Kreu i ri i PD zgjidhet me një anëtar një votë. Procedurat për thirrjen e forumeve

Jun 28, 2013 | 9:27
SHPËRNDAJE

Kryesia e PD-se
PD pritet të ndryshojë Statutin, ku përcaktohet zgjedhja e kryetarit nga Kuvendi Kombëtar. “Panorama” shkruan  se nisin procedurat e thirrjes së forumeve pas dorëheqjes së Berishës.

Kryetari i ri i Partisë Demokratike do të zgjidhet sipas parimit “një anëtar, një votë”. Një ditë pas vendimit të Kryeministrit Sali Berisha për t’u tërhequr nga të gjitha pozicionet që mban, në selinë blu kanë nisur përgatitjet për zgjedhjen e lidershipit që do të drejtojë këtë parti në katërvjeçarin e ardhshëm në opozitë. Burime nga PD-ja bëjnë të ditur për gazetën “Panorama” se kreu i qeverisë ka kërkuar që të nisin që tani përgatitjet për zgjedhjen e liderit të ri gjatë dy muajve të ardhshëm, në mënyrë që në shtator të jetë zgjedhur pasuesi i tij. “Zgjedhja e kryetarit me parimin ‘një anëtar, një votë’ do të jetë shenjë e demokratizimit të Partisë Demokratike”, tha dje një burim i gazetës.

ZGJEDHJET
Porosia e Berishës ka qenë që zgjedhja e kryetarit të mos bëhet më nga Kuvendi Kombëtar, siç e parashikon aktualisht Statuti i Partisë Demokratike, por nga baza. Për këtë arsye, brenda një kohe të shkurtër do të thirret Kuvendi Kombëtar i PD-së, i cili është i vetmi forum që mund të ndryshojë kushtetutën e kësaj partie. Vendimin për thirrjen e Kuvendit e merr Këshilli Kombëtar ose Kryesia e partisë, me propozim të kryetarit. Në nenin 35, pika 2 e Statutit të PD-së, thuhet se vetëm Kuvendi Kombëtar mund të miratojë ndryshimet në ligjin e funksionimit të kësaj partie.

Për këtë arsye pritet të ndryshohet neni 35, pika 4, ku aktualisht përcaktohet se “Kuvendi Kombëtar zgjedh me votim të fshehtë kryetarin e partisë”. Forumi më i lartë i demokratëve do të përcaktojë gjithashtu kohën kur do të paraqiten kandidaturat dhe kohën kur do të zhvillohet fushata elektorale e prezantimit të platformës së drejtimit të PD-së. Gjatë fjalimit të dy ditëve më parë, Berisha tha se liderishipi i ri do të zgjidhet nga anëtarësia e partisë, duke paralajmëruar në këtë mënyrë ndryshimin e procedurave.

“Në përputhje me Statutin e Partisë, do të qëndroj në timonin e saj për të organizuar zgjedhjen nga anëtarësia e Partisë Demokratike të lidershipit të ri, të cilin do ta mbështesim të gjithë së bashku dhe të ecim në udhëheqjen e tij drejt fitores së betejës më të afërt që na pret”. E para forcë politike që ka aplikuar parimin “një anëtar, një votë” ishte LSI-ja, ndërsa katër vjet më parë Edi Rama mori mandatin me zgjedhjet nga baza.
Adi Shkembi/PANORAMA

Statuti i PD

Neni 34, pika 6
Vendimin për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar e merr
Këshilli Kombëtar ose Kryesia Qendrore, me propozim
të kryetarit të PD.
Neni 35, pika 2
Kuvendi Kombëtar i PDSH-së miraton statutin dhe
ndryshimet e tij.
Neni 35, pika 4
Kuvendi Kombëtar zgjedh me votim të fshehtë kryetarin
e Partisë.
Neni 38, pikat 1 dhe 2
Kryetari i partisë kryeson organet qendrore të partisë
dhe siguron zbatimin e vendimeve të tyre. Ai përfaqëson
partinë në të gjitha veprimtaritë publike dhe politike, të
brendshme dhe ndërkombëtare. Ai emëron zëdhënësin
e shtypit si dhe sekretarin e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Kryetari i partisë ndihmohet nga dy nënkryetarë dhe
sekretari i përgjithshëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura