KUJTIMET E GAZETARIT…/ Partizani “SHQIPTAR” 1971, triumfuesi i një Kampionati që nuk e keni sot

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2024 | 21:06

KUJTIMET E GAZETARIT…/ Partizani “SHQIPTAR” 1971, triumfuesi i një Kampionati që nuk e keni sot

NGA BESNIK DIZDARI
1. PARTIZANI “SHQIPTAR” 1971
I them “SHQIPTAR”, madje me kapitale, ngaqë këto ditë mësova se skuadrat shqiptare do t’u përbëkan me më pak futbollistë shqiptarë se kurrënjiherë. Do t’u shndërrokërkan në skuadra të të huajve. “Paçi faqen e zezë”, siç mallkonin me “dashamirësi” metaforikisht dikur shqiptarët. Dhe u trondita kur pashë se në javën 6 të këtij Kampionati 2024-2025, të 10 skuadrat shqiptare aktivizuan bukur 53 lojtarë të huaj! Dashkan më!

PARTIZANI - KAMPION I SHQIPËRISË 1971. Lart nga e majta: Suvorov SEFERI, Bujar CANI, Lin SHLLAKU, trajneri Loro BORIÇI, Safet BERISHA, Perlat ÇAKO. Ulur nga e majta: Astrit ZIU, Vladimir BALLUKU, Gjergji THAKA, Agim JANKU, Sabah BIZI, Panajot PANO

PARTIZANI – KAMPION I SHQIPËRISË 1971. Lart nga e majta: Suvorov SEFERI, Bujar CANI, Lin SHLLAKU, trajneri Loro BORIÇI, Safet BERISHA, Perlat ÇAKO. Ulur nga e majta: Astrit ZIU, Vladimir BALLUKU, Gjergji THAKA, Agim JANKU, Sabah BIZI, Panajot PANO

Dhe më tha mendja të kujtoj Kampionatin e Shqipërisë 1970-1971 për të cilin jam në gjendje të argumentoj se ka qenë tejet më cilësor dhe më i bukur se ky i sotmi i vitit 2024 të Shekullit XXI.

Po ia nis duke kujtuar se ky Partizan “SHQIPTAR” i 54 vjetëve, i cili sapo ishte shpallur Kampion i Ballkanit, do të eliminonte Atvidabergun e Suedisë (1-1 e 2-0), duke kaluar në turin tjetër të Kupës së Kupave të Europës. E megjithatë, pas këtij eliminimi, për fat, erdhën dy humbjet me Uacker të Insbrukut të Austrisë. Dy ndeshje dramatike të humbura të dyja prej Partizanit 2-3 e 1-2. Kujtoj se në ndeshjen e parë në Insbruk, Partizani humbet krejt ngushtë, vetëm 2-3, mbasi ka kryesuar 2-0! Shënojnë Pano (22’) dhe A.Janku (24’). E, Uacker nuk tutet, teksa shkurton në të 40’ me 11-metërsh falë Bitmayer-it, barazon në të 52’ me Obert dhe triumfon në të 83’ me golin e Francescin-it. Siç kam shkruar me kohë, vetëm shtatë minuta do ta ndanin Partizanin mbase nga historia më e bukur e tij në Kupat e Europës! Ajo kishte qenë një nga ndeshjet gjithsesi më të mëdha të tij. I takonte ditës së 16 shtatorit 1970. Bizi ishte ndoshta më i miri i ndeshjes dhe shtypi austriak që veçon sidomos Bizin dhe R.Rragamin, kur ishte e vështirë të gjeje një lojtar partizanas që kishte stonuar.

Dhe Shqipëria e tanë, e cila kërkonte kualifikimin përmes ndeshjes së kthimit. Ka qenë 23 shtator 1970. Për çudinë e madhe përsëri humbje! Kësaj radhe 1-2. Goli është i R.Rragamit shënuar po në të 22’ dhe dukej që Partizani po shkonte drejt kualifikimit të bujshëm. Mirëpo, një lojtar austriak, për ne me emrin e panjohur Grausam, shënon dy herë: në të 38’ dhe në të 51’. Këtu të duket se mbaron historia. Mirëpo, ja që për hir të së vërtetës, janë këto 4 ndeshje të një stili të vërtetë europian që “themelojnë” Partizanin “tim SHQIPTAR” – kampioni i paharrueshëm 1970-1971. Kampion i një kampionati spektakolar që nuk e keni sot, pra.

2. KAMPIONATI I PASHLYËSHEM 1970-1971
Kishte ndodhur që papritmas, pas gati një dhjetëvjeçari të artë, të binte 17 Nëntori, e cila në javën 7 të kampionatit renditej në vendin 9-të me plot 7 pikë më pak se Dinamo kryesuese. Sot e kësaj dite është vështirë ta shpjegosh këtë rënie vetëm katër pesë javë pas barazimit të madh 2-2 me Ajaks të Amsterdamit.

Dhe befasisht, pas kaq vjetësh, shfaqet një rikthim i duelit tradicional Dinamo-Partizani. Po aq edhe një rikthim spektakolar i Skënderbeut të Korçës me në krye universalin e mbrojtjes, po dhe të gjysmëmbrojtjes, Teodor Vason e madh, pranë të cilit ndodhet një Aleko Pilikë, po dhe një Maksim Tuxhari – një treshe e paharrueshme korçare. Skënderbeu-Partizani 0-0 e 15 nëntorit 1970 në të vërtetë, në tanësi, është një ndeshje e paharrueshme për të dyja skuadrat. Dhe ndërsa kemi 3-3 në Elbasan në Labinoti-Dinamo, një javë më vonë Pano e Bizi e drejtojnë Partizanin në 4-0 kundër Apolonisë. Dinamo barazon 1-1 në Tiranë me Besën, Skënderbeu reziston 0-0 në Shkodër në një nga ndeshjet më të bukura të kampionatit. Dhe Partizani 12 pikë, Dinamo 12, Skënderbeu 11.

Java 10 ka ngjarjen e paprecedentë, ndoshta të të gjithë viteve të pasluftës për Skënderbeun e Korçës. Ai fiton 4-1 në Lushnjë (Mano, Pasho, Tuxhari, Dembo) dhe për herë të parë pasluftës kryeson një Kampionat Kombëtar po me 15 pikë sa dhe Dinamo e Partizani. Ky i fundit arrin vetëm 1-1 me 17 Nëntorin, i cili edhe pse ndodhet në vendin e 9-të me 6 pikë mbrapa, rikujtohet se është i dikurshmi.

Java 11 sjell humbjen e parë të Skënderbeut pas 10 ndeshjeve. Kjo ndodh në Kavajë 0-2 me Besën. Pak ditë më vonë përsëri humbje, kësaj radhe 1-2 me Dinamon dhe këtu shuhet ëndrra e bukur korçare…

Kampionati kthehet përfundimisht në duelin Partizani-Dinamo, që kishte plot një dekadë që nuk ekzistonte në futbollin shqiptar. Dinamo kryeson me 1 pikë më shumë ndaj Partizanit, por ngjarjet që vijnë janë përmbysëse. 7 marsi 1971 siglon fitoren 2-1 të Dinamos ndaj Partizanit dhe klubi i Ministrisë së Punëve të Brendshme largohet me + 3 pikë. Jemi në kohën e një forme të shkëlqyeshme të një prej yjeve të futbollit shqiptar si Iljaz Çeço, por dhe i lindjes së një ylli tjetër me emrin Ilir Pernaska. Ndeshja ka epërsinë deri 2-0 të Dinamos (F.Gjinali, Pernaska), shkurtim me 11-metërsh prej Panos dhe 2-1.

Ajo është një ndeshje plot polemika, që çon në jo pak nervozizma të lojtarëve të Partizanit kundër gjyqtarit më të mirë që kishte Shqipëria, Ramiz Pregja, po dhe në zhurmëra jo të pakta midis tifozëve ushtarakë të të dy klubeve dikasterialë. Çka e vënë në pozitë të vështirë kritike edhe vetë gazetën “Sporti Popullor”, në redaksinë e vogël të së cilës kishte dy ndarje tejet “interesante” të tifozëve dinamas dhe partizanas. Kjo e vë disi në pozitë të vështirë “Sportin Popullor”, që padyshim ishte ndër gazetat më të lexueshme në vend. Ndoshta është vështirë të kuptohen sot këto gjëra, por atëherë ishte vërtet diçka tjetër. Dhe e para e të parave: nuk kishte asnjë vend bosh në stadiumet e Shqipërisë! Jo si sot pra, me tribuna të boshatisura, edhe pse vetëm në një javë të vetme luajnë plot 53 lojtarë të huaj!

Kështu, do të mbërrinim te Dinamo-17 Nëntori 1-0 dhe Partizani-Vllaznia 1-0.

Të dyja këto ndeshje ishin si dy drama brenda 13 dhe 14 marsit 1971. Dy drama të vërteta të një futbolli tejet tërheqës. Nga 5000 – 10.000 – 15.000 – 20.000 spektatorë për ndeshje. Dinamo përsëri + 3 pikë. Partizani shkon e fiton 4- 0 në Lezhë me dy gola të Sabah Bizit, ndërsa Traktori i merr 1 pikë Dinamos. Shkurtimi midis epërsisë dinamase duket se merr fund në javën 22. Çka do të thoshte plot 21 javë pa humbur Dinamo. Dhe… humbja 1-2 në Kavajë (Dizdari, Pagria, Çeço).

Kundërpërgjigja e Partizanit është fitore 2- 1 në Fier dhe e sheh veten në krye me golaverazh më të mirë. Në katër javët e fundit ai nuk ndalet. Shpërthen Panajot Pano me dy golat e tij kundër 17 Nëntorit 2-1. Dhe po 2-1 Flamurtarit në Tiranë, po 2-1 Labinotit në Tiranë. Arrin në 3 pikë epërsi dhe ndeshjen e fundit në Durrës me Lokomotivën e ka festive. Kjo fiton 2-1, por Partizani me trajner Loro Boriçin shpallet Kampion i vitit 1971 pas një mungese 7-vjeçare (titulli i fundit më 1964).

3. KY ISHTE PARTIZANI “SHQIPTAR” 1971
Tek është dhe renditja përfundimtare e Kampionatit 1970-1971, jo me vetëm 10 skuadra si në varfërinë e tij të sotme, por me plot 14 skuadra. Lexojeni, pse jo, studiojeni edhe gjeografikisht, edhe kombëtarisht pra, edhe cilësisht në baraspeshën e tij shembullore:

asdasddasdsaadsadsadsadads

 

Një titull i fituar, megjithatë, falë vetëm 1 pike larg. Por ndeshjet mbeten fort të pakujtueshme.

Vërtet, sa meditime të ngjallë kjo renditje, sot mbas 53 vjetëve! Vështroni për një çast: janë edhe Elbasani, edhe Kavaja, edhe Berati, edhe Gjirokastra, edhe Lushnja, edhe Fieri, por edhe Lezha. Mjerisht, sot më 2024, prej tyre Kampionatit i mungon një gjashtëshe qytetare fort e rëndësishme: Flamurtari i Vlorës, Besa e Kavajës, Tomori i Beratit, Luftëtari i Gjirokastrës, Apolonia e Fierit, Traktori i Lushnjës, siç quhej asokohe! Pa shkuar më tej. E askush nuk merakoset. Askush nuk bëzan, edhe pse na e kanë lënë lamtumirën radhazi qytete ndër më futbollistikët e Shqipërisë. Kjo është rënia e madhe, historike madje. E “ata” kujtojnë se do ta kalojnë duke i lejuar skuadrat që të marrin lojtarë të huaj pa kufi!

Kampionati 1970-1971 ka qenë një kampionat i bukur i qyteteve të Shqipërisë. Ndonëse për hir të së vërtetës, Partizani është i Ministrisë së Mbrojtjes Popullore dhe Dinamo e Ministrisë së Punëve të Brendshme. I kam shënuar si skuadra të Tiranës, sepse, si të thuash, Tirana është rezidenca e tyre.

Siç kam shkruar pra, te libri i vitit 2019: “SABAH BIZI … DHE BREZI I TIJ – DY DEKADA HISTORI TË FUTBOLLIT SHQIPTAR DHE GAZETARISË RRETH TIJ (1964-1982)”, ky është Kampionati kur Sabah Bizi bëhet për herë të parë Kampion i Shqipërisë, duke luajtur pa asnjë dyshim rol parësor në fitimin e këtij titulli. Organizator i madh i lojës, mesfushor mbrojtës dhe mesfushor sulmues, hapësinor në lëvizje, në pasime, interpretues i pamatë i një futbolli të rangut në universalizmin që përveç të tjerave, ndikon jo pak në përtëritjen e futbollit të madh të 32-vjeçarit Panajot Pano. Ndërkaq, mjeshtri i madh në këtë kampionat ka qenë edhe ai po aq vendimtar sa Bizi, ka shënuar 17 gola, duke qenë pas një ndërprerje prej 8 vjetësh kryeshënuesi. Deri më sot në asnjë Kampionat të Shqipërisë nuk ka ndodhur që një 32-vjeçar të jetë kryeshënuesi i Kampionatit me 17 gola.

Dhe ishte kthyer te titulli trajneri Loro Boriçi, pas shtatë vjetëve edhe ai. Kishte në krah shokun e tij të vjetër, Kolec Krajën.

Kampionët e këtij Partizani “SHQIPTAR”, ishin këta:
Bashkim MUHEDINI, Suvorov SEFERAJ, Safet BERISHA, Bujar CANI, Astrit ZIU, Gjergj THAKA, Lin SHLLAKU, Agim JANKU, Sabah BIZI, Panajot PANO, Vladimir BALLUKU, Dhori KALLUCI, Jovan SHANDRO, Neptun BAJKO, Fatbardh KENO, Mitat SHEHU, Perlat ÇAKO, Pëllumb SHAQIRI.

Ka qenë një Partizan të cilin trajneri Loro Boriçi e kishte ndërtuar duke i dhënë një përparësi të madhe shtatlartësisë, sidomos në mbrojtje. Ai ia kishte arritur të kombinonte pjekurinë e 32-33 vjeçarëve të famshëm për ne, kapitenët e paharrueshëm të Partizanit e të Kombëtares, Lin Shllaku e Panajot Pano, me të rinj të cilët me në krye Sabah Bizin, paraqisnin në fushën e lojës një 11-sh solid, të një përgatitjeje fizike, çka prej vitesh nuk ishte parë në Kampionatin e Shqipërisë. Një 11-sh që pak a shumë ishte ky: Muhedini, Suv.Seferi, Berisha, Cani, Ziu, Shllaku, Thaka, Bizi, Balluku, Pano, A.Janku.

Katërshja shtatlartë Muhedini-BerishaCani-Ziu ia arriti të kishte një lidhje të pashkëputshme, sidomos me dyshen Shllaku-Bizi në mesfushë. Mandej vinte sulmi me tre emra, shpesh thuajse të papërmbajtshëm me Panajot Pano kryeshënues, i cili si asnjëherë tjetër taktikisht luante disi nga mbrapa, por që fuqizohej tejet prej forcës rinore të dyshes Balluku–A.Janku. Kështu, në tërësi formohej një treshe sulmi sa befasuese aq dhe rezultative. Pa harruar asesi se mbrojtësi Seferi dhe mesfushori Thaka ishin gjithnjë ndër më punëtorët, e pse jo, edhe ndër më taktikët. Truri i gjithë këtij kompozicioni e kishte emrin Sabah Bizi. Kishte luajtur rol të dorës së parë në rikthimin e Partizanit te titulli pas bukur 7 vjetëve (1964) heshtjeje. Nga ana tjetër, ky Partizan i kishte blatuar atij titullin e parë, duke i treguar se si mund të fitohej një titull kampioni.

Në fund të fundit, ai ishte një Partizan i cili mbante mbi shpinë plot tetë emra të Kombëtares së Shqipërisë: Muhedini, Berisha, Cani, Ziu, Shllaku, Bizi, Pano, Balluku.

Dhe është ky titull i Partizanit që çon në anketën “6 Sportistët më të Mirë të Vitit” dy partizanas “par excellence” Panajot Panon dhe Sabah Bizin. Ishte pra edhe Panajot Pano 32-vjeçar, 10 vjet më i ri se Bizi, me të cilin do të fitonin këtë titull të Kampionit me Partizanin. Ishin një dyshe unike në afërsi e në largësi, edhe në ndeshje të pashlyeshme të Kombëtares. Dy mjeshtra të mëdhenj, të cilët kishin fituar në anketë, duke e detyruar “Sportin Popullor” të përcaktojë jo 5, por këta 6 sportistë fitimtarë: Marjeta Pronjari, Nexhmije Bilali, Ekipi i notareve të Butrintit të Sarandës, Panajot Pano, Agim Fagu, Sabah Bizi.

Viti 1971 kishte qenë viti i shpërthimit të Marjeta Pronjarit – 1.78 metra në kërcimin së larti – rekord kombëtar i nivelit të Europës; i atletes Nexhmije Bilali – rekordmene e vrapimeve nga 400 deri në 1500 e 3000 metra; i notareve të “Butrintit” të Sarandës që mbante thuajse të gjitha rekordet kombëtare të femrave – rast krejt i rrallë në botë; i Panajot Panos në rininë e tij të dytë sportive; i Agim Fagut – në një shkëlqim të nivelit europian në takimet kombëtare e ndërkombëtare; i Sabah Bizi – edhe ai pra, pjesë e kësaj gjashtësheje.

Tek janë këtu edhe dy portrizimet që “Sporti Popullor” i bën dyshes sonë kampione e një Kampionati të paharrueshëm të futbollit, patjetër shumë më i mirë e më shqiptar se ky i sotmi, edhe pse i 53 vjetëve më parë:

Panajot Pano – kryeshënuesi me 17 gola i Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë në sezonin 1970-1971.

Panajot Pano – kryeshënuesi me 17 gola i Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë në sezonin 1970-1971.

“PANAJOT PANO (Partizani):  Një nga futbollistët më të njohur të vendit tonë. Si sulmues i ekipit dhe i Kombëtares, ai ka zhvilluar shumë takime, duke kontribuar shumë që ekipi i tij të fitojë disa herë titullin e kampionit kombëtar ose Kupën e Republikës. Ka marrë pjesë në mjaft aktivitete ndërkombëtare – ballkanike, europiane, olimpike dhe botërore – duke treguar aftësitë e tij si lojtar me teknikë të mirë, me fantazi, me rrezikshmëri”.

“SABAH BIZI (Partizani & Vllaznia): Futbollist që kryen një nga detyrat më të vështira në ekipin e vet dhe në atë kombëtar: atë të mesit të fushës ose më mirë të organizatorit të sulmit. Dallohet në mënyrë të veçantë për përdorim të bukur të topit, për këmbëngulje dhe shpirt sakrifice në lojë. Në këto vitet të fundit Bizi ka qenë titullar i ekipit “Shpresa”, si dhe i Kombëtares”.

Siç e shihni, këto portretizime lakonike janë tejet të kursyera, sepse “superlativat” asokohe ishin “të ndaluara”. Por një gjë duhet theksuar edhe këtu: të fitoje Anketën e më të Mirëve të Vitit, ishte nderimi më i madh që mund t’i bëhej një sportisti në Shqipëri.

4. PSE SHKOVA TË KËTO KUJTIME?
Shkova për t’iu kujtuar se kësi kampionati kaq tërheqës si ky i vitit 1970-1971, aq të fortë, aq të baraspeshuara, ne nuk e kemi më. Është flakur tej historia tradicionale e Kampionatit të Shqipërisë, që nuk i përmendet më deri as emri si “Kampionati Kombëtar i Shqipërisë”. Ai është thjesht “Superliga – Abissnet Superiore”. Dhe me tingujt “modernë” të këtij publiciteti buçasin gazetarë, telekronistë a analistë, të cilët aq lehtë e kanë përvetësuar këtë titull. Thuajse asnjëherë nuk thonë “Kampionati Kombëtar i Shqipërisë”.

Dikush na i ka rrëmbyer vlerat e vërteta të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. E kush, pra? Me siguri ata që duan t’i shndërrojnë skuadrat shqiptare me futbollistë të huaj, duke “zhdukur” krejt dobinë dhe bazamentin autentik të futbollit kombëtar që përfaqësohet prej skuadrave të të rinjve? Me siguri përgjigja e tyre do të jetë kjo: “A nuk i kanë edhe Interi e Juventusi 80 përqind lojtarë të huaj?” Po a me të vërtetë kujtoni se mund të na bindni me këtë shembull apo retorikë që ka të bëjë me skuadrat e rangut botëror të futbollit? Kaq naivë na kujtoni?

Jepni një përgjigje, këtyre pyetjeve. Ndërsa ju të tjerët revoltojuni dhe ngrini krye, pse jo, ndaluni paksa edhe te Kampionati i vitit 1971, te Partizani “SHQIPTAR – i Loro Boriçit, Lin Shllakut, Panajot Panos e Sabah Bizit. Partizani, i cili nuk e fitoi kampionatin me dy ndeshje të skemës regresive të ashtuquajtur “Final Four” të sotëm, që si askund në botë po denatyron një Kampionat Kombëtar të futbollit, siç është ky i Shqipërisë, arritja e së cilës sot përfaqësohet me renditjen e vendit të 45 midis 55 shteteve të Europës.

* Ribotimi i shkrimit është i rezervuar;

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"