Magjia e “Armata e vjetër” e Moza Ahmetit dhe “Lumturia na falet pjesëzash” e Kuchly

Dec 14, 2023 | 11:59
SHPËRNDAJE

Më duaj, por jo vonë  Me duaj por jo vone eshte vellimi me tregime i autoreve Mimoza Ahmeti dhe Mimoza Kuschly, botuar nga Onufri. Kjo permbledhje qe u promovua ne Panairin e Librit dite me pare, ndahet ne dy nenlibra.

mimoza ahmeti

Armata e vjeter, me autore Ahmetin dhe Lumturia na falet pjesesash e autores Kuchly. Per te uruar autoret per kete bashkepunim, gjeta rastin te hedh ne leter disa shenime mbi librin ne fjale:  Mimoza Ahmeti Armata e Vjetër   Rendimi i kaosit në dritën kuantike të rrëfimit – Entropia leksikore e Mimoza Ahmetit   Mirësevini në një udhëtim depërtues për të humbur çdo lloj “skeme referimi” dhe për të fluturuar në një sferë “eteriale pa gravitet”, ku racionalja lineare njëdimensionale zëvendësohet nga transhendentja e deformueshme shumëdimensionale, ku emocionet humane përparësojnë çdo lloj teorie filozofike.

Tregimet potencojnë njëri-tjetrin dhe vetëkuptueshmëria e tekstit është si ajo Hydra e Lernë-s me shumë koka, ku pambërritshmëria ngelet një proces jo i fundmë. Mesazhi i përcjellë në to na imponon një lloj leximi atipik apo më mirë fenomenologjik (phénoménologie de Husserl) e të strukturuar, kondicionuar nga një shkallë rekurence filozofike admiruese. Zbulojmë që “zotat janë plot vese e kontradiksione”, “idetë idiosynkrasike” të paraardhësve vlejnë më shumë se opsionet e inteligjencës artificiale që janë gati të eliminojnë mendimet tona sipas qejfit. “Moskoincidenca” e njeriut me veten, ky uragan i pamëshirshëm i quajtur “progres”, na propulson në ingranazhet e një Big Bang-u cerebral në kufijtë e “intersticit të koklavitur”, të jashtëvazhdimësisë heterogjene drejt dekompozimit të kohës mesianike. Përmes kësaj anakronie kohore shkallmohet filozofia e jetës sonë që graviton tek tjetri. Gjurmët e subkoshiencës kristalizohen në ato të koshiencës përmes transhendencës johorizontale, që na bën të shkallmojmë imbrigimin e Eros- Thanatos.

Tekstet e tregimeve mbajnë peshën filozofike të dekompozimit mitikuloz e implicit të çdo elementi, duke e vënë atë në funksion të rikompozimit hipotetik, të pjesshëm apo tërësor, duke zbuluar kështu opacitetin e fshehur pas një transparence evidente të “raportit famoz” që menaxhon botën. Zbërthimi i tij demonstron kundërvënien literaturë-filozofi, fjalë-shkrim, simbol-gjuhë dhe vendin që autorja i lë këtij raporti, duke zbuluar deri diku atë çfarë është e kontrollueshme në horizontin e kompleksitetit, që ndonjëherë është edhe krejt i mbuluar nga historia. Tekstet e tregimeve janë një krijim dhe rikrijim i vazhdueshëm. Ka tekste që “treten” me leximin e parë dhe të tjera që “rilindin” duke i lexuar e sa herë që i lexon.

Tekstet e Mimoza Ahmetit, me optikën e tyre ontologjike, na ribrendashkruajnë në dimensionin e universalitetit. Veprat e artit, duke përfshirë edhe shkrimet e librit, vishen me petkun e kohësisë, pasi krijohen në një kohë të caktuar dhe jo vetëm. Në libër, tregimet na paraqiten si një miksazh spontan i disa kohërave, të ndryshme e heterogjene, të cilat “përthyhen” në një “prizëm të kristaltë”, ku koha vetë “marroset” nga vetëdekompozimi. Qenia njerëzore është gjithmonë përballë një ligji të padukshëm, të pazëshëm, të fshehur, por njëkohësisht edhe premtues, ku e pathëna gjithëpërfshihet në rezonancë e kudo, në shtratin e asaj që duhet thënë, duke theksuar hendekun e disonancës “ndërmjet kohërave” më tepër se atë të “një kohe tjetër” (Ora pa numra).

Tensioni ndërmjet reales dhe virtuales, shpresës dhe pashpresës, jetës dhe vdekjes, kjo e fundit e përshkuar nga optimizmi irracional përtej këtij pulsioni, shkel kufijtë e së tanishmes dhe zbulon përpjekjen e autores për të evidentuar principin e neutralitetit të eksperiencës estetike (Lévinas), pasi ajo e ka kuptuar më së miri që po t’i dorëzohesh asaj (estetikës) mund të humbësh njëkohësisht kohën, botën dhe vetveten. Libri na bën të lundrojmë në “pakohësi”, duke i lënë gjithmonë vend një “të tanishmeje ndryshe”, të hijezuar nga e “patanishmja”, ku porta e hyrjes rri gjithnjë hapur për të papriturat dhe të paimagjinueshmet. Gjërat që na rrethojnë, në nuditetin e tyre elementar interferojnë me senset tona, modifikojnë “parametrat” tanë të brendësisë e të jashtësisë, të reales dhe iluzives. Magjia fillon si një “sabbat fantastik” thotë Lévinas për Proust-in, pikërisht aty ku tregimet çlirohen nga pesha e etikës frymëmarrëse. Në universin ambivalent të këtyre tregimeve fragmentare ku mbretëron papërcaktueshmëria, autorja na duket si “perëndesha e inkrementit diferencial të shpirtrave” te “psikologia e pambarimisht së voglës”.

Projektimet vizuale, reale apo alegorike, të krijuara nga aspektet konceptuale të shkrimit dhe organiciteti i tregimeve, na kujtojnë nocionin rilkéan të Weltinnenraum ku koshienca shihet si “muri” (pareti) që ndan gjërat. Kur shkatërrohet ky mur, bota e jashtme dhe e brendshme, “jashtësia” dhe “intimiteti” shkrihen, duke e transformuar hapësirën në një “entitet”. Mendimi shpeshherë merr formën e sensacioneve, na duket se ai banon jashtë trupit, në një konstelacion matricial që përfshin nivelin më primitiv deri tek ai më kompleks e asimptodik. Kjo gjë u jep teksteve një nuancë fantazmagorike (hapësira e kufizuar mund të sjellë pafundësi) dhe e bën lexuesin që për hir të një konvergjence elegante mendimi, apo për të mos refuzuar definicionin e tij kartezian, e për hir të kaosit i cili udhëheq drejt rikuptimësimit, të gjendet i zhytur brenda një “sfere të Riemannit” ku befas bota e pakuptueshme bëhet e arritshme.

Përfundimisht, fraza që më mbetet në mendje për nga dualiteti thjeshtësiuniversalitet është: “Njeriu është një mister që fjala nuk ia nxjerr dot fundin.”  Mimoza Kuchly Lumturia na falet pjesëzash  “Kolana e perlave” e Mimoza Kuchly-t E çuditshme! Rrallëherë tregimi i parë (Historia e peshkatarit Nedipso) i një libri krijon një ngjizje të tillë, duke shtresuar brenda nesh një vorbull me kulmime ndjesish të papërcaktuara (në kërkim të gjurmëve dhe fantazmave të perëndive), të cilat nuk na ndahen gjatë gjithë leximit. Me origjinalitetin e saj ekzistencialist, autorja arrin me delikatesë të na “e varë” në qafë, deri në fund të librit, “kolanën e perlave”, e cila mban një peshë simbolike të pazakontë në këtë tregim.

Ashtu si “hëna që hedh natën piklat e vesës nëpër guaska”, autorja, duke na zhytur thellë në ujërat e krijimeve të saj, “hedh spirancën” në prapavijën tonë kuptimore e sensoriale dhe ne ndihemi të pafuqishëm për t’u larguar nga “banketi” i larmishëm jetësor shtruar prej saj, pa marrë me vete “një kupë dashurie” (tregimi Banketi). Dialogu, që është i pranishëm shpesh në tekst, përforcon përshkrimin e botës emocionale të personazheve në një moment të caktuar, me epitete shpeshherë shpjeguese, por duke ruajtur një lloj ekuilibri të padukshëm për të mos i impozuar lexuesit këndvështrimin e autores. Çelësi i narracionit është akti i tregimit, nuk është se “çfarë” tregohet, por “si” tregohet. Autorja përjeton dhe shpreh atë që përjeton, në një formë që i ngjan shumë poezisë, duke e ngarkuar kështu me një barrë lirizmi ingranazhin e krijimit.

Gjatë leximit na duket se ajo “hipotekon kohën”, pasi luan mjeshtërisht me perspektiva të ndryshme, të cilat i lejojnë lexuesit t’i “prekë me sy” apo t’i “kundrojë në ëndërr”, që në zanafillën e tyre, imazhet figurative të krijimit. Në këto përshkrime, edhe estetizimi i elementeve më të rëndomta, si malli, pritja, udhëtimi etj., mbajnë gjurmët e intonacioneve emocionale me një kolorit të pasur, duke u përfshirë në një triadë figurative: qenie-mendim-sens. Kjo triadë, e cila mban mbi supe “ngrehinën” e veprës, ka në thelb strukturimin e rrëfimit, nëpërmjet efikasitetit të imazhit si element surrealist dhe çfarë rrjedh prej tij (tempujt nuk treteshin meqë ishin ngritur nga shpirti i besimtarit), në të cilin harmonia dhe lumturia “përleshen” për ekzistencë brendashkruar “sintezës lakonike” që quhet jetë (Ende nuk e ke kuptuar? Në këtë botë sipërfaqësore ke një arsye për të mos gabuar.

Kur nuk je e bukur!) Informacioni “vendor dhe kohor” i shton librit mundësinë për ta vendosur lexuesin në një kuadër hapësinor-kohor të përcaktuar (port, stacion treni, autobus, librari etj.), duke i dhënë shansin të integrohet pa e kuptuar në ngjarje. Dashuria në libër shihet si një proces cerebral, prodhim nganjëherë i subkoshiencës, ajo fillon nga mendja dhe nuk mund të reduktohet nga distanca fizike apo mungesa (ishim parë aq pak dhe kishim përjetuar aq shumë; …ajri u kthye në një pengesë të pakapërcyeshme). Ajo mund të ndodhë edhe jashtë perceptimit mishtor që është materializimi i saj, pasi dashuria është më shumë shpirt se tjetër gjë (Jo të gjitha dashuritë e njohin shtratin).

Tekstet të ngjallin një kërshëri leximi, pasi thelbësorja artikulohet me plot lirizëm dhe fuqia kohore e retrospekcionit dhe projeksionit fiktiv është në sinkronizim me aftësinë për të evituar ngjashmëritë në përshkrimet e personazheve dhe në detajet e “sekuencave” të kujtimeve. Fragmentarizimi i narracionit krijohet jo vetëm nga ndërfutja e teksteve të ndryshme që sjellin rrëfime “dytësore”, por edhe nga “fragmentarizimi i kohës dhe hapësirës”, shpesh në të njëjtin tregim marrëdhëniet spostohen nga plani i personazheve në atë më të përgjithshëm për të na përcjellë një mesazh filozofik (Nuk mund të jetohet pa thënë lamtumirë; Jo çdo parfum vesh një grua etj.).

Nëpërmjet shkrimit kuptojmë se sa më shumë përvojë jete të kemi, sa më shumë në thellësi të problemeve ekzistenciale të penetrojmë, aq më tepër e braktisim iluzionin, që rastësia dhe kombinimet e saj fantaske nganjëherë nuk mjaftojnë për të gjetur lumturinë dhe harmoninë. Është e vërtetë që fati apo destini prek të gjithë metamorfozën e sferës jetësore, por, ama, ne vetë kemi peshën mëtë madhe (E ndienin se ende dashuroheshin me dritën që u dilte nga shpirti, si atëherë; Ai do të vinte aty çdoherë me të njëjtin mall). Tregimet ngjajnë me pjesëza teatri, me një fillim dhe fund të përcaktuar qartë, ku thjeshtësisht zbulohet “skeleti” i një bashkimi organik i cili ndjek zhvillimin linear të ngjarjeve.

Autorja me spontanitetin e saj krijues duket sikur na hap shtratin e një mozaiku tekstual të trupëzuar në formë epidermike te personazhet, nëpërmjet projeksionit shumëdimensional të vetvetes. Trajta e njëjtësuar që hasim në tregimet e Mimoza Kuchly-t ngjan me një bashkëbisedim intim të drejtpërdrejtë, herë-herë të fshehtë e herë-herë të dukshëm, bashkëbisedim me gjithçka që na rrethon, duke përfshirë mbi të gjitha dashurinë. Ne kemi nevojë për një “ëndërr apo zhgjëndërr” malli (peshkatari Nedipso), e “duam tjetrin më fort në mungesë”, kur nuk është pranë nesh. Kjo përcjell në vetvete edhe paradoksin më të madh të dashurisë. Mbase ndodh kështu, se kur dashuria “konsumohet” mbetet vetëm “zbrazëtia”.

Prandaj ne kemi nevojë jo për konsumimin apo përmbushjen e dashurisë, por për një dashuri të pakonsumuar, të përjetshme. Dashuri që nuk fillon e s’mbaron asnjëherë (Unë jam këtu si gjithmonë; Pulsi im është rrahja e zemrës sate). Tregimet janë të mbushura me figuracion, metafora e simbole, me ngarkesë emocionale e estetike, me mbartje kuptimore, që përcjellin artistikisht idenë e një vetëdije e nëndije të lëvruar, e cila shfaqet semantikisht si arketip i stilit të autores që ka brenda plot dritë e dëlirësi. Imazhet erotiko-dashurore plot bukuri kanë një vërtetësi “përgjegjësuese”, duke transformuar sferën e ndjenjës në një asociacion mes narrativës e reflektimit, si për të përplotësuar atë çka autorja i jep dhe njëkohësisht i kërkon lexuesit. Pasi kemi lexuar librin, na duket sikur hymë në një “dhomë magjike ku strehohet” arsyeja innée, e pastër, e distiluar, e cila nuk ngjan me asnjë lloj arsyetimi pragmatik të një të përjetuare tjetër dhe që rrëshqitazi i shpëton konotacionit autobiografik.

Duke kaluar përmes kësaj dhome, ashtu siç jemi, “të zhveshur e me shpirtin në dorë”, jo aq të pashëm apo dhe të shëmtuar, dalim të bukur, apo më të bukur! Ndiejmë që kjo “dhomëz e magjishme” na ka bërë ta duam më shumë veten dhe jemi gati të përqafojmë aventurat që jeta na ofron me zemërgjerësinë e saj, duke hequr dorë, pak nga pak, nga gjërat që nuk varen nga ne. Përmes dashurisë, ku ndihet shqetësimi i saj për finesën dhe përsosmërinë, ajo shpalos të gjitha aspektet rastësore, subjektive e ekzistenciale të përvojës së saj, duke tejprekur të gjithë spektrin e ndjeshmërisë sensoriale.

Strukturimi i teksteve bëhet përmes një lloj evidence përmbajtjesore e cila ka si emërues të pareduktueshëm lirizmin dhe forcën e emocionit. Autorja ndalet gjatë udhëtimit të saj krijues në ato udhëkryqe ku zhvishen të fshehtat më të paprekshme të jetës, në të cilat reflektohen nganjëherë, në formë ciklike, në hapësirën kohore të qenies, ngjarje që e pasurojnë apo tronditin shpirtin, deri në kufijtë e ngazëllimit e të marrëzisë – dashuria e nënës për fëmijën dhe dhembja që krijon perspektiva e humbjes së tij (Të shohësh gjakun tënd aty mbyllur në moshën e lirisë, nuk ka dhembje më të rëndë!).

Në tehun e kohës që rrëshqet heshturazi përmbi banesën e përkohshme të njerëzimit, shpirti njerëzor, përjetuesi dhe dëshmuesi i ngjarjeve universale, ngatërron kufijtë e vetvetes në dilemën e përhershme të ekzistencës (Nuk kuptoj cili rend më shpejt, trupi apo emocioni; Kurajë, çupë, se jeta i ka të gjitha për të të bërë më të fortë; E desha shumë, por tepër vonë…).  Fulvia Shtëpani, Académie de Versailles, Paris

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura