Libri “Nata”, simbolika e romanit të Preç Zogajt

Dec 12, 2023 | 9:23
SHPËRNDAJE

behar gjokaBEHAR GJOKA

Titulli i romanit më të ri të autorit Preç Zogaj, poetit, prozatorit, publicistit, politologut, pra të fushave që kanë marrëdhënie me fjalën, “Nata”, jo pak i mirëmenduar, për ta përçuar atmosferën, e rrëshqitjes ku ka rënë qenia shqiptare këtyre moteve, bashkë me misterin që bart realiteti letrar, natyrshëm vjen i përthyer nëpër rrathët e imagjinares autoriale.

Nata, e përgjumjes së plotë, e shurdhmemecërisë dhe indiferencës, e heshtjes që flet, ka shërbyer si topos i kumteve, të komunikimit me qenien/me lexuesin, në një larmi ngjyrash dhe episodesh të realitetit të vrazhdë të përditshmërisë. Nëse te komedia “Ëndrra e një nate vere” e Shekspirit, nata rrezaton dritë, që përcjell estetikisht ëndrrën e bardhë, pra duke sendërtuar njërën anë të medaljes së natës, si përçim dhe receptim konceptual. Nga ana tjetër, Petro Marko, romancieri i shquar i letrave shqipe, te romani “Nata e Ustikës” (që vjen i plotë dhe me titullin e dorëshkrimit, “Një natë e dy agime”, vetëm pas viteve ’90), shpërfaqet nata si tone monotonie, si privim lirie, në burgun fashist, ku jeta e njeriut ka përfunduar në kafaz. Kurse teksti i romanit “Nata” i Zogajt, pra vetëm me një fjalë, pa asnjë ndajshtim, shqipton një çast makabër, ndonëse tani është bërë i zakonshëm në jetën tonë, çka përbën një tmerr të parrëfyeshëm. Pikërisht, në këtë çast të hatashëm, vritet një vajzë, në pragun e fillimëndrrave, vritet me thikë nga i jati, në emër të nderit, vritet nga shoqëria që bën sehir, dhe vendos diku një tufë me lule apo ndez një qiri, vritet nga shteti që ka ngritur një kioskë kinse shtetërore, që vetëm numëron viktimat, sepse fajtorët ikin gjithnjë në drejtim të paditur. Nata si tmerr, pra nata e këtij romani, ndërkaq është një piskamë në mbrojtje të jetës, në mbrojtje të gruas dhe vajzës shqiptare. Vetiu na vjen në mend parashtresa e Gjergj Lukaçit, në librin “Teoria e romanit”, ku thekson: “Vetëm në roman dhe në disa forma të tjera epike të afërta me të ndodh kujtimi krijues, i cili e qëllon dhe transformon lëndën…”, si një rrethanë teorike, me perceptu ekuilibrin në mes thënies dhe shenjës estetike, pavarësisht marrëdhënies së hapur të tekstit me jetën konkrete, që mundëson thurjen e një romani realist, me përftesa të ligjërimit të larmisë estetike.

AKTUALITETI SI REALITET LETRAR

“Nata” në një kuptim, shpirtëror dhe letrar, fanitet si një copë e realitetit të shëmtuar, kinse e shkëputuar nga përditshmëria, dhe e fikësuar në faqet e librit, ku qenia zhvillon betejën për jetën, ndonëse është mbytur në mjerim dhe shpërfytyrim, e përfshirë në betejën donkishoteske të nderit të humbur, si një shkas me ruajt fronin egoist, të një shoqërie rrumpallë, edhe sonibiste, edhe të prapambetur. Me shumë gjasa, kjo natë terri dhe vrastare, më tepër fekset si një kohë e ngrirë, pra një kohë e mirëfilltë letrare, e shkëputur për një çast nga jeta konkrete, tejet dinamike, që e ka vënë në sprovë fatin e qenies njerëzore, gjithnjë e përpunuar nëpër rrathët e përthyerjeve autoriale, gjithsesi për të kuptuar dhe zbuluar preklat e ditëve të trazuara të shpirtit njerëzor, e cila gjallon në këtë kohe pa kohë, tepër të trazuar, në mjegullësinë që sjellë në jetën e njeriut. Një situatë e pazakontë e marrëdhënies ndërkohore na vjen si ide nga Zh. P. Sartri në librin “Ç’është letërsia?”, kur shprehet: “…letërsia afirmon menjëherë pavarësinë e saj; ajo nuk do të reflektojë më shabllonet e mendimit të kolektivitetit, identifikohet me shpirtin, d.m.th me pushtetin e përhershëm për të formuluar dhe krijuar ide”. Pra, koha, në hapësirën e tekstit, që përfaqëson një dimensioni real dhe të parrokshëm, e cila vjen rrufe, në një vepër letrare, mbase më përtej lëvizjes, të dinamikës së brendshme, shfaqet gati si e ngrirë. Pra, kemi të bëjmë me një ndalim të përkohshëm dhe metaforik të kohës, për të zgjuar vetëdijen e qenies. Koha e ngrirë, pra koha e parashtrimit metaforik, anipse në dhëniemarrje të hapur me aktualitetin jetësor, është konvenca e ekzistencës së letërsisë. Familja e Arif Malajt, e cila përbëhet nga pesë veta, me tre vajza, ka zbritur nga zonat e veriut dhe, është vendosur në Kapraj, diku në periferi të Tiranës, kryeqytetit të shqiptarëve, sipas materies letrare të tekstit, gjendet në një zgrip ekzistencial. Kanë zbritur nga malet në kërkim të një jete më të mirë, e këtu kanë gjetur shpërfilljen dhe talljen, por ndërkaq kanë marrë me vete, jo pak paragjykime të jetesë së mëparshme. Realiteti i ri, ku përzihet ëndrra me zhgjëndrrën, është më i vështirë nga sa e kishin menduar, e jo rrallë mendojnë që të kthehen nga kanë ardhur, që do bdarte nderin e tyre përfundimisht. Aspirata për jetë më të mirë, vetiu përplaset me përpjekjen për të ruajtur nderin e fisit, sidomos nderin e vajzave. Nderi, ku burri e quan veten pronar të femrës, grua apo vajzë qoftë, një atavizëm i frikshëm, që në një ditë moti, e kthen babain në vrasës të së bijës. Në fakt, simbas realitetit të romanit, bijëvrasja, një realitet i vrazhdësisë së mjediseve shqiptare, dhe më gjerë sa sa kaq, ku me sa duket, ende të vrasësh për nder është burrëri, burrërizeza, kur mjerisht është shpërfytyrim, ndërkaq bart edhe shenjën e një faj kolektiv, ku shoqëria e tanishme, përveçse indiferente, përgjithësisht e zhytyr në idealin e parasë, çdo ditë kridhet në humbjen e vlerave humane.

prec zogaj
Preç Zogaj

NARRATIVA DHE ZËRI I BRENDSHËM

Elementi kryesor i formësimit të prozës, narrativa, ose ajo që më herët T. Todorov do ta përcaktonte si poetika e prozës, në faqet e romanit “Nata”, realisht shpaloset nëpëmjet dy gjendjeve komunikuese, që janë në marrëdhënie të ndërsjellë në mes tyre:

A – Narratori i gjithdijes, që vetëkuptohet se përfaqëson epiqendrën e autorit, si pozicion dhe shprehësi gjuhësore dhe letrare, në zbulimin e ngjarjeve, po ashtu edhe përçimin e atmosferës së intrigës romanore, të ndodhive të shumta, të vendeve ku janë vendosur ngjarjet, si dhe të figurimit të plotë të personazheve, si dëshmi karakteriale. Autori – narrator, pra shenja e tipologjisë së gjithdijes, jo vetëm sendërton universin e romanit, pra praninë totale të qenies, e cila endet në rrethakun e konteksteve, ku shpesh herë njeriu është në sprovë të pazakontë, në sprovë me veten dhe realitetin përqark, me shumë gjasa, në sprovë me ekzistencën e qenies, e kësaj ndërkohje si një element i shtuar, gjithnjë krejt i mjegulltë, është e përplasje në mes jetës reale dhe jetës virtuale.

B – Si element i ndërfutur, me jo pak mjeshtri, në pentagramin narrativ të tekstit, është edhe përfshirja e zërit/ zërave të brendshëm të personazheve të romanit. Futja në hapësirën narrative të romanit, të zërave të personazheve të librit, në nivel të komunikimit real me lexuesin, kryen dy funksione. E para, nëpërmejt kësaj ndërthurje jo të shpeshtë në letrat shqipe, autori sendërgjon vonesën narrative, një element i rrokshëm i pauzës ligjërimore, jo vetëm për të ndërprerë ankthin, që shkaktojnë ngjarjet, që paralajmërojnë ngjarjen tragjike, por diçka më shumë, për të pasuruar spektrin rrëfimor. Pra, vonesa narrative, ngadalësimi i rrjedhës së ngjarjeve, mishëron efektin estetik, për të ndjerë disi më pranë klimën e letërsisë, si tregues artistik. E dyta, zërat e brendshëm, po ashtu, figurojnë dhe materializojnë botën e brendshme të personazheve, botën e territ dhe misterit, duke endur një tekst letrar të ndërlikuar dhe më të pasur si shenjëzim estetik. Gërshetimi i narrativës së gjithdijes, me ngadalësimin e ngjarjeve, që mundësohet nga prania e zërit/zërave të personazheve, është tregues i formësimit estetik të përveçëm, që i ka dhënë dorë autorit, për të vendosur ekuilibër në mes konkretes dhe realitetit letrar, pavarësisht shtjellimeve në rrafshet e imagjinares.

ROMAN I PERSONAZHEVE

Prania e një morie personazhesh, por më tepër zgripi ekzistencial ku ata gjenden, pra në hapësirën tekstologjike të romanit “Nata”, në kufijtë ku jeta rrezikohet nga krimi dhe pasiguria, që lidhet natyrshëm me idenë parake, për ta ndërlidhur konkreten, me kaq shumë dritëhije, me tmerr dhe tjetërsim, shoqëruar me mëtimin autorial, për të dalë nga makthi i përditshmërisë, ndikon për të materializuar një roman të personazheve, pra të qenies siç e parasheh zhanrin e romanit, M. Kundera. Qendër e universit të qenies, të skicimit dhe shenjtërimit të personazheve, janë të tri vajzat, që realisht mishërojnë trinitetin e fatit të femrës shqiptare, gjatë kësaj ndërkohe, tejet të ngarkuar me rrezikim të jetës. Megjithatë, në mesin e treshes së vajzave, Xhoana është vatra që bart dritëhijet, e cila edhe pas rrëzimeve, që të rezervon jeta e mbingarkuar, si aventura apo flirti me Orlandon, për të zbutur ashpërsinë e këtij realiteti, ajo sheh përpara, dhe prandaj është personazhi më i vizatuar dhe më i identifikuar. Fakti që e ndeshim në kapituj të veçantë, me emrin Xhoana, si në kapitullin gjashtë dhe katërmbëdhjetë, porse prania e saj është e rrokshme në pjesën dërrmuese të tekstit në gjithë romanin. Madje, në kapitujt e Pjesës së pestë, që ka si nëntitull “Kuturisja”, ku krahas rolit të jashtëzakonshëm, që merr përsipër për ta dëshmuar forcën dhe ngritjen në këmbë, që ka një zgjatim të stërholluar, sidomos në atë përpjekjen për të hetuar të vërtetën e vdekjes së motrës së vogël, Marjanës. Në këtë lëkundje njerëzore, ka momente që futet në “tunelin” e frikshëm, kur merr përsipër ngarkesa që janë të vështira për supet e saj, veçmas në takimet me “kriminelët” që prezantohen në tekst. Fati i mbrapshtë, po me ato simptoma, ndjek edhe vajzën e dytë, Rominën, ndonëse është më e heshtur, e pëson dhe bie pre e “peshkaqënëve” të kohës, që sillet në tekst me bisedat me Valmirin, që hapur kërkon favore seksuale për ta ndihmuar me kredi në bankë. Në këtë “histori”, gjithnjë letrare, mbijetese dhe tjetërsimi, fatin më i hidhur, i ra për hise, Marjanës, sugjares së shtëpisë, e përgojume, ndonëse e virgjër, e përndjekur nga lukunia e “zagarisë” së kohës, e vrarë nga babai i saj, në emër të nderit, mbase në emër të pandërshëmrisë së kohës dhe të shoqërisë së atrofizuar, në indiferentizëm dhe adhurim të parasë. Figurimin e tyre, autori e realizon me dhimbje dhe dashuri të madhe duke të kujtuar idenë e Ipolit Taine: “…shkrimtarët janë psikologë, dhe arrijnë të tregojnë jo vetëm gjitha variacionet, por edhe të gjitha pasojat…”. Pjesë e personazheve, të figuruara si karaktere janë edhe Arifi, bijëvrasësi, Lumturija, nëna dhe bashkëshortja, që rreket të mbaj ekuilibrat e brishta në këtë shtëpi, të trazuar nga mjerimi dhe shpërfytyrimi.

nata

STRUKTURA E ROMANIT CIKLIK

Teksti i romanit “Nata”, hapet me “Prologun”, që të fut në atmosferën e tragjedisë, e cila paralajmërohet në fjalinë nistore: “Një vrasje fillon gjithmonë më herët se të ndodhë…”(2023: 7), e cila sinjalizon fatin e vajzës së vogël të kësaj familje. Përfundimi paraqitet në “Epilogun”, kur shkruan: “Hija e tij, dytësi i tij a gjysma e tij, po vringëllijnë një thikë në ajrin e natës…”(2023: 340), për të kuptuar pasojat e tragjikes së shpalosur në faqet e romanit, kur kryefamiljari gjendet në burgun e Peqinit. Nëse “Prologu” e njofton, “Epilogu” i vë vulën, ndërkaq që janë dy elementë të dramatikës, në hapësirën e romanit, shenjon tipologjinë e romanit ciklik, ku pika e fillimit zbulon fundin, dhe fundi rimerr fillesën e tekstit. Krahas shenjëzimit ciklik, ndeshim një hapësirë të shtrirë, të ndarë dhe të përthyer në dhjetëra episode. Pjesa e parë e romanit, ku vetëmsa prezantohet gjendja e kësaj familje, mëdyshjet e jetës së re me dyshimin e kthimit nga erdhën, përbëhet nga pesë kapituj, ku identifikohet familja me gjithë vështirësitë e pranishme. Pjesa e dytë, që ka si nëntitull “Vajzat në revistën e kohës”, që përbëhet nga dhjetë kapituj, si dhe disa episode me emrat e vajzave, si për të zbuluar fatin e tyre, si dhe mbyllet me episodin “Intermexo”. Pjesa e tretë, ka të përfshirë nëntë kapituj, që përplotësojnë kuadrin e mjedisit dhe të shoqërisë. Pjesa e katërt, paraqet katër kapituj, ku sillet në vëmendje edhe sfondi politik, ku evidetimi i shitblerjes së votës, të rrudhjes së demokracisë, prek një plagë tjetër të kësaj kohe, që ndikon në shpërfytyrimin e qenies. Pjesa e pestë, me nëntitull “Kuturisja”, që përbëhet nga tetë kapituj, që më së shumti plazmojnë rropatjet e Xhoanës, vajzës së madhe për të gjetur fajtorët që ndihmuan në vrasjen e Marjanës. Në një kuptim, të zbulimit të shkaktarëve, dhe të pamundësisë për t’i shkuar deri në fund ndëshkimit të fajtorëve, që sollën vdekjen e motrës së vogël, intriga e romanit, e ul siparin e veprimit, në fundin e kapitullit të tridhjetë e dy, ku madje qartësohet prapaskena e endur për fatin e Marjanës, që preku fundin e tmerrshëm, si viktimë pa asnjë faj.

ASPEKTE TË STILIT AUTORIAL

Romani “Nata”, konturon më së miri aspekte të stilit të autorit. Krahas narrativës, mjetit të sendërtimit të prozës, në faqet e romanit, ndeshen edhe kahje ligjërimore të ngjyresave lirike. Pjesë e depërtimit në botën e brendshme të personazheve, të secilit prej tyre, e sidomos të tri vajzave, është paraqitur përmes lirizmit të brishtë. Po ashtu, shpirtëzimi i Marjanës në fytyrën e Xhoanës, është një tregues tjetër, në anët e tjera të depërtimit liriko-psikologjik. Një tipar lirik, me shumë gjasa, është fraza e shkurtër, shpesh herë e shpërfaqur si melodikë shpirtërore dhe narrative. Të gjitha këto prani, të një lirizmi të brishtë, shpalosin lidhjen organike me poezinë, e lëvruar kaq gjerësisht dhe me sukses nga autori. Pranitë poetike, vetëmsa tonifikojnë tiparet e shkrimit të prozës, e veçmas të sendërtimit të zhanrit të romanit. Në faqet e tekstit “Nata”, si njëri nga elementët shenjues, është gjuha e autorit, pra gjuha e narratorit të gjithdijes, që zbulon gradualisht botën e personazheve dhe të mjedisit përqark. Po kaq, gjuha e personazheve, që materializohet me replikat e shkëmbyera të personazheve, vjen e qartë dhe identifikuese, shpesh e përngjyrosur në koloritin lokal apo të folmes së zonave të caktuara, si hapësirë e dëshmisë së sociolektit. Përkujdesja ndaj gjuhës, si një sugjerim i hershëm i poetit anglez, Tomas Eliot, për ta pasuruar gjuhën, materializohet në leksikun autorial, që paraqitet në hapësirën e librit: përudhin, fatdaljes, hapjembyllje, kalahumbur, dreqninat, keqpaguar, pendëhapur, udhoren, frullakëve, vetëlazdrim, përtymthi, laskëruar, çubardh, fushëkrutani, shakllabamet, udhare, ndërëndrra, fytyrësqepi…etj fjalë autoriale të pranishme në tekst. “Nata”, romani i P. Zogajt, për rrokjen e jetës në gjithë dimensionet e veta, të gërshetimit të narrartivës me zërat e brendshëm, të strukturimit të hallkave përbërëse, për vlerat letrare dhe gjuhësore, shënon një nivel tjetër të shkrimi të prozës së autorit, po kaq është pjesë e vlertë, e nivelit më të ngritur që ka dëshmuar letërsia e sotme, në lavrimin e zhanrit të romanit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura