EKSKLUZIVE/ Besnik Dizdari: Titulli i vitit 1967, disa variante për të vendosur drejtësi (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2022 | 21:06

EKSKLUZIVE/ Besnik Dizdari: Titulli i vitit 1967, disa variante për të vendosur drejtësi (E PLOTË)

Nga BESNIK DIZDARI

Dizdari2

KAPITULLI III

SI VAZHDONTE VITI SPORTIVOPOLITIKO-SHOQËROR 1967…

Shqipëria socialiste nuk ndalte, natyrisht. Ajo vazhdonte vitin e saj revolucionar ‘67. Afërsisht dy muaj mbas kësaj ngjarjeje të jashtëzakonshme edhe për historinë e futbollit europian, më 19 gusht 1967, 17 Nëntori i Tiranës përmbys Dinamon me një 5-2 të papërmbajtshëm për Kupën e 25-vjetorit të shtypit popullor dhe fiton kupën përkatëse. Partizani fiton 2-0 me Fenerbahçe të Stambollit. Enver Hoxha viziton Shkodrën. “Sporti popullor” shkruan artikullin “e fortë” me titull “Të revolucionarizojmë gjithnjë e më shumë futbollin tonë”. Prapë revolucioni!

Dinamos i bie shorti për t’u ndeshur me Eintracht të Braunschweig të RF Gjermane për Kupën e Kampioneve. Por Shqipëria tërhiqet. Ose, i thonë të tërhiqet. Edhe kjo është një enigmë që sot e kësaj dite nuk kemi mundur ta zbërthejmë. Variantet e dhëna në bare e kafene të Tiranës thoshin se UEFA nuk e njihte si kampione. Nuk është vërtetuar ende asgjë…

Ndërkaq, ndodh që për fatin e saj aq të dhimbshëm, e reja Shkurte Pal Vata humb jetën aksidentalisht në hekurudhën Rrogozhinë – Fier dhe kthehet në heroinë. Shqipëria humb 0-4 ndeshjen me Jugosllavinë, e cila pak ditë më parë kishte barazuar 3-3 miqësoren me “Kombëtaren Kosovë Metohi” – edhe kjo ndeshje unikale e gjetur dhe e përshkruar prej nesh si në “Panorama Sport”, por më thellësisht në librin “Sabah Bizi… dhe brezi i tij”. Një kapitull i gjerë historie që zbulon, por edhe që përmbys jo pak të pavërteta. Ndërkohë, Shqipëria zë vendin e 13-të në Kampionatin Europian të volejbollit për meshkuj zhvilluar në Stamboll dhe Ankara, çka sot duket si një ëndërr kur kujton rezultate të tilla, si: Shqipëria – RF Gjermane 3-1, Shqipëria – Turqia 3-1, Shqipëria – Holanda 3-2!

TIRKampionati 1966-’67. 17 Nëntori – Dinamo 3-1.

Mandej, Dinamo e Tiranës, me Asllan Rusin në krye, fiton 3-2 me Partizanin e Beogradit në volejboll për Kupën e Kampioneve. Partia e Punës lëshon parullën “Një për të gjithë, të gjithë për një” mbas tërmetit të Librazhdit e Dibrës. Plenumi III i KQ të PPSH merr vendimin për kooperimin dhe revolucionin tekniko-shkencor.

Ky është viti 1967 që do të mbyllej me sensacionin europian të barazimit 0-0 me RF Gjermane, duke shkaktuar eliminimin e saj dhe kualifikimin e Jugosllavisë për në finalet e Romës 1968, ndeshje që bën bujë në gjithë Europën. Vllaznia e Shkodrës fiton 4-0 me Beroe të Stara Zagorës për Kupën Ballkanike.

Po nga ana e tij, revolucioni 1967 kishte harruar shpejt luftën që kishte prodhuar “krimin” futbollistik kundër 17 Nëntorit të Tiranës. Kishte “triumfuar” revolucioni shqiptar i izolimit të madh. Askush nuk bëzante. Në burgjet dhe kampet e përqendrimit kishte rënë qetësia e vdekjes. Ministria e Brendshme dhe Sigurimi i saj i Shtetit ishin në krye të detyrës. Madje, ata kishin edhe skuadrën e tyre të futbollit që pak muaj më parë kishte rrëmbyer me vendim tryeze titullin e kampiones së Shqipërisë. Revolucioni marshonte. Kësaj radhe ai do të dënonte për të mos luajtur për gati tre vjet edhe Kombëtaren e tij të mrekullueshme e cila sapo kishte barazuar me nënkampionen e botës, Gjermaninë e Helmuth Schon. E, prapë shihni përshkrimin prej nesh në librin e sipërcituar, ku edhe në këtë rast, gjendet një kapitull tjetër i gjerë historie që zbulon dhe që përmbys edhe ai jo pak të pavërteta.

Ky ishte viti i revolucionit të pamëshirshëm 1967. Kjo ishte Shqipëria revolucionare 1967. Kjo ishte Shqipëria e pamëshirshme e 17 Nëntorit 1967!

NJË GJYKIM I RI PËR TITULLIN 1967 TË 17 NËNTORIT TË TIRANËS

Kemi hyrë kështu në këtë kapitull III, duke u përpjekur që të rehabilitojmë dënimin e “17 Nëntorit 1967”, për të guxuar deri te disa risi të herës së parë.

Ashtu si në dossier-in tonë të vitit 1996 apo shkrimeve të mëpasme, heshtja ka vazhduar edhe më e thellë se dikur. Federata Shqiptare e Futbollit e sotme nuk pranon të merret me këto ngjarje të cilat duket qartë që ajo i quan të harruara. Është çështje jokulture, johistorie, por edhe joatdhetarie – cilësi tejet të diskutueshme sidomos për përbërjen tejet të njëanshme me mangësi të baraspeshës kombëtare të komiteteve të sotme ekzekutive të saj.

E dimë që nuk është aq e lehtë t’i kthehet titulli 17 Nëntorit, sidomos për faktin e mosluajtjes së tri ndeshjeve të fundit. Mund të mendosh për një çast se sot, mbas 55 vjetëve, nëse nuk ka burra t’i japin titullin 17 Nëntorit, atëherë më e pakta që duhet bërë është që ndoshta të mos njihet ky kampionat kombëtar i vitit 1967. Para së gjithash ngaqë përfundimi asisoj i tij, siç u tregua më sipër, mbas përjashtimit të 17 Nëntorit dhe të Partizanit, duke shkelur krejtësisht edhe rregullat e asokohe, është krejt i paligjshëm dhe në kundërshtim edhe me rregulloret organizative ndërkombëtare të futbollit. Ai është krejt i denatyruar prej vërtetësisë së futbollit si sport. Por jo me një të rënë të lapsit, natyrisht.

Le të vazhdojmë më tej me variante apo vendime vërtet tejet të vështira që mund të ndërmerren. Ky është gjykimi ynë i ri që kësisoj është, pra, i herës së parë për titullin e mohuar 1967 të 17 Nëntorit të Tiranës.

Dhe variantet që nuk ndalin:

Varianti 1. Si ka mundësi që një ndeshjeje të vetme (17 Nëntori – Partizani) midis dy skuadrave, t’u sanksionohen të dyjave dy rezultate si të kishin qenë dy ndeshje, kur në të vërtetë, ajo ishte vetëm një? Si mund të quhet ligjërisht e pranueshme një renditje ku vetëm ndeshjet e tri javëve të fundit me dy skuadrat, 17 Nëntori dhe Partizani, jepen 3-0. Jo, jo! Njëqind herë, jo!

Patjetër që do të duhej që po 3-0 të jepeshin fitore për të gjitha ndeshjet që deri në atë çast edhe skuadrat e tjera kishin zhvilluar ndaj tyre gjatë gjithë kampionatit. Për t’i vënë kështu të gjitha në kushte të barabarta në renditje.

Dhe shikoni tani se çfarë renditjeje del duke ua dhënë të gjitha skuadrave me fitore 3-0 ndeshjet me 17 Nëntorin e Partizanin:

RENDITJA DUKE I QUAJTUR TË FITUARA 3-0 TË GJITHA NDESHJET E DYSHES SË PËRJASHTUAR “17 NËNTORI – PARTIZANI”:

 

re

Me përjashtim që Dinamo thellon pikët në të mirë të “titullit” të saj, gjithsesi krejt të papranueshëm, kjo renditje është vërtet spektakolare. Vllaznia ngjitet nga vendi i 6-të në të 2-in, pra nënkampione e Shqipërisë. Labinoti ngjitet nga vendi 8 në vendin 5. Traktori nga vendi 10 në 7. Lokomotiva nga vendi 9 në 8. Flamurtari nga vendi 11 në 9. Dhe befasia e madhe: 17 Nëntori, që mbetet me vetëm 2 pikë, nga nënkampione zbret në vendin e parafundit, atë të 11-të.

Ndërkohë që Partizani me minus 2 pikë, zbret nga vendi i 5-të në atë të fundit, pra në të 12-in, çka do të thotë se dy skuadrat e incidentit të vogël, të ngritur në qiell, duhej të shndërroheshin në kandidate për të zbritur në Kategorinë II, çka natyrisht nuk mund të pranohej assesi. Në njëfarë mënyre, kjo që sapo paraqitëm, do të mund të ishte një lloj renditjeje ligjore e kampionatit ngaqë fitoret në tryezë 3-0 do të duhej të jepeshin, pra, për të gjitha skuadrat.

Varianti 2. Ti i përjashton për tri javët e fundit 17 Nëntorin e Partizanin, por kështu ke manipuluar gjithë vërtetësinë e renditjes. Kur në të vërtetë ndërgjegjja juridike të thotë që nëse i përjashtove njëanshmërisht në tri javë para mbarimit të kampionatit, vetvetiu ato duhen përjashtuar nga krejt kampionati, çka do të thotë se duhet të bësh renditjen jo për 12, por për 10 skuadra, pra pa 17 Nëntorin e Partizanin. Dhe renditja e kampionatit do të mund të ishte kjo tjetra:

RENDITJA E KAMPIONATIT DUKE HEQUR NGA KAMPIONATI DYSHEN “17 NËNTORI – PARTIZANI”

re 1

Doemos, duke vënë poshtë kësaj renditjeje këtë shënim: * “17 Nëntori dhe Partizani përjashtohen nga kampionati për shkak të prishjes së rendit të futbollit në ndeshjen e tyre”.

Varianti 3. Ky mund të jetë ai, që po më pëlqen ta emërtoj si varianti i kujtesës, çka do të thotë se ju takon të bëni një ceremoni përkujtuese dhe të paktën t’i jepni 17 Nëntorit të Tiranës atë që po e quaj “Medalja e Kujtesës”, të një titulli që iu hoq me pa të drejtë. Dhe kjo, jo thjesht për një nostalgji, por më tepër si një rregullim kritik i historisë. Dhe për nderim të atyre futbollistëve të pashlyeshëm të skuadrës së famshme të kryeqytetit tonë.

VARIANTI I VARIANTEVE: 17 NËNTORI – KAMPION I SHQIPËRISË 1967

Kështu po e quaj, duke e veçuar nga tri variantet me numra, ngaqë në të vërtetë ky është një variant subjektiv i pengesës së madhe. Dhe subjektiviteti shpeshherë sundon mbi objektivitetin apo qoftë dhe mbi faktin.

Subjekti – siç e përkujtuam në gjithë këtë dossier tonin – na thotë se 17 Nëntori dhe Partizani janë dënuar krejt me pa të drejtë. Dënim që ka shkaktuar heqjen e titullit të mundshëm, fort të sigurt të 17 Nëntorit, e cila tri ndeshjet e fundit duhej t’i luante me Tomorin, Traktorin dhe Lokomotivën, të cilat ishin të skalionit të dytë të renditjes, ku dy prej të cilave, ato me Tomorin e Lokomotivën, do t’i luante në Tiranë.

Ndërkohë që pretendentja Dinamo do të luante edhe ndeshjen me rivalin e fortë që ishte Partizani. Kësisoj, merret me mend se ishte fort e vështirë që këto tri ndeshje t’i rezistonin atij 17 Nëntori të mrekullueshëm e ta pengonin atë që të ruante kryesimin që e çonte te titulli. Ky do të ishte varianti i varianteve, ai i llojit të trajtimit subjektiv që të thotë “po”, edhe pse matematika e asaj çka përimtuan, të duket se të thotë “jo”. Atëherë, çka mbetet? Shkojmë më tej: Duke u kthyer për një çast te varianti 2, ai na nxit të themi se ndoshta e drejta do të ishte shuarja e kampionatit, heqja e tij nga historia si një njollë, madje edhe shtetërore, në futbollin shqiptar.

Mirëpo, kur mendon se është luajtur për muaj më radhë, edhe kjo duket se nuk shkon. E shihni se çfarë ngatërrese i kanë krijuar historisë së kampionateve të Shqipërisë vendimet kundërligjore të futbollit, në këtë rast për kampionatin e vitit 1967?! Dhe nuk mund të bëjmë sot “krimin” kundërsportiv të vitit 2021 që bënë Federatat Shqiptare të Basketbollit e të Volejbollit që zhdukën kampionatet e Shqipërisë dhe titujt e kampionit për shkak të mospërfundimit të tyre nga trysnia e COVID-it. Duket se nuk është lehtë pra, t’i jepet titulli kampion këtij 17 Nëntori, kur sado të lehta të duken tri ndeshjet e fundit, prapëseprapë, kur kujton çuditë e befasitë e futbollit, gjithçka mund të ndodhte.

E megjithatë!… Megjithatë, teksa të shfaqet e vërteta e paqortueshme, ajo na thotë se Dinamo, që gjithashtu kishte lojtarë mjaft të talentuar dhe bëri një kampionat fort të respektueshëm, është një kampione jo e merituar. Është kampione thjesht ngaqë është përjashtuar pa asnjë të drejtë kryesuesja 17 Nëntori e cila me fitoren e mohuar ndaj Partizanit ndodhej 3 pikë mbi Dinamon. Këto janë dilemat që të krijojnë vështirësi të njohjes të titullit plotësisht të merituar të 17 Nëntorit.

Nuk e di, megjithatë. Ajo që ndoshta di, është kjo tjetra: të organizohet rishikimi i gjithë këtij rasti historik prej juristësh e njerëzish të ditur të profesoratit, të sportit e të futbollit. Dhe mandej marrja e vendimit po aq të guximshëm. Dhe kjo mund të bëhet me këtë argument:

Duke qenë se janë përjashtuar me pa të drejtë 17 Nëntori dhe Partizani, kampionati ka humbur vërtetësinë e tij. Kësisoj, kampionati të quhet i ndërprerë, që do të thotë i përfunduar tri javë para mbarimit, ngaqë atij i mungojnë ndeshjet e tri javëve të fundit të dyshes në fjalë. Po të guxohet e të bëhet kjo, atëherë 17 Nëntori është kampion i Shqipërisë 1967. Është kampion i një kampionati që duhet quajtur i mbyllur mbas javës 19 të fitores së 17 Nëntorit 2-1 ndaj Partizanit, që, kahdo që ta marrësh, ajo ka qenë një fitore tejet e merituar, çka do të ishte veprimi më i drejtë, më i ndershëm.

Ka pra edhe kampionate të papërfunduara, ku titulli i jepet atij që në atë çast të ndërprerjes është në krye të renditjes, në këtë rast 17 Nëntori i Tiranës në Shqipëri. Më 2021 Franca na dha një shembull të përsosur të një vendimi juridik të kësaj natyre. Për shkak të COVID-it, e mbylli kampionatin 10 javë pa mbaruar dhe bëri një vendosje të re dhe i dha titullin skuadrës së Paris SG. Belgjika e ndërpreu kampionatin e saj të futbollit, madje pa u zhvilluar faza e dytë, e megjithatë shpalli kampione Club Brugge-n, skuadër që kryesonte deri në atë çast. Kështu veproi edhe Bosnjë-Hercegovina me kampionen Sarajevo.

Kështu veproi edhe Uellsi, Irlanda e Veriut dhe Skocia. Edhe dy fqinjët tanë, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, gjithashtu pa përfunduar kampionati, shpallën kampionë Vardarin dhe Buduçnostin, të cilët kryesonin në atë çast. Malta gjithashtu ndërpreu kampionatin, por shpalli kampione Florianan kryesuese. Ashtu si dhe Norvegjia me Molde-n kryesuese deri në atë çast.

ÇFARË 17 NËNTORI ISHTE KY I VITIT 1967?

Se çfarë 17 Nëntori ishte ky i vitit 1967, e tregon vetë pasqyra dhe renditja e mbas javës 19. Dhe ja si do të ishte renditja e kampionatit 1967 mbas javës 19 të fitores 2-1 të 17 Nëntorit ndaj Partizanit:

Rezultate e Javës 19:

Skënderbeu – Flamurtari 1-1

Vllaznia – Dinamo 0-0

Labinoti – Besa 0-0

Partizani – 17 Nëntori 1-2

Tomori – Luftëtari 1-0

Traktori – Lokomotiva 1-1

renditja

Kjo renditje na çon pra, te varianti më i ndershëm, më ligjor i pranueshëm që mund të ndërmerret për t’i kthyer titullin 1967 skuadrës 17 Nëntori të Tiranës. Na çon tek ai që e emërtuam “varianti i varianteve”, sepse kjo është renditja e saktë e ndeshjeve të luajtura drejtpërdrejt në fushën e blertë në kushte të barabarta për të gjitha skuadrat deri në vendimin falsifikues të përjashtimit të dyshes dhe me gjithë absurditetet e rezultateve 3-0 në tryezë.

Gjithçka që vjen prej tyre, siç u argumentua në këtë dossier, përbën absurditete që vijnë me vendime po absurde zyrash të një regjimi. Interesant është ndërkaq se ky kampionat 1967 ka dhe “mrekullira” të tjera joligjore. Shihni se çka ngjet: Në bazë të rregullores, Luftëtari i Gjirokastrës si i vendit të fundit bie në Kategorinë II. Ndërsa Flamurtari si i parafundit ndeshet me të dytën e kampionatit të Kategorisë II që ishte skuadra e kombinatit të tekstileve “Stalin”.

Flamurtari fiton ndeshjen e parë 6-1, humbet të dytën 0-2 dhe siguron qëndrimin në Kategorinë I. Ndërkaq, në këtë kategori vjen Apolonia e Fierit si kampione e Kategorisë II. Mirëpo, ja dhe befasia. Anulohet rënia e Luftëtarit, vijnë Apolonia dhe Ylli i Kuq i Pogradecit. Nuk mund të merret vesh përse jo Kombinati.

Apriori shtohen dy skuadra dhe bëhen 14 skuadra. Skuadra e Kombinatit mbetet jashtë, me sa duket, ngaqë nuk duhej të kishte 4 skuadra kryeqyteti. Është një ndërrim mendjeje. Por një shembull i bukur për sot, për të realizuar atë që kërkohet pa ia nda: shtimin e skuadrave. E këtu ja që na shërben kampionati 1967, megjithëqë ka prishë gjithçka për asokohe. Mbi të gjitha i ka hequr titullin e merituar 17 Nëntorit, sot sportklub Tirana.

Ky ishte një nga dossier-ët ndër më të lodhshmit që kam shkruar. E ndjeva për detyrë për ta bërë për nder të saktësisë së historisë kombëtare të futbollit, të kampionatit kombëtar të Shqipërisë, të skuadrës shqiptare më të ndritur në histori që është sportklub Tirana, ndryshe 17 Nëntori i vitit 1967.

E bëra për lojtarët e saj të pashlyeshëm, të cilët kanë zhvilluar një kampionat të paharrueshëm. Deri aty, saqë, siç e shihni nga renditja e mësipërme, skuadra e tyre kishte fituar 16 ndeshje, kishte barazuar 3 dhe nuk kishte humbur asnjë! Emrat e këtyre kampionëve të merituar, por të pashpallur, po i rreshtoj këtu duke pasur parasysh numrin e ndeshjeve në të cilat ata janë aktivizuar. Gjithnjë duke shpresuar se nuk do të mbetet jashtë asnjë. E them këtë sepse dihen gabimet që ndjekin shpeshherë historitë statistikore të sporteve…

Tek janë: Bujar TAFAJ, Fatmir FRASHËRI, Perikli DHALES, Gëzim KASMI, Josif KAZANXHI, Osman MEMA, Niko XHAÇKA, Pavllo BUKOVIKU, Skënder HYKA, Bahri ISHKA, Ali MEMA, Luigj BYTYÇI, Durim HATIBI, Alfred GJONI, Tomor GJOKA, Ramadan SHEHU, Ali ZAJMI, Nuri BYLYKU, Lirim HOXHA. Trajnerë: Myslym ALLA dhe Enver SHEHU.

Midis tyre është dhe kryeshënuesi i kampionatit mbas kësaj jave 19: i paharrueshmi Josif KAZANXHI me 13 gola. Ky është 17 Nëntori i madh i vitit të pamëshirshëm shqiptar 1967.

POST SCRIPTUM:

Kohët e fundit, revista italiane “Guerin Sportivo” në katër faqe të saj botonte një shkrim të gazetarit të mirënjohur Carlo F.Chiesa, i cili trajtonte një problem pak a shumë të ngjashëm. Ndërkohë, Federata Italiane e Futbollit (FIGC) kishte krijuar një komision që kishte të bënte me tituj kampionë të kundërshtuar në kampionate të Italisë. Fjala ishte për tre tituj: Lazio 1915, Genoa 1925 dhe Bologna e Torino 1927.

Një trajtesë vendimmarrëse jo e lehtë edhe për ata, e nuk ka pse të hyjmë në hollësira. Ajo që na intereson neve këtu, mendoj se është kjo tjetra: FIGC, për hetimin e këtyre kampionateve ende të kundërshtuara, ka krijuar një komision për të “analizuar” me synim historik dhe shkencor kërkesa të tilla që i kanë ardhur FIGC për kampionate të stinëve të futbollit të shekullit të shkuar, siç deklarohej.

Ky komision që ishte formuar për të rregulluar historinë, përbëhej nga një kryeredaktor i hershëm i revistës në fjalë, nga presidenti i Shoqatës Italiane të Historisë Sportive, nga një profesor i historisë kontemporane të Universitetit të Leicester-it në Angli, nga një profesor i historisë kontemporane në Universitetin e Parmës, nga një profesor i historisë së edukimit fizik dhe sportit të Universitetit të Bolonjës.

Të tjerët kanë krijuar komisione. Po Shqipëria? Sa ka ajo përreth sportit e futbollit fuqi të tilla intelektuale, profesorati, akademie sportive, universitetesh a studiuesish? Kjo pyetje vonon disi që të marrë përgjigje. Por nuk mund ta ndalë ecurinë e zgjidhjes së drejtë e të vërtetë të asaj çka ka bërë Shqipëria e pamëshirshme ndaj 17 Nëntorit 1967!

FUND *

Kapitulli I dhe II janë botuar në “Panorama Sport” më 20 dhe 21 qershor 2022

PANORAMASPORT.AL

Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i paautorizuar në çfarëdo mënyre, i këtij artikulli pa lejen e kompanisë!

LEXO EDHE:

EKSKLUZIVE/ Besnik Dizdari zbardh vendimin: Si ia vodhi regjimi Tiranës titullin më 1967

EKSKLUZIVE/ Besnik Dizdari: Tirana ka 28 tituj, regjimi e vodhi më 1967-ën! (E PLOTË)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"