EKSKLUZIVE/ Polemikat për titullin e 1967-ës, Iljaz Çeço: Dinamos nuk ia heqin dot, Tiranën e mbështeste Komiteti i Partisë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2022 | 23:48

EKSKLUZIVE/ Polemikat për titullin e 1967-ës, Iljaz Çeço: Dinamos nuk ia heqin dot, Tiranën e mbështeste Komiteti i Partisë (E PLOTË)

Tri botimet e fundit në “Panorama Sport” të gazetarit Besnik Dizdari rreth ngjarjes së bujshme në qershor të vitit 1967, ku u dënuan 17 Nëntori dhe Partizani, nuk mund të kalonin pa reagimet e atyre futbollistëve që i kanë përjetuar ato kohë.

ILJAZ CECO

Një ndër ta është edhe Iljaz Çeço, ishkapiteni legjendar i Dinamos së asaj epoke, që fitoi titullin kur bardheblutë dhe të kuqtë u dënuan. Në një intervistë ekskluzive për gazetën, ai ka një tjetër qëndrim për ngjarjen dhe nuk bie dakord me Dizdarin se Tirana u dënua enkas për t’i hequr titullin dhe se nga kjo padrejtësi përfitoi Dinamo.

Çeço thotë se gjërat duhet të vlerësohen për kohën dhe rrethanat kur kanë ndodhur, duke i mëshuar faktit se trazirat që u shkaktuan nuk mund të faleshin në atë sistem.

“ISHTE SI LUFTË, NUK TOLEROHEJ”

Iljaz Çeço, sot 75 vjeç, nis rrëfimin e tij duke kujtuar ndeshjen e famshme të 24 qershorit 1967, ku ka qenë prezent në stadium. Ish-lojtari tregon detaje të sherrit në fushë dhe tribuna, ndërsa është i bindur se në këtë histori nuk ka lidhje fare Dinamo në prapaskenë.

“Tirana dhe Partizani u dënuan, sepse patën faj të dyja, por në këtë histori nuk mund t’ia heqësh titullin Dinamos. Unë e mbaj mend shumë mirë çfarë ka ndodhur, pasi kam qenë vetë në stadium. Duhet të biem dakord për diçka, pasi kanë kaluar shumë vite, por në atë periudhë ajo që ndodhi në 17 Nëntori-Partizani, nuk mund të tolerohej nga Komiteti i Partisë dhe gjithashtu FSHF.

Kjo u nis që nga Komiteti Qendror, pasi ngjarje të tilla quheshin shumë të rënda për kohën, pasi nuk guxonte njeri t’i bënte. Përleshja mes lojtarëve nuk është se erdhi papritur, pasi gjithmonë Tirana-Partizani ka qenë një ndeshje luftarake dhe shpërthimin e dha pikërisht atë 24 qershor të vitit 1967. Në mos gaboj, fillimisht ka shënuar Partizani dhe më pas Tirana e ka përmbysur.

Dinamo ishte dy pikë mbrapa Tiranës që kryesonte, përpara se ata të luanin me Partizanin. Në këtë mes nuk kishte punë Dinamo, pasi ne luanim një ndeshje të fortë në Shkodër dhe barazuam.

Interesi ishte mes dy ekipeve rivale, si Tirana dhe Partizani, ku pritej çdo rezultat. Dy tifozëritë kanë qenë të acaruara dhe kishte të dhëna që do të ishte një ndeshje me probleme, pasi sigurisht kishte rëndësi të madhe edhe për vazhdimësinë e Tiranës.

Çdo gjë u agravua në fushë, por ama pati skena që nuk ishin parë, sepse përleshjet nuk munguan as mes tifozëve. Kjo situatë i doli nga kontrolli edhe vetë policisë dhe ishte diçka e pabesueshme për kohën.

Ishte si luftë dhe kujtoj që në atë ndeshje ishin vendosur edhe disa shkallë druri për tifozët dhe në një moment kërciti, duke krijuar një kaos të madh. Qetësia dhe vazhdimi normal i asaj ndeshjeje morën shumë kohë, duke krijuar një ngjarje të paprecedentë për kohën që jetonim. Në atë periudhë edhe ana politike ishte shumë e nxehtë. Lufta kundër shfaqjeve të huaja dhe fletërrufetë sapo kishin filluar.

Kjo u cilësua një nga ngjarjet më të rënda për kohën. Kush guxonte të bënte skena të tilla atë periudhë, prandaj dhe u mor ai vendim, sepse nuk mund të krijoheshin lehtësira për vetë situatën ku ndodhej vendi.

Më duhet të kujtoj se situata ka qenë shumë e acaruar që para ndeshjes, me gjithë masat e marra nga policia. Shef i policisë në atë periudhë ka qenë Qemal Balluku, vëllai i Beqir Ballukut.

Madje, në atë ndeshje vinte rreth e rrotull stadiumit dhe sapo shikonte ndonjë tifoz që bënte gjeste jonormale, urdhëronte forcat e rendit dhe e nxirrnin jashtë. Acarimi nuk ka qenë vetëm në fushë mes lojtarëve, por agravoi edhe në shkallët e stadiumit. Shkelmat i nisën në fakt lojtarët e Tiranës”, tregon fillimisht Çeço.

“JA PSE LINDI ACARIMI MES DY KLUBEVE”

Ish-mesfushori dinamovit jep një arsye të fortë që, sipas tij, dy klubet e kryeqytetit kanë krijuar një rivalitet të përjetshëm dhe ndeshja mes tyre është më tepër çështje inati.

“E gjithë revolta e brendshme e Tiranës ka qenë për faktin se Partizani u merrte atyre shumë lojtarë si ushtarë. Këto shkëndija nisën që në kohën e Panajot Panos dhe Luigj Bytyçit, të cilët kaluan te Partizani. Me shumë vendosmëri dhe marrëveshje në atë periudhë, Pano nuk u kthye më te Tirana dhe mbeti i kuq.

Madje, në atë kohë në lojë për të shkuar te Partizani ishte edhe i ndjeri Skënder Halili, por ai si ushtar erdhi te Dinamoja. Tirana nuk bëri zë, pasi kishte më shumë interes për Panon.

Në vitet 1961-1962 mbaj mend që Partizani i mori 5 lojtarë Tiranës, ndërsa edhe Ali Mema shkoi në Shkodër si ushtar dhe luajti me Vllazninë. E njëjta gjë ndodhi edhe me Fatmir Frashërin, që luajti me Partizanin, pa harruar këtu Bujar Kasmin, që e dërguan në Skrapar.

Të gjitha këto lëvizje ndezën një rivalitet të madh dhe TiranaPartizani u bë më tepër një ndeshje inatçore, sesa kush do të fitonte. Por, koha tregoi se gjithmonë Partizani e ka mundur Tiranën”, thekson ish-lojtari.

“VENDIM I DREJTË, U DISKUTUA EDHE ZBRITJA”

Por si e komenton Çeço vendimin e kryesisë së FSHFsë, që bëri të pavlefshme ndeshjen 17 Nëntori-Partizani 2-1 dhe përjashtoi të dyja skuadrat tri javë para mbylljes së kampionatit. Ish-lojtari zbulon se u diskutua edhe zbritja nga elita e kryeqytetasve.

“Nuk ka qenë çështje që të jepej ky vendim në mënyrë që kampionatin ta merrte Dinamo. Ju garantoj se klubi ynë nuk ka pasur lidhje fare me këto histori në atë periudhë.

Të flas me sinqeritet, Ministria e Brendshme në atë periudhë nuk ndërhynte fare në situata të tilla. Po, ndonjëherë ministria kur kishte ndonjë arbitër që na kishin inat dhe nuk kishte mbajtur një gjykim korrekt, i paralajmëronte që të na mbanin drejt.

Ne ishim si një i tretë që përfituam nga dënimi i Tiranës dhe Partizanin, por nuk mund të na mohohet ai titull. E ritheksoj që u bë një ngjarje e madhe dhe na mblodhën të gjithëve, duke e konsideruar si shfaqje të huaj.

Po të ndodhte ky rast në Gjermani, nuk do të ishte marrë vendim i tillë?! Tirana dhe Partizani u përjashtuan dhe ndeshja u konsiderua e pavlefshme. Ky ishte një vendim normal dhe nuk mund të themi tani që u bë e qëllimshme për Tiranën.

Ka qenë një periudhë shumë e vështirë, pasi gjeste të tilla nuk toleroheshin kurrë. Jam kundër interpretimit që i bën zoti Dizdari në shkrimin e tij, pasi duket sikur është diçka anti-Dinamo. Ishte një kohë kur vendimi ishte partiak.

Për incidentet në 17 Nëntori-Partizani u mblodh edhe Komiteti i Partisë, madje kujtoj që u diskutua edhe përjashtimi i skuadrave, duke i zbritur një kategori më poshtë. Por, nisur edhe nga fakti që bëhej fjalë për klube të mëdha dhe me mbështetje popullore, veçanërisht të Partizanit, u kalua me këtë dënim, pasi mund të ishte edhe më i rëndë.

Të flasim drejt, në atë kohë kishim të bënim me një vend si Shqipëria që dilte kundër social-imperializmit. E sigurt është që përjashtimi i ekipeve nuk u bë për të favorizuar Dinamon.

Nëse na ndodhte edhe neve, sigurisht që i njëjti vendim do të ishte, sepse ashtu ishte ligji. Në atë kohë unë mbaj mend që u bë e madhe edhe për faktin se shkruan mediat e huaja.

Di që gazetat ndërkombëtare e kanë vlerësuar vendimin. Ka qenë një kampionat me 12 klube që përfaqësonin në mënyrën më të mirë futbollin shqiptar, që sot i ka humbur totalisht tradita. Në një garë ku dy klube përjashtohen, nuk është faji i Dinamos që del e para.

Nuk ka asnjë kuptim që në këtë moment t’i kthehemi një historie, kur është marrë vendim në bazë të rregullave që ka pasur ajo kohë. Kjo është e gjitha. Kjo çështje u diskutua shumë.

Ku e dinte Dinamo që do të ziheshin te Tirana-Partizani dhe do të përfitonte?! Ne nuk fituam as në Shkodër ndeshjen e radhës. Ka qenë kampionat me shumë rivalitet. Çfarë faji kishte Dinamo? Historia nuk mund të rishikohet dhe të ecet me rregullat e tanishme, ajo lihet ashtu siç është vepruar për kohën.

Pse duhet të lihej kampionati nul?! Shumë prej atyre që flasin pas 55 vitesh kanë qenë në pozicione të larta në atë periudhë, por nuk e hapën gojën kur duhej, sepse e dinin shumë mirë që nuk mund të ankoheshin për një prej ngjarjeve që u cilësua si më e rënda”.

“RIVALITETI, NDËRHYRJET DHE FAVORIZIMET”

Duke kujtuar kampionatin e vitit 1967, Çeço tregon edhe për rivalitetin mes klubeve kryeqytetase dhe akuzat për favorizim të Dinamos dhe Partizanit në atë periudhë.

“Kalendari i Tiranës ka qenë më i mirë në letër, por nëse humbte me Partizanin dhe ne fitonim, atëherë dilte Dinamo e para. Më pas ne luanim direkt ndaj Partizanit. Unë sapo kisha ardhur te Dinamoja dhe konsiderohesha si talent për kohën. Fitova titullin e parë kampion, duke dalë edhe futbollisti më i mirë i atij viti bashkë me Panon. Ne atë kampionat mund ta fitonim titullin edhe pa u dënuar Tirana.

Megjithatë, ajo që nuk mohohet është fakti se ka qenë një periudhë e mirë e Tiranës me Frashërin, Memën, Kazanxhiun, Xhaçkën, Hykën etj. Shumica e formacionit të Tiranës që luajtën kundër Partizanit, ishin pjesë e të kuqve më parë, por mbaruan ushtrinë dhe u kthyen te Tirana.

Ky grup lojtarësh që erdhën nga Partizani te Tirana i dhanë ekipit impuls të madh në ato vite. Në atë kohë Ali Mema luajti në Shkodër dhe e mbajtën në pëllëmbë të dorës. Madje me humor thoshte: ‘Jam më mirë se në Tiranë’.

Dua të them diçka që ishte realiteti i kohës sonë. Potencën e futbollit e ka pasur Partizani, që nga Komiteti Qendror dhe jo Dinamo. Ne ishim një klub i qetë dhe mbas Dinamos vinte Tirana.

Partizani kishte ministrinë dhe Petrit Dumen, por mbi të gjitha shumë tifozë në Komitetin Qendror. Dinamo ishte një klub i qetë dhe nuk insistonte për të marrë lojtarë në skuadrat e tjera si ushtar. Kanë ardhur futbollistë në atë kohë si Hushi, Saraçi, Stringa, Taushani etj., por kurrë Dinamo nuk ka imponuar gjëra të tilla.

Ne merrnim lojtarë që nuk i prishnin punë Partizanit. Unë dhe Mehdi Zhega erdhëm te Dinamoja, sepse mbi të gjitha donim të shkolloheshim. Zhega vazhdoi mercologjinë. Pra, Dinamo ka pasur intelektualë në përbërje dhe merita e klubit ishte që i shkollonte.

Tirana ka qenë gjithmonë në luftë me Partizanin. Kur ka luajtur Tirana me Ajaksin në 2-2 e famshëm, më morën mua si përforcim bashkë me Zhegën. Luajtëm shumë mirë, madje asistin e golit ia kam dhënë unë Zhegës. Trajner ka qenë Myslym Alla, i cili mbahej për batuta. Fatmir Frashëri i thotë: ‘Këta të Dinamos janë çuna të mirë dhe shkojmë shumë’.

Ndërsa Alla ia kthente: ‘Ne e kemi të shkruar në ballë që jemi kundërshtarë të përjetshëm të Partizanit, ndërsa Dinamo është si të derdhësh ujin nga mali i Dajtit dhe të të laget prapanica te 15-katëshi’.

Mendo se çfarë mentaliteti ka qenë te Tirana që në vitet ‘70. Kujtoj shpesh duelet e Gëzim Kasmit si mbrojtës i majtë dhe Panajot Panos si sulmues. Lym Alla ka marrë një mace dhe e ka fluturuar, ndërsa më pas i është drejtuar Kasmit me humor: ‘Kape urgjent, ja ku e ke Panon”, rrëfen 75-vjeçari.

“TIRANA VAREJ NGA KOMITETI I PARTISË”

Çeço e mbyll me një krahasim për mbështetjen që kishin tri ekipet kryeqytetase në atë kohë nga udhëheqja, ndërsa është totalisht kundër asaj që pretendojnë te Tirana se Partia nuk i ka trajtuar si Dinamon dhe Partizanin.

“Kam dëgjuar shpesh të viktimizohen nga Tirana për atë periudhë dhe nuk më vjen mirë. Ca gjëra duhen thënë. Tirana varej nga Komiteti i Partisë, që kujdesej enkas për klubin. Me urdhër të këtij komiteti, asnjë nga punonjësit e klubit të Tiranës nuk angazhoheshin në punë, siç bënin të tjerët nga 5 orë në ditë.

Ata kërkonin shtëpi dhe e merrnin, ndërsa kishin të sigurt punësimin si mësues fizkulture. I kishin të gjitha çfarë kërkonin. Kanë pasur një përgjegjës të sporteve në bashki që i administronte dhe ishin më të privilegjuarit në të gjitha aspektet.

Ndërsa unë te Dinamoja kisha probleme. Isha në gjimnaz dhe synimi ishte që të mbaronim shkollën dhe të zinim ndonjë punë. Tirana i kishte të gjitha gjërat të sigurta, por në ndryshim nga Partizani, ata nuk kishin tifozë të thekur në nivelet më të larta.

Pra, nuk kishin tifozë veprues, që të ishin shumë të dhënë pas ekipit, siç i kishte Partizani. Nuk e kishin vullnetin tifozët e Tiranës për të bërë një ekip model, në një kohë që kishin të gjitha ndërmarrjet në kryeqytet në varësi të tyre.

Pse nuk mund të bënin një klub si Partizani me aq mundësi sa kishin?! Por nuk kishin tifozë…

Pastaj ndryshimi ishte se Partizani kishte tifozë fanatikë në nivelet më të larta, si Kadri Hazbiu, Qazim Kondi, Llambi Peçini, Feçor Shehu, Rexhep Kolli etj. Erdhi Hekuran Isai më pas dhe bënë kompleksin. Në vitet ‘50-‘60 dominimi i Dinamos dhe Partizanit ishte total.

Historia e titujve ka ndryshuar vetëm pas viteve ‘90. Nëse marrim të mirëqenë teoritë e Tiranës, atëherë i bie që në vitet ‘70, kur Dinamo mori katër kampionate, urdhri i Partisë që ne të mos merrnin pjesë në arenën ndërkombëtare, duhej të zhbëhej.

Si ta marrim këtë? Gjithë ai brez i Dinamos dhe ekipit kombëtar u dogj. Kemi barazuar 1-1 me Dinamon e Zagrebit, që kishte 7 lojtarë të Kombëtares kroate.

Kemi pasur talente, por unë nuk mund të them sot që Partia në atë periudhë na favorizoi. Ja ky është një shembull që na dënoi si brez. Dolëm kampionë dhe nuk luajtëm dot në Kupën e Kampioneve me Eintraht Braushvajgun.

Sigurisht më duhet të pranoj se edhe ministria kujdesej shumë për Dinamon, pasi ishin dashamirës me klubin.

Por, më pas stadiumin që sot quhet ‘Selman Stërmasi’ e mori Tirana, edhe pse me vendim gjyqësor është i Dinamos, pra i Ministrisë së Brendshme.

E mori në varësi bashkia dhe ia dha klubit të Tiranës në përdorim. Bashkia duhet t’i trajtojë njëlloj të tria ekipet e kryeqytetit. Pse duhet të favorizojë Tiranën me terrene?! Dinamo nuk ka një shtëpi edhe sot që flasim. Edhe atë që kishte ia mori FSHF-ja. Nuk mund të shikohet me syrin e njerkës Dinamo dhe Partizani”.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

EKSKLUZIVE/ Besnik Dizdari: Tirana ka 28 tituj, regjimi e vodhi më 1967-ën! (E PLOTË)

EKSKLUZIVE/ Besnik Dizdari zbardh vendimin: Si ia vodhi regjimi Tiranës titullin më 1967

EKSKLUZIVE/ Besnik Dizdari: Titulli i vitit 1967, disa variante për të vendosur drejtësi (E PLOTË)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"