EKSKLUZIVE/ Kampionati i vitit 1967, Bukoviku: Dënuan Tiranën dhe ia dhanë titullin thëngjijve të mbuluar të Dinamos! (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2022 | 22:33

EKSKLUZIVE/ Kampionati i vitit 1967, Bukoviku: Dënuan Tiranën dhe ia dhanë titullin thëngjijve të mbuluar të Dinamos! (E PLOTË)

“Beni i madh” i Tiranës është nofka që i kanë vënë tifozët, por emri i tij i vërtetë nuk është Arben. Në kryeqytet e njohin si Pavllo Bukoviku, paçka se në kartën e identitetit figuron Pavle Bagaviki. Ish-kapiteni legjendar i Tiranës së viteve ’60 vjen sot në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, lidhur me ndeshjen e famshme 17 Nëntori-Partizani 2-1, luajtur më 24 qershor 1967 në stadiumin “Qemal Stafa”.

Pavllo Bukoviku

 

I lindur në kryeqytet më 6 qershor 1939 (sot 83 vjeç), Bukoviku kishte prindër me origjinë nga Bullgaria (babai) dhe Maqedonia e Veriut (nëna). Ai u bë lider i Tiranës që në vitet ’50, ndërsa më pas u transferua te Partizani, ku shijoi dy titujt e parë kampionë në karrierën e tij (1959 dhe 1961). Pasi mbaroi ushtrinë u rikthye te Tirana dhe për një dekadë fitoi gjithçka (4 herë titullin kampion dhe dy herë Kupën e Shqipërisë).

Ishsulmuesi i krahut ka një memorie fantastike dhe në bisedën për gazetën, sa i përket historisë së kampionatit të vitit 1967, ku ai ishte protagonist absolut në ndeshjen 17 Nëntori-Partizani 2-1, tregon detaje të pathëna më parë. Bukoviku u përgjigjet edhe deklaratave që kanë dhënë ish-lojtarët e Dinamos, Iljaz Çeço dhe Faruk Sejdini, të cilët festuan titullin e atij sezoni, pasi kryesia e FSHF-së dënoi me përjashtim nga kampionati bardheblutë dhe të kuqtë kur mbeteshin edhe tri javë për t’u luajtur.

“HISTORIA ME TIRANËN DHE PARTIZANIN”

Bukoviku e nis rrëfimin duke bërë krahasim mes tri klubeve kryeqytetase 5-6 dekada më parë. “Unë jam ndër të fundit e atij brezi që kanë mbetur gjallë dhe që shkëlqeu në vitet ‘50-‘60. Tani nëse flasim për atë periudhë, Partizani dhe Dinamo kanë bërë historinë e futbollit shqiptar, sepse njëra ishte e ushtrisë dhe tjetra e policisë.

Partizani kishte lojtarët më të mirë në Shqipëri dhe në atë kohë kam luajtur tri kampionate, duke fituar edhe titujt kampionë të viteve 1959 dhe 1961. Si unë kanë qenë edhe Luigj Bytyçi, Fatmir Frashëri, Osman Mema etj. Ne ikëm nga të rinjtë e Tiranës dhe na morën ushtarë, duke pasur secili atë performancën e vet.

Më pas u liruam nga ushtria dhe u kthyem sërish te Tirana. Mirëpo, në vitin 1963 Partizani na merr sërish si përforcim mua dhe Bixh Bytyçin, duke shkuar në Vietnam, aty ku bëheshin Spartakiadat e Ushtrive mike me kundërshtarë nga Hungaria, Çekia, Rusia, Bullgaria etj. Dolëm në finale me rusët, por na mundën. Ka qenë një turne ku unë shkëlqeva, shënova edhe dy gola. Kur erdhëm nga Vietnami, u kthyem të luanim për Tiranën në sezonin 1963-1964.

Por, nëse flasim për kampionatin e vitit 1967 ishte ndoshta kulmi i 17 Nëntorit, pasi të gjithë lojtarët ishin rritur dhe kishin kapur formën maksimale. Me sa mbaj mend, nuk kemi pësuar asnjë humbje, por më afër në renditje kishim Dinamon, ndërsa Partizani ishte më i distancuar.

Pas fitores me Partizanin kishim edhe tri ndeshje dhe thuajse e kishim të marrë kampionatin, pasi luanim me Lushnjën, Kavajën dhe Durrësin. Ato na binin telegrame përmes tifozëve që ne të luanim me të rinjtë kundër tyre. Në fillim nuk na donin, por unë meqë kam luajtur edhe me Partizanin, i kam jetuar thuajse të gjitha gjërat e mira dhe prapaskenat.

Kudo ku luanim kishte vetëm thirrje ‘Partizan, Partizan’. Pra, thuajse 80% e çdo stadiumi që shkonim në të gjitha qytetet e Shqipërisë ishin tifozë të Partizanit. E njëjta gjë ndodhte edhe kur luanim në Tiranë. Kohët kanë ndryshuar shumë, por edhe mentaliteti. Ne ishim shumica punëtorë, ndërsa kishte edhe të tjerë që mbaruan institutin dhe iu përkushtuan shkollës”.

17 NENTORI - PARTIZANI

“SI NDODHI INCIDENTI NË TUNEL”

Por çfarë ndodhi në 17 Nëntori-Partizani 2-1 më 24 qershor 1967? Ish-sulmuesi ishte protagonist kryesor, teksa la fushën pak minuta para përfundimit të lojës. “Unë mund të them me pastërti çfarë më ka ndodhur mua në atë ndeshje. Ka qenë një kohë që sapo kishim mësuar emrin derbi, pasi nuk e dinim hiç. Në ndeshjen TiranaPartizani ishte futur shumë rivaliteti, por ama në atë kohë kishte edhe përfshirje politike.

Tifozët na vinin dhe na thoshin: ‘Aman mundni vetëm Partizanin, nuk e duam kampionatin’. Nuk u interesonte fare Dinamo. Pse e bënin këtë? Sepse të gjithë ishin punëtorë dhe ndoshta dikush kishte bërë ndonjë gjë të palejueshme dhe ishte futur në burg. Kishte përndjekje dhe politika u fut në mes. Flisje një fjalë më tepër dhe përfundoje në rajon. Në këto kushte, kujtoj që ndeshja ka qenë disi e acaruar.

Mobilizimi nga ne ishte maksimal, për vetë rëndësinë edhe të renditjes, sepse me një fitore mbyllnim historinë e titullit. Loja në fushë ka qenë shumë e rregullt. Golin e parë për Tiranën e shënova unë, ndërsa të dytin Bahri Ishka. Pasi u shënua goli i dytë, u futëm thuajse të gjithë brenda portës së Partizanit dhe po festonim. Në këtë moment, vjen Niko Xhaçka dhe nga gëzimi e gjuan edhe një herë topin drejt rrjetës.

Stadiumi ishte i tejmbushur dhe si të thuash nuk kishe ku hidhje kokrrën e mollës. Në momentin që Xhaçka shkon nga tribuna dhe kërkon të festojë me tifozët, e ndjek nga mbrapa Lin Shllaku. Më vjen dhe zor ta them tani, pasi e kisha shumë shok, kemi qenë edhe në ushtri bashkë. Me Linin kam pasur një raport special. Për t’u kthyer te rasti, e ndjek Nikon dhe kërkon ta rrëzojë duke tentuar me shkelm. Në këtë moment ndërhyj unë dhe i them: ‘Lëre Lin, lëre’. Por, si duket, nuk më pa tamam dhe zgjat dorën, duke më goditur në fytyrë. ‘Po ti çfarë do?’, m’u drejtua Lini. Unë u trondita, pasi ai ishte edhe tip i qetë, jo konfliktual. Në sekondë vjen arbitri Fidai Pupa nga Korça, duke na pyetur çfarë ndodhi mes meje dhe Linit. I tregova realitetin dhe ndërkohë arbitri na tha që të dilnim të dy jashtë.

Kartonë të kuq nuk kishte, por arbitri kishte të drejtën të ta komunikonte verbalisht. Ishin 7-8 minutat e fundit të lojës, kur ndeshja ishte 2-1. Unë u mërzita shumë dhe nuk pranoja të dilja, duke i thënë se s’kisha asnjë faj. Arbitri më thotë: ‘O Ben, aman se gjendja është shumë e acaruar’. Ai kishte hallin e tifozëve, por në fushë ishim të qetë, sepse policia ishte prezente. Gjithsesi, dolëm nga fusha për të shkuar në tunel dhe për pak minuta mbaroi loja. Te korridori që të çon në dhomat e zhveshjes, futemi për të festuar dhe aty përqafohem i pari me Osman Memën.

Mbrapa nesh dëgjojmë taka lojtarësh që kërcisnin. Aty ishte edhe trajneri i Partizanit, Refik Resmja, idhulli im, që i pastroja edhe këpucët. Në këtë kohë vjen edhe një lojtar i stolit të Partizanit nga Kavaja, Dizdari, ndërsa ishte edhe Edmond Dedja, i cili tha: ‘Na u bë edhe ky si qen tërbaçi’. Osman Mema bëri një hap mbrapa dhe goditi me shkelm Dizdarin. Dëshmitar i ngjarjes ka qenë edhe doktori i Partizanit, Ali Kastrati. Pas kaosit të krijuar, na mori turma nga gëzimi dhe na erdhi një e shtyrë e fuqishme nga pas, që na çoi direkt në dhomat e zhveshjes. Shyqyr, dera ishte e hapur, pasi ka qenë me gozhdë dhe rrezikonim. Atëherë do të ishte skandal i madh”.

“ÇFARË NA THA SHEFI I POLICISË”

Ish-kapiteni i 17 Nëntorit në ndeshjen e famshme tregon edhe momentin kur mbërriti numri një i policisë së kryeqytetit në dhomat e zhveshjes. “Pasi u krijua zhurma në korridorin që të çon te dhomat e zhveshjes së ekipeve, vjen shefi i policisë së asaj kohe, Qemal Balluku, i cili ishte vëllai i Beqir Ballukut. ‘Çfarë ka? Çfarë bëhet këtu?’, pyeti Qemali, ndërsa sherri u shuajt sikur një uji të nxehtë iu hodh pak uji i ftohtë dhe aty mbaroi gjithçka.

Në pesë minuta, maksimumi dhjetë, u shua çdo zhurmë. Prania e shefit të policisë mbylli çdo shteg për të vijuar konfliktin. Në fushë e theksoj që nuk kishte absolutisht asgjë. U luajt futboll normal dhe pa ndonjë problem. Veprimi i vetëm që u mor masë disiplinore ishte që unë dhe Lin Shllaku dolëm jashtë të ndëshkuar nga arbitri. Ia fusin kot Iljaz Çeço dhe Sejdini që thonë se ka pasur sherr në fushë, madje edhe mes tifozëve. Ku kishte shans të ziheshin tifozët në stadium në atë kohë! Edhe ndonjë tifoz që bërtiste, mjaftonte një shikim i Qemalit nga tribunat dhe të gjithë sus.

Nuk e imagjinon dot se çfarë regjimi kishte! Pasi lashë futbollin, unë kam qenë vetë arbitër gati 16 vjet. Në rregullore të brendshme ishte që arbitri nëse kishte qoftë edhe sherrin më të vogël mes tifozëve, thirrte kapitenët e skuadrës dhe policia për 5 minuta zbrazte gjithë sektorin. Ku kishe shanse të dilje kundër policisë”, rrëfen 83-vjeçari që ka luajtur edhe me Kombëtaren.

vendimi logo

“DËNIMI DHE ËNDRRA PËR TË DALË JASHTË”

Të fitoje kampionatin ishte si një ëndërr në atë kohë, sepse të krijohej mundësia të luaje në Kupat e Europës dhe të dilje jashtë Shqipërisë. Bukoviku tregon si e përjetuan dënimin në atë kohë dhe pse, sipas tij, vendimi ishte totalisht absurd.

“Pa u gëzuar mirë nga fitorja me Partizanin, marrim vesh të nesërmen se jemi përjashtuar. Ne kemi qenë në rregull me veten, sepse nuk u bë ndonjë veprim që ndikonte në mbarëvajtjen e ndeshjes. Mund të dënoheshin individët, por jo dy ekipe.

Cili ishte faji i Tiranës apo edhe i Partizanit që i dënuan të dyja?! Nuk mund të ndëshkosh gjithë qytetin për një sherr banal. Sigurisht që ai vendim për të na përjashtuar ishte politik dhe i turpshëm.

Ku të ankoheshe? Ishte koha e tillë, nuk mund të bënim asgjë. U mërzitëm sa nuk ka ku të shkojë, por çfarë të bënim! Partizani nuk kishte shpresa për kampionat.

Ne mezi prisnim të dilnim kampionë, sepse luanim në Kupat e Europës dhe dalja jashtë Shqipërisë ishte si eveniment. Ishte e vetmja mënyrë për të blerë triko, çorape dhe një palë brekë. Na jepnin nga 5 deri 10 dollarë. Unë kam shkuar më shpesh, se kam qenë edhe me Partizanin. Për t’u kthyer te dënimi, edhe sot e kësaj dite ta shikosh, duket shumë absurd.

Nuk mund ta imagjinoj dot që të dënohen të gjithë për një sherr në dhomat e zhveshjes. Si mund të bëhet nul ndeshja që përfundoi normalisht?! Pse nuk vendosën humbje në tavolinë dhe të vazhdonim kampionatin, pasi do të ishte më e ndershme kështu, duke qenë se mbeteshin edhe tri javë.

Faruku në deklaratën e tij thoshte se nuk u bë për të favorizuar Dinamon, por kush ishte i treti që përfitoi në këtë histori?! Ishte pikërisht Dinamo, që i leverdiste, sepse ishte më afër nesh me pikë. Partizani ishte komplet jashtë loje në këtë histori, pasi ishte mbrapa. Me këtë vendim ata menduan se mund t’i mbyllnin gojën Tiranës duke qenë se dënuan edhe Partizanin.

Mirëpo, si ta shpjegoj që një muaj pasi u mor dënimi për këtë histori, i dorëzuan Partizanit trofeun e Kupës Ballkanike. Nëse vërtet ata mund ta kishin seriozisht, do të na çonin në Kategori të Dytë. Këtë nuk e bënin dot si ishim të gjithë klasë punëtore dhe mbi të gjitha në mes ishte Partizani”, thekson Bukoviku.

“BATUTA TE 15-KATËSHI E LIN SHLLAKUT”

Shpulla e Lin Shllakut për Bukovikun u rikthye disa dekada më pas, por këtë herë në formë humori. “Ishim te 15-katëshi dhe po bënim homazhet e Panajot Panos.

Në këtë kohë vjen Lin Shllaku dhe si duket, në atë periudhë, i kishte kujtuar ndonjëri historinë e ndeshjes së vitit 1967 dhe më godet me shaka në fytyrë… ‘Edhe këtu e bëre…’, i them unë. Ishte një mik special imi, pasi në atë kohë çdo gjë që ndodhte në fushë, mbetej aty, nuk kishim fare qejfmbetje. Kam qenë në një moshë me të dhe më vjen keq që shumica e shokëve tashmë nuk jeton më. Vetëm unë, Niko Xhaçka, Luigj Bytyçi dhe Arben Çela jetojmë nga ai brez”.

Collage Maker-28-Jun-2022-09.28-AM

TIRANA E KRIJOI PARTIZANIN, INAT KISHTE DINAMON”

Rivaliteti Tirana-Partizani, akuzat për favorizimin e të kuqve nga pushteti, por jo vetëm këto. Bukoviku ka mendimin e tij unik edhe për këtë temë. “Tirana e ka krijuar Partizanin. Në vitin 1946 pas mbarimit të Ballkaniadës nisi të themelohej Partizani. Pasi u krijua nuk kishte asnjë lojtar dhe ia mori të gjithë Tiranës, duke filluar nga Besim Fagu, Refik Resmja, Gani Merja etj. Pra, Partizani ia ka marrë gjithmonë lojtarët Tiranës.

Në këtë histori duhet të ndajmë dy gjëra: së pari nuk duhet ta shikojmë çështjen politikisht dhe, së dyti, nuk duhet të flasim si tifozë, por realitetin. Unë di që kur ishe lojtar i Tiranës dhe luaje në rrethe, kishim shumë probleme. Kjo nuk më ndodhte mua kur isha pjesë e Partizanit. Pushteti i asaj kohe e ka mbështetur më shumë Partizanin, por edhe këtu ka diçka, pasi nuk është se i bënte dëm Tiranës.

Madje, Petrit Dumja që ishte shef i shtabit, një burrë zotni shpesh na thoshte: ‘Luftoni si ekipi i Tiranës’. Respekti ishte, por koha tregoi që Partizani mblidhte lojtarët më të mirë dhe për këtë Petrit Dumja insistonte shumë. Mirëpo, duhet të themi edhe këtë, që nuk na ka çuar njeri me zor te Partizani.

Ishim ushtarë, e mbaruam dhe u kthyem prapë te Tirana. Nëse donin të të mbanin te Partizani, kishte shumë mënyra. Troç fare të vinte rroga në shtëpi, në një kohë që mund të mos punoje fare. Pra, atë që donte të merrte Partizani si futbollist, nëse e piketonte, e merrte me 100%. Tirana e donte Partizanin, flas për ata që ishin njerëz të mirë në këtë klub, ndërsa Dinamon nuk e donte. Për një llaf goje të fusnin brenda nëse kishe punë me dinamovitët. Ka plot historira…”, kujton ish-lojtari.

“KUR PETRIT DUMJA NA KËRKONTE DY GOLA NDAJ BLUVE”

Bukoviku rrëfen edhe takimet me shefin e shtabit të asaj kohe, Petrit Dume, që ishte tifoz i thekur i të kuqve. “Në vitin 1961 kur kam qenë te Partizani, pasi fituam kampionatin, inati te Dinamoja ishte i madh. Sa herë luanim kundër Dinamos, Petrit Dumja jepte urdhër që autobusi nuk duhej të nisej drejt stadiumit pa ardhur ai në klub. Më kujtohet një ndeshje e vitit 1961 kur ishim në kompleksin ‘Partizani’, erdhi Petriti dhe mbajti pesë minuta fjalim:

‘Sot dua patjetër dy gola ndaj Dinamos’. Në atë takim fituam 3-1, ndërsa pas ndeshjes na tha: ‘Si nuk ju thashë t’i bënit katër…’. Gjithsesi, ne kemi qenë një brez jo si kohët e sotme, që i ka prishur leku. Ne sërish ruanim miqësinë jashtë fushe, me këdo, sido që të ishte rivaliteti mes ekipeve. Partizani e mundte gjithmonë edhe Tiranën, por kishte një 3-4- vjeçar që ne bëmë diçka të bukur, por sigurimsat i kishim nëpër këmbë sërish. Mezi prisnim të dilnim jashtë shtetit, por na pengonin shumë”.

“MË BËNË FASHIST DHE NUK SHKOVA DOT NË TURQI”

Në fund Bukoviku rikthen në kujtesë pengun që ka për ndeshjen e kthimit mes Fenerbahçes dhe Partizanit në vitin 1961, ku ai nuk mundi të udhëtonte drejt Turqisë. Ish-sulmuesi lëshon kunja për taktikat që përdornin dinamovitët në atë periudhë. “Edhe te Partizani nuk e donin Dinamon, pasi ishin si thëngjij të mbuluar.

Një fjalë të thoshje, e kishe pisk. Si sot e mbaj mend, ka qenë Bardh Deliallisi, Robert Jashari dhe unë. Do të luanim për herë të parë me Fenerbahçen në Tiranë dhe dolëm 0-0. Që kur na kishte pushtuar turku, kjo ishte hera e parë që një ekip i tyre vinte luante në Shqipëri dhe ne morëm barazim si pjesë e Partizanit. Një rezultat i madh për kohën.

Në ndeshjen e kthimit mezi prisnim të shkonim në Turqi. Jasharin nuk e lanë me justifikimin se e ëma e tij kishte origjinë italiane, ndërsa mua më kishin bërë fashist dhe sikur kisha njerëz të arratisur jashtë shtetit. Ndërkohë, Bardh Deliallisin nuk e morën se kishte çuar një letër kundër tij një tifoz i Dinamos. Sa të verifikohej ajo letra, mbeti në Tiranë Bardhi. Te Partizani ishte më ndryshe, ndërsa Dinamo kishte gomën dhe të shuante biografinë bukur.

Partizani nuk ka mbajtur njeri me zor, por kanë qëndruar me shumë dëshirë aty se kishin benefite. Ti mund të ishe kapter karriere dhe emri të figuronte në Gjirokastër, por rroga të vinte me postë në shtëpi në Tiranë. Unë kam qenë saldator dhe kam punuar me turne. Kemi vuajtur shumë, kemi qenë 5 fëmijë. Për të marrë një rrogë hyje në punë edhe 13 vjeç atë kohë.

Kam luajtur vetëm 6 ndeshje zyrtare me Kombëtaren, por regjimi i asaj kohe dhe spiunimet më kanë mohuar edhe të paktën 20 të tjera. Kam shumë rezerva edhe për trajnerët, duke filluar nga Loro Boriçi, që e donte shumë Beqir Balluku. Për mua trajneri që u jepte hakun të gjithëve ka qenë Rexhep Spahiu”, përfundon Pavllo Bukoviku (Pavle Bagaviki).

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

EKSKLUZIVE/ Besnik Dizdari: Tirana ka 28 tituj, regjimi e vodhi më 1967-ën! (E PLOTË)

EKSKLUZIVE/ Besnik Dizdari zbardh vendimin: Si ia vodhi regjimi Tiranës titullin më 1967

EKSKLUZIVE/ Besnik Dizdari: Titulli i vitit 1967, disa variante për të vendosur drejtësi (E PLOTË)

EKSKLUZIVE/ Polemikat për titullin e 1967-ës, Iljaz Çeço: Dinamos nuk ia heqin dot, Tiranën e mbështeste Komiteti i Partisë (E PLOTË)

EKSKLUZIVE/ Debati për dënimin e Tiranës në 1967, Luigj Bytyçi: Ishte skenar! Çfarë më tha Jareci pas titullit (E PLOTË)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"