohë gjithë vargun, se dhe zani del i shëmtuat, kur nuk i jep theksin në vendin e duhur.
Zane të bukura kemi boll në Shqipni, por duhet të kemi dhe metodë të mirë për t’i edukue këta zane. Po nuk e mësove mirë kangën e huaj, nuk e shijon si duhet. Kur isha në Austri, ma beso, isha 14-15 vjeç; kisha marrë në konvikt një mandolinë prej Shkodre. Kur më merrte malli shumë, ulsha grilën e penxheres, kandoja kangët e mia, derisa më binin lotët. Në shkollë mësoja muzikë klasike, por kanga e vendit tem ma mbushte shpirtin. Dhe, po nuk t’u mbush shpirti, as kanga klasike nuk këndohet bukur. Kanga popullore, për mendimin tem, nuk duhet të mbetet vetëm në gojën e kangëtarëve të veshur me qeleshe dhe kostume popullore. Atë duhet t’ia bajmë të afërt të rinjve, duke i dhanë veshjen moderne të ditëve tona. Pse u pëlqyen dhe u ndoqën koncertet e mbrëmjes muzikore para disa muajve? Sepse ia afruam në mënyrë të hijshme të gjithëve.
Mua më dridhet zemra kur këndoj kangën popullore dhe këtë dridhje e ndien shikuesi e dëgjuesi. Kështu e kam këndue kangën dhe ajo fluturonte.
Kanga ka velizmat e veta, zbukurimet, trilet, prandaj as nuk duhet t’ia shtojmë, as t’ia pakësojmë. Ashtu si operatori projekton në ekran filmin, duhet të projektosh edhe zanin, ta çosh deri tek shikuesi më i largët i sallës. Zani do të eci nëpërmjet frymës (ajo këndon me za për të ilustruar mendimin) dhe ai vjen duke u zmadhue, butë-butë dhe pastaj këtë za e mbledh prapë në gjoksin tënd për ta nxjerrë me vargun tjetër të poezisë. Ja sekreti i kangës që pëlqehet më shumë.
Ç’mendoni për pedagogët e kantos? Kam mendimin se jo çdo këngëtar i mirë mund të jetë dhe pedagog i mirë…
Ashtu është. Përsëri nuk dua të përmend emra se mos ma marrin për keq, por duhet të them se ai që nuk ka nxjerrë këngëtarë, duhet të heqë dorë nga detyra e pedagogut, se bën një punë shumë të keqe kur nuk nxjerr nxënësit e vet, ose më keq kur i prish. Dhe kjo gjë ka ndodhë. E gjitha është tek teknika. Kur kangëtari i ri këndon pa frymë, lodhet, këndon i sforcuar. Duke këndue i sforcuam humbet shumë energji, ndërsa kur këndon me teknikë, kur di ta përdorojë frymën mirë, atëherë mund të këndojë orë të tana dhe nuk lodhet.
Unë kam dhënë mësim në shkollën e Mesme artistike “Jordan Misja” dhe në Institutin e Lartë të Arteve. E kam demonstrue mësimin me shembuj nga interpretimi im, por gjithmonë u kam thënë: “Mos kopjoni nga interpretimi im!”. Gjaja më e keqe është të kopjuerit, se mbetesh për tanë jetën një kopjues, nuk ke gjanë tande personale. Kangëtari ka personalitetin e vet edhe në të kënduem, edhe në të folur.
Duke përfundue, u jap një porosi këngëtarëve të rinj: jo të këndoni thatë e thatë, por t’i jepni shpirt kangës, se atëherë do t’ua shpërblejë tue fitue ne më të vjetrit. Vërtet zani jem nuk tingëllon siç ka tingëllue dikur, por po të baj ca vokaliza, do të më shihni si do të fitojë bukurinë e vet. Është çudi e madhe, por zani nuk humbet kur nuk sforcohet. Ibrahim Tukiçi vazhdon të pijë ujë të ngrohtë, se i është ba edukatë, e ruan zanin, megjithëse është në pension. Kangëtari, kur zani ruhet, nuk duhet të ketë pension. Edhe ne kangëtarët e moshuar mund të japim koncert, siç dha në studion televizive Kristaq Paspali, që e kam pasur nxënës.
Ç’të them ma për kangën?… Mund të të flas për ditë të tana, por më mirë t’ia lemë ma të rinjve për ta këndue kangën sa më bukur.

SADIE AGOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura