EKSKLUZIVE/ Revolucioni i FSHF, gara me 12 ekipe dhe “play off”. Zbardhen opsionet e formatit të Superiores për 2024-’25

Jul 8, 2023 | 8:17
SHPËRNDAJE

Superiorja po përga titet për ndryshime të formatit të saj. Ditën e djeshme, FSHF-ja ose më konkretisht Departamenti i Garave u paraqiti në tavolinë të gjithë drejtorëve sportivë të klubeve të Superiores, propozimet për ndryshimet e mundshme të formatit të kategorisë elitare në Shqipëri.

superiore

Janë katër propozime të cilat synojnë që të bëjnë kampionatin sa më tërheqës, kështu të paktën thuhet në njoftimin e federatës, teksa nga ana tjetër “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se Superiorja nga sezoni i ardhshëm mund të bëhet me 12 ekipe.

Ndërkohë, sa i përket formatit, me këtë numër ekipesh janë katër variante që aplikohen në 10 shtete të Europës, si me tri faza apo me katër, por me ndarje në grupe pas zhvillimit të dy po tri fazave të para. Por jo vetëm kaq, pasi FSHF-ja ka hedhur në tavolinë edhe dy propozime të tjera që Superiorja të qëndrojë me 10 ekipe, por të ndryshojë formati i garës.

Më poshtë, gazeta do t’i shpjegojë të gjitha propozimet që mendohet të sjellin ndryshimet në Superiore nga sezoni i ardhshëm, ku shanset më të mëdha janë që të shohim një kampionat me 12 ekipe, ku këtë vit do të bien vetëm 2 dhe do të ngjitën 4 skuadra nga Kategoria e Parë, gjithmonë nëse këto propozime miratohen në Komitet Ekzekutiv.

KATËR EKIPET E PARA “PLAY OFF”- Ky propozim nuk lidhet me numrin e ekipeve në garë, por me formatin e saj. Konkretisht janë 5 variante, ku pas përfundimit të katër fazave, propozohet një “FINAL 4”, ku katër vendet e para do të përballen me gjysmëfinale dhe finale, me pak fjalë një “play off”.

Shembull, vendi i parë luan me vendin e katërt dhe i dyti me të tretin dhe më pas finalja. Kështu ekipi kampion do të shpallet nga “play off”-i. Të gjitha ndeshjet do të luhen në “Air Albania”.

Një tjetër variant është që ekipi kampion të shpallet nga renditja e rregullt e sezonit dhe “play off”- i të bëhet për zonën “Champions” dhe Ligën e Konferencës. Po ashtu janë edhe tri variante të tjera, të cilat janë të shpjeguara në tabelat e mëposhtme.

TURNE I RI- FSHF-ja po mendon për një turne të ri, ku në tavolinë janë shtruar tri variante, ku i pari lidhet me Superkupën. Aktualisht, fituesja e titullit kampion, përballet me fituesen e Kupës së Shqipërisë, me një takim direkt në fushë asnjanëse.

Ndërkohë tani mendohet për zgjerimin e Superkupës, ku të bëhet me dy ekipet e para të kampionatit dhe dy finalistet e Kupës. Të gjitha ndeshjet brenda një jave, në “Air Albania”.

Po ashtu variant është krijimi i një “Premiership Final 4”, ku marrin pjesë vetëm katër ekipe ose “League Cup”, ku përfshihen të gjitha skuadrat dhe do të luajnë 3-4 ndeshje shtesë për çdo ekip.

FORMATI I KAMPIONATIT- Janë dy opsione për vazhdimin e kampionatit me 10 ekipe. Ndryshimi mund të bëhet pasi luhen dy faza dhe mësohet renditja, kampionati ndahet në dy grupe, 5 të parat që luajnë për titullin kampion dhe Europën dhe Grupi i Mbijetesës që janë 5 ekipet poshtë.

Ndarja e dytë është me 4 raunde, çka ofron më shumë përballje direkt mes ekipeve. Po ashtu për të diskutuar është në momentin që bëhet ndarja, pikët do të përgjysmohen, ose do ta nisin të gjitha me zero, ose qëndrojnë ashtu siç janë.

Një tjetër opsion është që ndarja të bëhet pas zhvillimit të tri fazave dhe më pas dy raunde përballje, çka do të sillte më shumë ndeshje.

Po ashtu, qëndron edhe mundësia që pas dy raundeve, tetë ekipet e para futen te Grupi i Kampionatit, ndërsa dy të fundit u bashkohen ekipeve të Kategorisë së Parë, për të zhvilluar përballje se kush ngjitet në elitë.

SUPERIORE ME 12 EKIPE- Rritja e numrit të ekipeve mund të vijë pas dhjetë sezonesh, ku i fundit që është luajtur me 12 skuadra ka qenë 2013-2014, me tri faza që shkonin në 33 ndeshje gjithsej.

Gjithmonë para sezonit të ri, çdo vit është folur për një gjë të tillë, por asgjë nuk ka ndryshuar. Mesa duket këtë herë propozimet vijnë nga vetë Departamenti i Garave në FSHF, teksa mundësia është e madhe që ky të jetë viti i fundit i Superiores me 10 ekipe.

Nëse vendoset që të rritet numri me 2 ekipe, gjithmonë nga sezoni 2024-2025, po ashtu do të ndryshojë edhe formati i kampionatit.

OPSIONI 1 – FINAL 4

4 ekipet e renditura të parat pas përfundimit të kampionatit do të zhvillojnë një fazë “play off” të quajtur “FINAL 4” për të përcaktuar ekipin kampion. Për opsionin 1 propozohen 5 variante të ndryshme si më poshtë:

VARIANTI 1

• Ndeshje me 1 takim (2 Gjysmëfinale + Finale).

• Ndeshjet në stadiumin “Air Albania”.

• 4 Ekipet e para (Final 4) luajnë në të njëjtën javë.

• Ekipi kampion përcaktohet me anë të “play off (“Final 4”).

• Ekipet pjesëmarrëse në kompeticionet europiane do të përcaktohen me renditjen e rregullt të sezonit.

VARIANTI 2

• Ndeshje me 1 takim (2 Gjysmëfinale + Finale).

• Ndeshjet në stadiumin “Air Albania”.

• 4 Ekipet e para (Final 4) luajnë në të njëjtën javë.

• Ekipi kampion përcaktohet me anë të renditjes së rregullt të sezonit.

• Ekipi fitues i “play off” Final 4 është pjesëmarrës në raundin 1 të Champions League, ndërsa 3 ekipet e tjera janë pjesëmarrëse në Conference League.

VARIANTI 3

• Ndeshje me 1 takim (1 Gjysmëfinale + 1 Finale).

• Ekipi kampion kualifikohet direkt në finale, ndërsa vendi i dytë luan një ndeshje gjysmëfinale me vendin e tretë.

• Ndeshjet luhen në “Air Albania”.

• 4 Ekipet e para (Final 4) luajnë në të njëjtën javë. • Ekipi kampion përcaktohet përmes “play off” “Final 4”.

• Ekipet pjesëmarrëse në kompeticionet europiane përcaktohen përmes renditjes së rregullt të sezonit.

VARIANTI 4

• Ndeshje me 2 takime (2 Gjysmëfinale + Finale).

• Gjysmëfinalet në stadiumin e secilit ekip pritës.

• Finalja në Stadiumin “Air Albania”.

• Ekipi kampion përcaktohet përmes renditjes së rregullt të sezonit.

• Ekipet pjesëmarrëse në kompeticionet europiane përcaktohen përmes renditjes së rregullt të sezonit.

VARIANTI 5

• Ndeshjet do të zhvillohen sipas sistemit ROBIN (3×2=6 Ndeshje mbi 3 raunde).

• Ndeshjet do të zhvillohen në një hapësirë kohore prej 10 ditësh.

• “Play off” do të përcaktojë renditjen përfundimtare nga vendi i parë tek ai i katërt. (Gjithashtu ekipi kampion dhe kupat e Europës do të përcaktohen sipas kësaj mini-lige).

OPSIONI 2 – TURNE TE RINJ

Krijimi i një turneu të ri do të ngjallte një interes të madh të fansave dhe tek ekipet gjithashtu duke rivalizuar për trofe të rinj. Janë 3 variante për t’u konsideruar:

SUPERKUPA

• Zgjerimi i Superkupës me dy finalistët e Kupës dhe dy vendet e para në kampionat.

• Stadium neutral “Air Albania”

• Ndeshjet mund të luhen para fillimit të sezonit ose në pushimin e dimrit në mes të sezonit.

• Të gjitha ndeshjet do të luhen në të njëjtën javë.

PREMIERSHIP FINAL 4

• 4 ekipet e renditura të para marrin pjesë.

• Ndeshje me një takim (2 Gjysmëfinale + 1 Finale).

• Stadium neutral “Air Albania”.

• 4 ekipet e para (Final 4) luajnë në të njëjtën javë.

• Ekipi kampion dhe pjesëmarrësit në kompeticionet europiane përcaktohen përmes renditjes sezonit të rregullt.

• Ekipi fitues i “play off”-it titullohet “Premiership Champion”.

LEAGUE CUP

• 6 ekipet e renditura të parat kualifikohen për në çerekfinale ndërsa ekipet e renditura 7-10 luajnë një raund paraprak për t’u kualifikuar.

• Ndeshjet zhvillohen me 1 takim.

• Çerekfinalet luhen në fushën e ekipit të renditur më lart, ndërsa gjysmëfinalet në stadium neutral.

• Në total 9 ndeshje shtesë (2 gjysmëfinalet + finalja në “Air Albania”).

• Maksimumi 3 deri në 4 ndeshje shtesë për ekip.

OPSIONI 3 – SHTIMI I NUMRIT TE EKIPEVE

Rritja e numrit të ekipeve pjesëmarrëse në ligë. Në Europë janë 10 shtete të cilat përdorin 4 variante të ndryshme të ligës me 12 ekipe si më poshtë:

TRI RAUNDE Bosnjë Hercegovinë, Hungari.

NDARJA E SEZONIT (2&2) Austria, Danimarka, Sllovakia, Uellsi.

NDARJA E SEZONIT (2&1) Finlandë, Islande.

NDARJA E SEZONIT (3&1) Irlanda e Veriut, Skocia

Me 3 faza të rregullta: Bosnje Herzegovinë & Hungaria

Me ndarje në dy faza (2 & 2): Austria, Danimarka, Sllovakia & Uellsi

Me ndarje në dy faza (2 & 1): Finlandë & Islandë

Me ndarje në dy faza (3 & 1): Irlandë e Veriut & Skoci

OPSIONI 4 – NDRYSHIM I FORMATIT TE KAMPIONATIT

Ky opsion e vazhdon sistemin me 10 Ekipe.

• Fillimisht ndahet renditja në 2 raunde me sistemin robin (90 ndeshje në total).

• 5 Ekipet e renditura të parat spostohen te Grupi i Kampionatit, ndërsa 5 ekipet e tjera spostohen te Grupi i Mbijetesës.

• Ndarja e dytë është me 4 raunde të sistemit robin (80 ndeshje në total).

• Ky opsion ka më shumë përballje direkte midis ekipeve (6).

• Opsionet për ndarjen e dytë: Mban të gjitha pikët e grumbulluara, mban gjysmën e pikëve të grumbulluara ose të gjithë ekipet e nisin me 0 pikë.

NDARJA E SEZONIT (2 & 4)

• Fillimisht ndahet renditja në 3 raunde me sistemin robin (135 ndeshje në total).

• 5 ekipet e renditura të para spostohen te Grupi i Kampionatit, ndërsa 5, ekipet e tjera spostohen te Grupi i Mbijetesës.

• Ndarja e dytë është me 2 raunde të sistemit robin (20 Ndeshje në total).

• Opsionet për ndarjen e dytë: Mban të gjitha piket e grumbulluara, mban gjysmën e pikëve të grumbulluara ose të gjithë ekipet e nisin me 0 pikë.

OPSIONI 4BIS – NDRYSHIM I FORMATIT TE KAMPIONATIT

Ky opsion e vazhdon sistemin me 10 Ekipe.

• Fillimisht ndahet renditja në 2 raunde me sistemin robin (90 ndeshje në total).

• 8 Ekipet e renditura të para spostohen te Grupi i Kampionatit ndërsa 2 ekipet e fundit spostohen te Grupi Promovues.

• Opsionet për ndarjen e dytë: Mban të gjitha pikët e grumbulluara, mban gjysmën e pikëve të grumbulluara ose të gjithë ekipet e nisin me 0 pikë.

NDARJA E SEZONIT (2 & 2)

• Fillimisht ndahet renditja në 2 raunde me sistemin robin (90 ndeshje në total).

• 8 Ekipet e renditura të para spostohen te Grupi i Kampionatit ndërsa 2 ekipet e fundit spostohen te Grupi Promovues (bashkëngjiten me ekipet e nivelit të dytë).

• Ndarja e dytë është me 3 përballje direkte, dy ndeshje në shtëpi dhe një jasht ose anasjelltas (84 ndeshje në total).

• Opsionet për ndarjen e dyte janë rifillimi nga zero me avantazhin sportiv sipas renditjes së fazës së parë:

o Nr1: 2 ndeshje në shtëpi kundër të gjithë ekipeve

o Nr2: 2 ndeshje në shtëpi kundër vendeve 3,4,5,6,7,8

o Nr3: 2 ndeshje në shtëpi kundër vendeve 4,5,6,7,8

o Nr4: 2 ndeshje në shtëpi kundër vendeve 5,6,7,8

o Nr5: 2 ndeshje në shtëpi kundër vendeve 6,7,8

o Nr6: 2 ndeshje në shtëpi kundër vendeve 7 dhe 8

o Nr7: 2 ndeshje në shtëpi kundër vendit te 8

o Nr8: 2 ndeshje në transfertë kundër të gjithë ekipeve.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura