Fondi për 2017/ Kompensimi i pronave, si do ndahen 10 milionë USD

Aug 16, 2017 | 16:00
SHPËRNDAJE

Pak vendime të marra dhe një numër i reduktuar me pronarë që kompensohen, pavarësisht kësaj, arka e Agjencisë së Trajtimit të Pronave ka nisur të zbrazet.kompesohen-554-pronare-nga-tokat-e-zena-

Nga të dhënat e këtij institucioni, mësohet se në 6-mujorin e parë janë marrë 6 vendime dhe janë ndarë 2 miliardë lekë ose thënë ndryshe 20 milionë dollarë, prej të cilit kanë përfituar as më pak e as më shumë, por vetëm 360 familje. Këtë vit fondi i vënë nga buxheti i shtetit për ishpronarët ishte 30 milionë dollarë.

Kjo do të thotë se deri më tani është ezauruar 70% i tij. Pjesa e mbetur e parave do të ndahet në muajt në vijim.

APLIKIMET

Janë pronarët me vendime ’93, ’94 dhe ’95 ata të cilët kanë të drejtë të paraqiten në agjenci për të aplikuar.

Për këto dosje ka përfunduar edhe vlerësimi ekonomik sipas skemës që ka nisur zbatimin pas miratimit të ligjit të ri. Faza tjetër, pas njohjes me faturën është ajo e depozitimit të kërkesës për t’u trajtuar me një nga skemat e kompensimit, përkatësisht fizik dhe financiar.

Pavarësisht se me herët u tha që për ndarjen e fondit do të respektohej rendi kronologjik i vendimeve, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Kjo për shkak të numrit të ulët të aplikimeve. Ndaj edhe për kompensimet nuk ka një rend përparësie të përcaktuar.

Në momentin që dorëzohet kërkesa bashkë me dokumentacionin përkatës, nis shqyrtimi dhe verifikimi. Nëse rezulton çdo gjë e rregullt atëherë bëhen edhe pagesat përmes numrit të llogarisë bankare.

FONDI I TOKËS

Veç kompensimit financiar për pronarët, në lojë është edhe skema e kompensimit fizik. Aktualisht Agjencia e Pronave ka në dispozicion një fond prej 23 mijë ha tokë bujqë- sore që do të shfrytëzohet po ashtu për shpërblimin e 26 mijë pronarëve të shpronësuar nga regjimi komunist.

Ky fond është i lokalizuar në katër qarqe, përkatësisht Elbasan, Berat, Gjirokastër dhe Korçë. Për një sipërfaqe të caktuar do të zhvillohet ankand, ku të drejtë do të kenë edhe pronarët, madje këta të fundit do të jenë të favorizuar. Ata do të konkurrojnë në ankand me vlerën që ka prona e tyre.

Por nëse toka blihet nga një person i tretë atëherë këto para do të shkojnë për fondin e kompensimit financiar. Ndërkohë që ka edhe një “portë” tjetër, nga ku pronarët mund të përfitojnë. Agjencia i “autorizon” për gjurmimin e sipërfaqeve të lira shtetërore, të cilat mund t’i shfrytëzojnë si alternativë kompensimi fizik.

VLERËSIMI

Aktualisht ATP-ja ka përfunduar vlerësimin financiar për dosjet e para ’95. Janë mbi 10 mijë vendime, të cilat kanë kaluar në skaner dhe për 80% tashmë ka një faturë të përllogaritur me skemën e re. Nga këto 6838 janë vendime që datojnë në 1995 ndërsa më shumë se 4 mijë të tjera janë vendime të dhëna në ’93 dhe 94-n. Nga vlerësimi i kryer pati edhe pronarë, të cilët u penalizuan.

Një pjesë prej tyre dolën nga rrethi i përfituesve, ndërkohë që pakënaqësi pati edhe për vlerën e kompensimit. Një numër jo i vogël pronar- ësh u preken nga ndryshimi i zërit kadastral, gjë që solli reduktim të ndjeshëm të faturës. Prej më shumë se dy muaj, agjencia ka nisur edhe vlerësimin për dosjet e 1996. Në përfundim të këtij procesi edhe familjeve u krijohet mundësia e aplikimit.

Në total janë 26 mijë vendime që do të kalojnë në sitë, ndërsa prej vitesh janë të arkivuara edhe 11 mijë dosje të tjera për të cilat vendimmarrja është bllokuar për shkak të vendimit të Kushtetutës. Gjykata vendosi që të shfuqizojë pjesërisht ligjin e ri të pronave, duke “detyruar” ATP-në që të vendosë dorë mbi dy pika të nenit 6 në të cilin ishte e përcaktuar formula e kompensimit.

Por, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë iniciativë ligjore për riformulimin e pikave të shfuqizuara. Një gjë e tillë është reflektuar në punën e agjencisë për dosjet e skeduara pa vendim, duke i lënë ende sirtareve këto të fundit.

Dokumentet 

 Kërkesë për kompensim financiar

 Konfirmim nga Hipoteka për gjendjen juridike të pronës që kompensohet

 Deklaratë noteriale, të nënshkruar nga subjekti i shpronësuar / përfaqësuesi me prokurë i të gjithë trashëgimtarëve ligjorë të subjektit të shpronësuar, përmes së cilës subjektet vetëdeklarojnë nëse vendimi përfundimtar i kompensimit apo vlerësimi i tij është ankimuar apo jo në rrugë gjyqësore  Dëshmi trashëgimie nëse ka ndryshuar rrethi i trashëgimtarëve

 Prokurë e nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm

 Vërtetim për numrin e llogarisë bankare

 Deklaratë noteriale, të nënshkruar nga subjekti i shpronësuar / përfaqësuesi me prokurë i të gjithë trashëgimtarëve ligjorë të subjektit të shpronësuar, përmes së cilës subjektet vetëdeklarojnë nëse kanë përfituar apo jo nga dispozitat për ndarjen e tokës bujqësore

 Dokument identifikimi

 Mandat pagese

ADA HAZIZOLLI/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura