Mandati i Olta Xhaçkës, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese për VOA: Situatë e pazakontë në një shtet demokratik, vendimet duhet të zbatohen!

Mar 29, 2024 | 22:45
SHPËRNDAJE

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, është shprehur se moszbatimin i vendimit për mandatin e ish-ministres së Jashtme Olta Xhaçka (aktualisht deputete), është një situatë e pazakontë dhe e pamundur të ndodhë në një shtet demokratik.

zacaj xhacka

Ndër të tjera, Zaçaj vuri theksin se çdo vendim i Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohet.

“Është vërtetë një situatë e pazakontë dhe e pamundur për të ndodhur në një shtet demokratik. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen dhe zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese përbën në fakt zbatimin e vetë Kushtetutës.

Fjalët janë të tepërta për të dhënë një mesazh më tepër. Çdo vendim duhet të zbatohet, nuk ka një rrugë tjetër, nuk ka një mekanizëm tjetër dhe arsyeja pse nuk ka një mekanizëm tjetër është sepse është e pamundur të imagjinohet që të mos zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Institucionet të cilat janë të ngarkuara për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të sillen në mënyrë kushtetuese”, tha Zaçaj në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese në janar 2023 shfuqizoi si antikushtetues vendimin e Kuvendit për të bllokuar dërgimin për interpretim në këtë gjykatë të mandatit të Xhaçkës, pasi bashkëshorti i saj u shpall “investitor strategjik” dhe përfitoi veç të tjerash përmes një vendimi qeverie edhe shfrytëzimin e brigjeve të detit.

Ky vendim i Kushtetueses për mandatin e deputetes socialiste mbetet i pazbatuar. Çështja e mandatit të Xhaçkës mbahet në zyrën e Nikollës, e cila ka kompetencën ligjore që të vendosë për procedurën e mëtejshëm parlamentare që do të ndjekë zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Këshilli i Legjislacionit nëpërmjet shumicës miratoi një raport ku i sugjeronte asaj rikthimin e çështjes në Këshillin për Rregulloren dhe Mandatet, ndërsa opozita sugjeronte ndjekjen e praktikës së mëparshme parlamentare për ta dërguar direkt në seancë për votim kërkesën e opozitës që mandati i Xhaçkës të shkojë për interpretim në Kushtetuese.

Pavarësisht pretendimeve që vijnë nga Kuvendi, duket se kjo është një çështje që varet nga vullneti politik i mazhorancës, pasi kryeministri Edi Rama e quajti të paqartë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Mandati i Xhaçkës është vënë në pikëpyetje për shkak të përfitimit të bashkëshortit të saj, Artan Gaçi të statusit të investitorit strategjik për një hotel në Dhërmi si dhe lejen për shfrytëzimin e brigjeve përpara hotelit.

Ndërkohë Prokuroria e Posaçme, SPAK, ka vendosur masën e sekuestros preventive mbi një sipërfaqe toke prej 5512 m2 në pronësi të Gaçit në bregdet, pasi dyshohet se u përfitua përmes dokumenteve të falsifikuara.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura