EKSKLUZIVE/ Debati i titullit të vitit 1967, Niko Xhaçka: Marrëzi kundër Tiranës, UEFA nuk e njohu Dinamon kampione

Jul 2, 2022 | 10:35
SHPËRNDAJE

PanoramaSport.al/ Niko Xhaçka ka qenë protagonist në fushë në ndeshjen e famshme 17 Nëntori-Partizani 2-1, më 24 qershor 1967, në stadiumin “Qemal Stafa”. Ish-sulmuesi i bardhebluve në vitet ‘60-‘70, në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, tregon të gjitha prapaskenat e gjashtë dekadave më parë.

Ai kundërshton idetë e Iljaz Çeços dhe Farruk Sejdinit për mënyrën si u mor ai vendim që përjashtoi nga kampionati njëkohësisht Tiranën dhe Partizanin. Xhaçka, sot 78 vjeç, është i bindur se politika bëri gjithçka për të ndalur sukseset radhazi të 17 Nëntorit të dikurshëm, ndërsa, sipas tij, fakti më kuptimplotë është që UEFA nuk e njohu Dinamon kampione, duke qenë kundër vendimit që dha vetë FSHF.

NIKO XHACKA
Ish-lojtarët e Tiranës, Niko Xhaçka (majtas), Bujar Tafaj, Arben Çela dhe Pavllo Bukoviku gjatë një ceremonie në Presidencë në vitin 2018

Zoti Xhaçka, së fundmi po debatohet për titullin e vitit 1967 nga protagonistë të kohës dhe ju jeni një prej tyre. Çfarë përshtypjeje ju kanë bërë deklaratat e ish-kolegëve së fundmi në “Panorama Sport”?

Më vjen keq për disa nga ish-kolegët e mi që kanë folur dhe e kanë trumbetuar si incident të madh, por nuk ka ndodhur absolutisht asgjë e jashtëzakonshme. Kam dëgjuar shpesh të flitet për atë periudhë, por për mua është i ezauruar si problem. 17 Nëntori-Partizani 2-1, më 24 qershor 1967, ju them me bindje se ka qenë ndër më të bukurat e atij kampionati. Nuk ka pasur asnjë arsye që të merrej ajo masë drastike, pasi 90 minutat në fushë kanë qenë më se korrekte nga të dyja palët. Thjesht ajo ka qenë masë politike dhe shumica në këtë moment nuk mund ta kuptojnë, pasi janë të paktë ata që e kanë jetuar atë periudhë.

 

 

Çfarë ndodhi më konkretisht, sipas jush?

Me sinqeritetin më të madh po ju them se unë që kam qenë në fushë protagonist, nuk e kam ndier fare atë që ndodhi në tunel pas ndeshjes, e jo më ta kenë parë ata që e kanë ndjekur ndeshjen si tifozë. Personalisht e kam marrë vesh të nesërmen e ndeshjes që janë kapur në korridoret e stadiumit. Pastaj, për një problem të vogël që ka ndodhur në dhomat e zhveshjes, është e paimagjinueshme të përjashtohen dy skuadra, në një kohë që takimi në fushë ka qenë shumë normal. Për dy të shtyra pas ndeshjes mes lojtarëve të të dyja skuadrave duhet të merret masë ekstreme?! Çfarë lidhjeje ka kjo mosmarrëveshje me ndeshjen e luajtur në fushë? Masa të tilla të jashtëzakonshme merren kur ka dhunë dhe invadim të fushës nga tifozët, që ndikojnë direkt në mbarëvajtjen e ndeshjes. Prandaj dhe unë ju them me bindje se në 17 Nëntori-Partizani nuk ka pasur asgjë.

Në krahasim me Partizanin dhe Dinamon, ju ndiheshit më të pambrojtur në aspektin politik të kohës?

Po, sigurisht, gjatë gjithë historisë sonë ne kemi qenë të pambrojtur në krahasim me Partizanin dhe Dinamon. Duhet të kuptoni diçka, që pas vitit 1945, u krijuan dy ekipe: pikërisht Partizani dhe Dinamo. Kishte arsyet e veta shteti në atë kohë për ta bërë këtë dhe ndodhi që lojtarët më të mirë i grumbulloi te Partizani dhe Dinamo. Pra, kampionati dukej si një farsë më pas. Nuk e donte politika Tiranën kampione dhe kujtoj që pasi e morëm për herë të dytë radhazi titullin, u bë një miting i madh në Durrës.

17 NENTORI DINAMO

Kampionati 1966-’67. 17 Nëntori – Dinamo 3-1

Kur mësuat për vendimin e kryesisë së FSHF-së lidhur me përjashtimin nga kampionati, çfarë diskutuat me njëri-tjetrin dhe si e pritën drejtuesit?

U befasuam, por kjo u ankimua edhe në rrugë ligjore nga klubi. Natyrisht nuk u aprovua. FSHF e asaj kohe, brenda natës, duke u gdhirë ditë e hënë, u mblodh dhe vendosi. Në kryesinë e federatës shumica e anëtarëve ishin përfaqësues të Dinamos dhe Partizanit. Ishte një skandal i paprecedentë. Mirë Tiranën, po Partizanin pse e dënuan, këtë nuk kam kuptuar kurrë?! Vendim unikal në llojin e tij për të ndërprerë suksesin e Tiranës, që ishte superiore dhe me lojtarë që mund të luanin në çdo klub europian. Natyrisht, edhe Partizani kishte lojtarë shumë të mirë në vitin 1967, ashtu si Dinamoja. Ishim aty-aty dhe rivaliteti ka qenë i madh. Edhe Shkodra, Elbasani, Vlora etj. ishin ekipe të forta. Për ne nuk ka rëndësi, sepse e dimë që e kemi fituar, por ai titull është një nder që i bëhet historikut të kampionateve, pasi e meritoi Tirana në fushë.

Pas atij përjashtimi erdhën ditë të zeza për klubet shqiptare, pasi iu mohua në vitet në vijim pjesëmarrja në Kupat e Europës. Si e kujtoni?

Të qëndrojmë te viti 1967, pasi UEFA nuk e pranoi Dinamon kampione. Vendimi që dha kryesia e FSHF-së u kundërshtua nga UEFA, duke mos pranuar Dinamon të merrte pjesë në atë sezon në Europë, ku duhet të luante me Eintraht Brashvajgun. Kjo kuptohet qartë tashmë. Ndërsa historia e Tiranës për mospjesëmarrjen në Europë në sezonin 1965-1966 ishte prej masave që mori pushteti atë periudhë ndaj ikonës së futbollit shqiptar, Skënder Halili, i cili u arrestua. Ne dolëm kampionë dhe nuk shkuam dot në Norvegji të luanim, por këtë nuk na e mohoi UEFA, po vetë federata. Nuk na lejuan të shkonim dhe duke qenë se nuk u paraqitëm, UEFA më pas dënoi klubin e Tiranës me tri edicione rresht. Dinamon nuk e pranoi UEFA dhe vendimi i FSHF-së ishte një arsye që organi më i madh europian të mos e njihte atë kampionat.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT”!

LEXO EDHE:

EKSKLUZIVE/ Besnik Dizdari: Tirana ka 28 tituj, regjimi e vodhi më 1967-ën! (E PLOTË)

EKSKLUZIVE/ Besnik Dizdari zbardh vendimin: Si ia vodhi regjimi Tiranës titullin më 1967

EKSKLUZIVE/ Besnik Dizdari: Titulli i vitit 1967, disa variante për të vendosur drejtësi (E PLOTË)

EKSKLUZIVE/ Polemikat për titullin e 1967-ës, Iljaz Çeço: Dinamos nuk ia heqin dot, Tiranën e mbështeste Komiteti i Partisë (E PLOTË)

EKSKLUZIVE/ Debati për dënimin e Tiranës në 1967, Luigj Bytyçi: Ishte skenar! Çfarë më tha Jareci pas titullit (E PLOTË)

EKSKLUZIVE/ Kampionati i vitit 1967, Bukoviku: Dënuan Tiranën dhe ia dhanë titullin thëngjijve të mbuluar të Dinamos! (E PLOTË)

EKSKLUZIVE/ Debati për titullin e vitit 1967, Karriqi: Jam i kuq, por e meritonte Tirana (E PLOTË)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura