EKSKLUZIVE/ “Vreri i Enverit pasi lexoi ‘Pashallarët e kuq’; Kadareja në burg!”- Sekretari personal i diktatorit rrëfen prapaskenat: ‘Ismaili i shqyer’, armik i rrezikshëm! E kemi përkëdhelur pa doganë, por tani…

Oct 12, 2021 | 15:00
SHPËRNDAJE

Ismail Kadare-Vahid-Lama-rrefimi-Panorama AFRIM IMAJ/ Në vlerësimin e diktatorit, Ismail Kadareja ka qenë njëherazi kolosi i letërsisë, shkrimtar i madh, mjeshtri i letrave, armiku i socializmit, tellalli i kamufluar i borgjezisë. Përkundër lëvdatave të kumtuara për konsum publik, Enver Hoxha rezervonte një qasje të kundërt për poetin e shquar, të cilën e ndante me rrethin e ngushtë të njerëzve të besuar.

Gazeta Panorama.al publikon ekskluzivisht, kujtimet e Vahid Lamës, juristi që ka punuar 13 vite në paradhomën e diktatorit, duke kujtuar shpërthimin e Enverit kur lexoi për herë të parë “Pashallarët e kuq”, përmend shënimin e tij në tekstin e poemës “Ismail Kadareja të shkojë në burg!”.

“Më herët me “Pashallarët…”, shton sekretari i diktatorit, u njoh, Ramiz Alia, të cilit i kërkohej miratimi për botimin e veprës, por ai pa u shprehur, siç bënte rëndom në kësi rastesh, ia kaloi Hoxhës për të pritur gjykimin e tij. Në vijim Lama kujton çastet kur kupola e Partisë shqyrtoi përmbajtjen reaksionare të veprës së Kadaresë dhe rrethanat si ndryshoi vendimi i Hoxhës për mos ta goditur shkrimtarin e njohur. Sakaq, ndihmësi i diktatorit sjellë mbresat nga komunikimet e kreut të regjimit me ministrin e Brendshëm, i cili kishte ekskluzivitetin e raportimeve sekrete për të vrarët pa gjyq…

VIJON NGA NUMRI I KALUAR (LEXO KETU)

KADAREJA, ARMIK I RREZIKSHËM

Në vitin 1975, shtëpia botuese i kishte dërguar Ramiz Alisë, sekretar i Komitetit Qendror të Partisë, që mbulonte ideologjinë dhe kulturën, një poemë të shkrimtarit Ismail Kadare. Atij i kërkohej mendim nëse mund të botohej ai krijim, që “mbante erë baruti”. Poemës, më pas, si pa dashur, iu ngjit nofka “Pashallarët e Kuq”, megjithëse titulli në origjinal ishte “Në mesditë u mblodh Byroja Politike”. Shkrimtari shkruante me urrejtje të madhe kundër burokratizmit dhe burokratëve kriminelë me duar të përgjakura. Ai tipizonte me sarkazëm salltanetet e drejtueseve të lartë dhe mënyrën e tyre të jetesës shumë larg asaj të njerëzve të thjeshtë që me zor përballonin kushtet minimale të jetesës.

Ramiz Alia, për të mos mbajtur vetë përgjegjësinë për sa i kërkohej, sikurse e kishte zakon, ia kishte dhënë atë Enverit për ta lexuar, në mënyrë që më vonë të shprehej për botimin e saj. Në momentin kur Hoxha sapo e kishte lexuar poemën, unë u futa në zyrën e tij dhe vura re se nuk po përqendrohej për të më dëgjuar mbi çështjen që i raportoja. Ishte tejet i zemëruar. Zakonisht, kur futeshim në zyrën e tij pa na thirrur, na dëgjonte e pastaj mund të na jepte ndonjë porosi edhe përtej atyre që kishim biseduar. Kësaj here, pa mundur të më dëgjonte përse i kisha shkuar në zyrë, ma ndërpreu fjalën në mes: “Merri këto shënime dhe jepja Nexhmijes për t’i sistemuar diku në arkiv. Janë disa gjykime personale për Ismail Kadarenë, që u dashka ta mbash nga xhaketa për të mos u gremisur në ato humnerat e fantazisë së tij të sëmurë.

Ai na shkruaka këtu për ‘Pashallarë të kuq’, po cilët na qenkan ata? Anëtarët e Byrosë Politike? Sigurisht Ismaili ata kërkon të qëllojë me larghedhje. Nuk e di ç’i ka hipur në tru? Çfarë i kanë diktuar ustallarët që s’na duan. Ajo mendja e tij djallëzore, me sa duket punon për gjëra të mbrapshta. Prit t’ia shkrepi ndonjë ditë e të shkruaj edhe për ‘Sulltanin e kuq'(!). Misioni që i ka vënë vetes, është i qartë si drita e diellit, por do ta pësojë, si gjithë ata që kanë dashur të na qëllojnë pas shpine. Hajde shkrimtar, hajde! Të gënjen mendja mor i shkretë.

Ky është Kadareja ynë ‘i shquar’. Ismaili i shqyer! Një armik i rrezikshëm i Partisë!. Një tellall i kamufluar i borgjezisë. E kemi përkëdhelur pa doganë, por me këta “Pashallarët e kuq” durimi mori fund. Duhet ta vëmë në mengene e të jap llogari si Çeçua. Poema e tij është një akuzë e rëndë për udhëheqjen e Partisë, një trakt i zi, që bën thirrje për kryengritje. Një të tillë si “Pashallarët…” nuk kanë shkruar as ata që kemi shfarosur me kohë…”

Si tha këto, gati me një frymë, Hoxha heshti një moment, pastaj filloi sërish: “Çuditem me këtë Ramizin. Si i kalon kaq lehtë gjëra të tilla dhe m’i sjell mua në tryezë. Ç’kërkon Ramizi, që unë të firmos botimin e ‘Pashallarëve të kuq’? Apo të urdhëroj ndëshkimin e Kadaresë? Ramizi nuk shprehet as për njërën, as për tjetrën, por kur ta thërras dhe t’i shfaq mosaprovimin kategorik për botimin e poemës, ai, si ngaherë, do të shprehet: Dakord, shoku Enver, kështu mendova dhe unë, prandaj jua solla për ta lexuar!…”

Vahid Lama-foto1

Hoxha fliste tepër i nervozuar. Ishte nxirë në fytyrë. Rrallëherë më kishte qëlluar ta shikoja në këtë gjendje. Më tepër u çudita nga mënyra si u shpreh për sekretarin e KQ që e kishte njërin nga bashkëpunëtorët më të afërt. Natyrisht nuk dyshova që pas kësaj Ramizin mund ta gjente ndonjë e keqe, pasi ai, nëpërmjet përkrahjes së vazhdueshme të zonjës Hoxha, ishte mësuar t’i kapërcente hendeqet pa u lagur dhe të hidhte të tjerët në flakët e zjarrit. Aty për aty ndjeva keqardhje për shkrimtarin e madh, duke kujtuar që kësaj here do përfundonte në turmën e të shpallurve armiqtë të Partisë.

Fill pas kësaj, lart e poshtë pëshpëritej gojë me gojë që arrestimi i Kadaresë ishte çështje ditësh, se ishte përgatitur madje edhe akuza. Kishte aty këtu që hamendësonin se Prokurorit të Përgjithshëm i paska shkuar porosia për lëshimin e urdhrit të arrestit etj. Për një procedurë të tillë kishte filluar të flitej edhe në kafen e aparatit të KQ. Së paku, ne që punonim në kabinetin e Hoxhës dhe kishim dëgjuar rrufetë e tij kundër Kadaresë, as që e vinim në dyshim prangosjen e tij.

Shumëkush prej nesh e përqaste fatin e shkrimtarit të shquar me atë të Kasem Trebeshinës që ishte syrgjynosur me kohë në burgjet e tmerrshme të diktaturës… Nuk e di çfarë ndodhi më vonë dhe cilat ishin arsyet e që situata mori tjetër rrjedhë e Enveri për fatin e mirë të Kadaresë u tërhoq nga mendimi ogurzi. Dilemat që përjetonim ne që ishim në brendësi të çështjes ishin nga më të ndryshmet. Përse ndërroi mendim? Çfarë e shtyu për t’u rezervuar në goditjen ndaj tij? Kush e mbrojti Kadarenë nga arrestimi? Për këto flitej shpesh ato ditë në bisedat shoqërore në kafen e aparatit të KQ. Disa thoshin se në momentin e fundit kishte ndërhyrë Nexhmija.

Ca të tjerë gjykonin në një manovër të mundshme të Ramizit. Me aq sa unë isha në koretin e gjerave, isha i bindur që Kadarenë nuk e kishte shpëtuar as njëri dhe as tjetri. Ata vërtetë shtireshin sikur e donin Kadarenë, por në fakt e urrenin, bile si asnjërin prej shkrimtarëve të tjerë. Ca më tepër, tani pas “Pashallarëve…”, që atyre u kishte djegur më shumë se gjithkujt. E vërteta është se Kadarenë e mbrojti talenti dhe emri i tij i njohur brenda dhe jashtë vendit. Atë nuk guxuan ta godisnin, për ti shpëtuar një revolte të mundshme të opinionit publik.

VIJON NESER…

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

LEXO KETU EDHE:

EKSKLUZIVE/ “Enveri shpërtheu në delir e filloi të këndojë ‘Për ty atdhe’ kur u dënua ish-ministri!”- Zbardhen kujtimet e sekretarit personal të diktatorit: Ju rrëfej çastet kur Hoxha ndiqte nga zyra gjyqin e Beqir Ballukut! (PJESA 7)

EKSKLUZIVE/ “Nexhmija është ‘kasaforta’ e KQ”- Zbardhen kujtimet e sekretarit personal të Enver Hoxhës: I zinte besë vetëm gruas! Ajo lexonte shkresat ‘tepër sekrete” edhe pse s’i takonte!  (PJESA 6)

EKSKLUZIVE/ “Enveri admironte Haxhi Qamilin, e quante prijës të luftës së klasave”- Zbardhen kujtimet e sekretarit personal të Hoxhës: Si i caktonte burimet e naftës nga zyra në KQ (PJESA 5)

EKSKLUZIVE/ “Këngët ishin si bonbone të mbushura me helm e të lyera me…”- Sekretari personal i diktatorit zbulon prapaskenat: Si nisi debati në zyrën e Enver Hoxhës për Festivalin e 11-të (PJESA 4)

EKSKLUZIVE/ “Mo e cyt ma muhabetin!”- Publikohen kujtimet e sekretarit personal të Enverit: Si i zbardhnim në letër gjestet e Hoxhës! Nga skërmitja e dhëmbëve, grushti mbi tavolinë dhe prekja e bërrylit! (PJESA 3)

EKSKLUZIVE/ “Haxhi Kroi, një Enver i dytë në Komitetin Qendror”- Zbardhen kujtimet e sekretarit personal të diktatorit: Pa qërohuni andej, ti me gjithë atë tjetrin që…Ju rrëfej veset e Hoxhës (PJESA 2)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura