EKSKLUZIVE/ Besnik Dizdari: Tirana ka 28 tituj, regjimi e vodhi më 1967-ën! (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2022 | 20:32

EKSKLUZIVE/ Besnik Dizdari: Tirana ka 28 tituj, regjimi e vodhi më 1967-ën! (E PLOTË)

Nga BESNIK DIZDARI

Dizdari2

KAPITULLI I

Në vend të prologut – një epilog i vitit 2022 Për ata që nuk e dinë dhe ose për ata që e kanë harruar, autori i këtushëm është gazetari i cili “i ka dhënë” Shqipërisë Kupën e parë kombëtare të futbollit. Nuk e ka nxjerrë nga sirtari i tij, por e ka nxjerrë nga ai që po më pëlqen ta quaj “arkivi kombëtar i gazetarisë shqiptare”. Është fjala për Kupën e parë të Shqipërisë, atë 1938-1939. E gjeta, e shkrova, e botova, e konfirmova. Në të vërtetë e konfirmuam.

Ndërkohë, ja ku më hyn këtu një 20-vjetor i freskët historie: 2002-2022. E, siç kam shkruar javët e fundit për njohjen e kampionateve të Mbretërisë (“Panorama Sport” 27 dhjetor 2021), pata zbuluar kampionatet e Luftës. Ndodhi pra, më 2002, ku përfundoi së botuari në gazetën “Tema” cikli im i zbulimit të tri kampionateve kombëtare të periudhës së Luftës. Mandej, më 2004, të vërtetës historike, si të thuash, iu vu vula kur botova librin “Historia e Kampionateve në Shqipëri” – vitet 1939-42″, i cili kthente “në jetë” tri kampionate kombëtare dhe qindra futbollistë të asokohe.

Kështu, në një farë mënyre iu kthyen Shqipërisë edhe 3 kampionate kombëtare. Nuk më bëjnë përshtypje keqkuptimet e atyre të cilët dinë pak e që mund t’i quajnë si një lloj krenarie a vetëkënaqësie të gjitha këto, kur dihet se gazetaria historike nuk i duron as krenarët, as të fryrët, as të vetëkënaqurit. Mirëpo, ja që kur ndokush kërkon të zhdukë vepra themelimesh kësisoj, se vepra janë, atëherë do ta marrësh fjalën ti vetë për t’i mbrojtur, për t’i kujtuar e rikujtuar.

E, ashtu siç veprova mbas zbulimit të Kupës së parë të Shqipërisë 1938-’39, sa herë që botoj librin e artë të kampionateve të Shqipërisë vendos edhe këto tri kampione: SK Tirana 1939, Vllaznia 1940 dhe SK Tirana 1942. Pa ma bërë tërr syri, sepse ashtu si dhe shumë gazetarë të tjerë të vërtetë, nuk merrem me rrêna, por me të vërteta. Dhe SK Tiranën e quaj 28 herë Kampione (jo 26) dhe Vllazninë 10 herë.

17 NENTORI

Një fitore spektakolare e 17 Nëntorit: 4-1 Besës!

E tash, shihni se çka ndodhi në ditën e kurorëzimit të SK Tiranës –kampione e këtij viti 2022. Disa mbështetës të zjarrtë të sportklubit tonë të ndritur, kishin vënë një lloj posteri duke e quajtur sportklub Tiranën as 26, as 28 siç e vendoj unë, por 29 herë kampione të Shqipërisë. Kishin parasysh kampionatin e vitit 1967, kur kampionia e sigurt dhe e merituar, 17 Nëntori i Tiranës, SK Tirana pra, u përjashtua së bashku me Partizanin.

Edhe me këtë, që po e quaj “çështje”, jam marrë disa herë. Kështu, më 1996 si kryeredaktor i “Sportit shqiptar”, kam nxitur botimin e një cikli të një përimtimi historik për të mbërritur tek e vërteta e kësaj ngjarjeje. Do ta fillonim me editorialin po historik të të paharrueshmit Lame Konomi – drejtues mitik i 17 Nëntorit.

E mbas tij do të vazhdonim në nja 4 numra të tjerë të gazetës me shkrimet intervistuese të paraqitur po për herë të parë nga gazetari Bashkim Tufa dhe natyrisht më duhet që edhe këtu, të qëndroj tek ata. Mandej, më 2003, mbërrin cikli i gazetës “Tema”, që më hyn plot siguri edhe në këtë të sotmin, natyrisht me një rishikim më të thellë me rastin e këtij 55-vjetori.

VITI I PAMËSHIRSHËM DHE “I PASUR” 1967

Kështu po më vjen për shtat për ta quajtur vitin 1967. Ka qenë 24 qershor 1967. Si sot e 55 vjet më parë. Kjo është dita brenda asaj jave dramatike e një 55-vjetori të një “krimi” sportiv ende të padënuar, sot e kësaj dite. Dhe ky 55-vjetor, krejt origjinal e sensacional së bashku, hyn fuqishëm në historinë e sportit shqiptar, madje në vetë historinë e Shqipërisë, kur kujton se sporti apo dhe futbolli janë pjesë tejet e ndjeshme e jetës dhe e botës kulturore e shpirtërore të një kombi.

E vërteta na thotë se gjithçka fiksohet përfundimisht më 24 qershor 1967, ditë kur regjimi me egërsinë e paparë të tij, me nervozizmin më të shfrenuar, inskenon deri në farsë një ngjarje gati episodike të një ndeshjeje të vetme futbolli.

Dhe vetëm e vetëm për të ndalur në vend historinë e një klubi ndër më të ndritshmit e Shqipërisë, i cili, për fatin e tij të keq, nuk gëzonte simpatinë e qarqeve sunduese të regjimit të Tiranës. Për të kuptuar më mirë atë kohë, më duhet të kujtoj se viti 1967 ishte një vit “revolucionar”. Ose, për ta thënë më qartë, viti 1967 ishte viti i: “Përpara, me vrull revolucionar!”, siç titullon kryeartikullin e vet të 3 janarit 1967, gazeta “Sporti popullor”:

“Republika Popullore e Shqipërisë, – nënvizon ky editorial partizanerie, – hyri në vitin 1967 më e fortë se kurrë, me një autoritet të madh në arenën ndërkombëtare, si një kështjellë elite e socializmit, me miq të mëdhenj, të sinqertë e të fuqishëm si RP e Kinës etj., me një stimë që rritet çdo ditë nga tërë popujt revolucionarë që luftojnë kundër shtypjes imperialiste, për lirinë dhe pavarësinë e tyre”. Ndërkohë, kur ka vetëm dy rreshta për kthimin në Atdhe të kampiones së volejbollit Dinamo, e cila kishte eliminuar kampionen e Italisë, Virtus të Bologna-s për Kupën e Kampioneve të Europës.

Kjo ka qenë Dinamo e një volejbolli europian të cilën sot e kanë zhdukur nga faqja e dheut! Më 7 janar, Dinamo shpërthen në një 3-0 edhe më të bujshëm me kampionen e Holandës, Bloker të Hagës, edhe pse do të përmbysej më 21 janar prej 3-0 të skuadrës hollandeze. Më 31 janar shtypi shqiptar boton protestën e Federatës Shqiptare të Lojnave, siç emërtohej ajo, për eliminimin e Dinamos. Protesta i drejtohet Federatës Europiane të Volejbollit, duke i kërkuar me arrogancë anulimin e ndeshjes për njëanshmëri të gjykimit, rast i paprecedent megalomanie në historinë e Kupës së Europës!

Ndërkaq, “Sporti popullor” vazhdon me një kryeartikull tjetër me titullin “Të sulmojmë përpara si revolucionarë në frontin e fiskulturës dhe të sportit” dhe tashmë “Revolucioni popullor” i zë frymën gjithë jetës së vendit. Organizohet Kupa e 500-vjetorit të Skënderbeut në futboll, po edhe kjo më tepër është për historizëm i një nacionalkomunizmi sesa për histori mirëfilli, me gjithë një kontribut jo të paktë të disa studimeve. Dhe Enver Hoxha që u dërgon kooperativistëve të Fier-Sheganit letrën e tij të famshme, duke thelluar me prepotencë të pakrahasueshme sundimin dhe ndërhyrjen e Partisë në profesionin e gazetarit, i cili duhet t’i lëshonte rrugë korrespondentit vullnetar të kooperativës bujqësore!

Dhe populli që urdhërohet t’u turret zonave të thella malore e, në mungesë të miqve perëndimorë, papritmas skuadra përfaqësuese e Tiranës kalon Mesdheun për t’u ndeshur dhe për të fituar 2-0 (shënojnë Pano e Bizi) në Kajro me klubin Nacional të kryeqytetit arab. Barazon 0-0 me Behirën dhe fiton po 2-0 gjithnjë me golat e Bizit e Panos me Arsenalin egjiptian. Mandej, më 22 mars 1967, Shqipëria fiton 2-0 me Olimpiken e Bullgarisë me gola të Panos dhe Hykës. Ndërkohë që nuk rreshtin letrat e botës së sportit me përbetime të sportistëve shqiptarë për Enver Hoxhën. Hyjmë kështu në një situatë po revolucionare drejt zgjedhjeve të konferencës së dytë kombëtare të BFSSH.

Collage Maker-20-Jun-2022-08.37-AM

“Sporti popullor” boton vetëm tri radhë për humbjen 0-6 të 8 prillit në Dortmund të Shqipërisë kundër RF Gjermane dhe një javë më vonë jetën sportive e mbyt kongresi i 6-të i Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë. Vetëm mbas gati tri javësh, më 25 prill, ftohet trajneri i Kombëtares, Loro Boriçi, të përimtojë paksa, përmes një shkrimi të tijin, shkakun e humbjes me Gjermaninë e Tillkovskit, Shulzit, Veberit, Bekenbauerit, Mylerit dhe Overatit.

Temë sportive kjo e trajtuar deri në hollësi në shkrime e librat e pandalshëm. Mbërrin 7 maji dhe, për nder të Enver Hoxhës me shokë, një manifestim fizkulturor pompoz apo madhështor shpaloset në stadiumin “Dinamo” të Tiranës.

Tematika që publikohet, natyrisht, përmban gjithë patosin e një revolucioni të tipit kulturor të importuar nga Kina e Mao Ce Dunit. Titujt zyrtarë të komplekseve të ushtrimeve që shpalosen mbi të blertën e stadiumit “Dinamo” flasin vetë: “Bijtë e socializmit”, “Për një bujqësi të përparuar”, “Të bëhemi punëtorë të mirë”, “Ndërtojmë socializmin”, “Punojmë, mësojmë dhe kalitemi si revolucionarë”, “Ndërtojmë socializmin me forcat tona”, “Kalitemi për Republikën”, “Lulëzo Atdhe!”.

Kjo Shqipëri ka qenë. E pakrahasueshme në fanatizmin e vet revolucionar të një diktature të një egërsie që nuk mund të përshkruhet. Dhe prej këtu drejt e te humbja 2-0 në Tiranë me Jugosllavinë e Dragan Xhaiçit po për Kupën e Kombeve të Europës dhe sulm i ri kundër Kombëtares.

KU ISHTE ZHDUKUR KAMPIONATI KOMBËTAR I FUTBOLLIT?…

Ndërkohë, Dinamo fiton Kupën e 500-vjetorit të Skënderbeut, dhe ja ku mbërrin edhe kampionati kombëtar i futbollit, i cili kishte gati gjashtë muaj që qe ndërprerë, qysh më 27 nëntor 1966. Ose, ndryshe nga ky 27 nëntor 1966 e deri te 20 maji 1967, janë plot 175 ditë ndërprerje të një kampionati kombëtar të futbollit ose bukur gjashtë muaj larg nga njëra periudhë (fazë) te tjetra, që pa dyshim përbën jo vetëm rekordin shqiptar të ndërprerjeve kampionale, por me siguri dhe për atë europian apo botëror. Kampionati qe ndërprerë në çastin e javës 11 të tij dhe fitorja e harruar 2-0 e 17 Nëntorit (sot SK Tirana) në Durrës, e linte gjithnjë atë në krye me 2 pikë mbi Dinamon dhe plot 7 mbi Partizanin që ishte i treti.

Me 9 fitore, 2 barazime dhe asnjë humbje dhe golat 25-6, 17 Nëntori i të madhit Myslym Alla mbasi kishte fituar dy kampionatet e viteve 1965 dhe 1966, duke ndërprerë mbas 20 vjetëve sundimin PartizanDinamo, ndiente tejet të afërt edhe titullin e katërt. Ishin Tafaj – Frashëri, Dhales, Kasmi – A.Mema, O.Mema – Xhaçka, Bukoviku, Hyka, Kazanxhi, Ishka. Ishte një 11-sh që përfaqësonte një ansambël të përkryer dhe të paprekshëm për Shqipërinë.

Prej vitesh Shqipëria nuk kishte pasur një skuadër kaq të harmonizuar dhe të bashkuar në njishmëni futbolli krejt origjinale si ky 17 Nëntor i pandalshëm i vitit 1967. Më 21 maj 17 Nëntori korr fitoren e 10-të të tij, kësaj radhe 3-0 në Gjirokastër me Luftëtarin, po ngjarja nuk duket se është kjo. Po ashtu as fitorja 3-1 e Dinamos në Lushnjë, por humbja e thellë 4-0 e Vllaznisë prej Partizanit, i cili po kërkonte të formonte dyshen shkodrane të tij, atë Ramazan Rragami – Selami Dani. Ndërkohë që Vllaznisë Ushtria Popullore i kishte “falur” as më pak e as më shumë, por ushtarin e popullit Ali Mema të rrëmbyer prej 17 Nëntorit. E, shkodrani tjetër, Medin Zhega, ishte tashmë forcë rinore e Dinamos e, kur me largimin e Ali Memës prej 17 Nëntorit të dukej se po kërkohej të forcohej skuadra shkodrane, teksa Rragami, Dani e Zhega luanin për dy dikasterialët e kryeqytetit.

Largimi i Ali Memës ishte veprimi i parë i vitit 1967 për prishjen e 17 Nëntorit, të cilit një vit më parë i kishin arrestuar pa asnjë faj Skënder Halilin e madh – vepër “e shkëlqyeshme” e Ministrisë së Punëve të Brendshme. E, 17 Nëntorit as nuk po i shkonte nëpër mend se rrufeshëm, thuajse brenda dy-tri javësh, kryesimi i tij do të fikej si një zjarr mbi të cilin bien të gjitha ujërat e qiellit. Kësisoj, kryesimi i 17 Nëntorit nuk do të zgjaste më fort sesa 30 ditë.

Dhe këto ditë sportive që për çudi kanë shumë risi. Vllaznia e Shkodrës, e drejtuar prej të paharrueshmit Esat Haxhi, fiton për herë të parë titullin e kampionit të Shqipërisë në basketboll, çka përbënte një nga ngjarjet sensacionale për kohën. Mbërrin 29 maji, ditë e mbajtjes së konferencës së dytë kombëtare të BFSSH që për fat rizgjedh për kryetar Rexhep Dodën, një njeri i rrallë, i paharrueshëm i sporteve të Shqipërisë, dhe kampionati kombëtar i futbollit që kërkon të fitojë kohë duke zhvilluar brenda shtatë ditëve dy javë ndeshje. Ai është një 17 Nëntor që nuk përmbahet: 1-0 në Vlorë me Flamurtarin dhe 4-1 në Tiranë me Besën.

Stadiumet janë të mbushura plot përballë një marramendjeje të tërë prej konferencës së dytë kombëtare të BFSSH, me përshëndetjen e zëvendëskryeministrit Adil Çarçani dhe me kinezin Uan Tin Jen në krye të vendit të rreshtit të parë të tribunës së presidiumit të konferencës si përfaqësues i Komitetit të Kulturës Fizike të Kinës, të cilit nuk i tregohet assesi funksioni që ai mban në atë komitet. Revolucioni kulturor kinez i kishte fshirë hierarkitë, me përjashtim të asaj çfarë i përkiste kryetarit Mao. Kush nuk e pret shokun Uan! Adil Çarçani, Abdyl Këllezi, Beqir Balluku, Thoma Deliana e në fund edhe kryeministri Mehmet Shehu, që do të thotë pesë pritje të veçanta për shokun Uan Tin Jen, dy zëvendëskryeministra, një ministër dhe një kryeministër!

Rast vetanak (unikal) në historinë e ceremonive të pritjeve protokollare të personaliteteve sportive në historinë e njerëzimit! Ndërkaq, shtypi nuk denjon të botojë tabelën e renditjes së kampionatit, por kuptohet që 17 Nëntori po ia afrohej tejet titullit. Ndonëse edhe ndjekësja e tij Dinamo, duke fituar 2-0 me Lokomotivën dhe 3-2 në Gjirokastër, ruan gjithnjë largësinë prej 2 pikësh. Java 16 e 4 qershorit 1967 ka, ndërkohë, ndeshjen e madhe Dinamo – 17 Nëntori. Për fatin e kryesuesve, është një 2-2 spektakolar para rreth 20.000 spektatorëve. Shtypi kritikon pa mëshirë lojën e pa nivel të 17 Nëntorit, përjashto portierin Bujar Tafaj e qendërmbrojtësin Dhales dhe ngre në qiell lojën e Dinamos.

Dy golat e Zhegës dhe të Vorfit marrin notën 10, ndërkohë që dy golat e tiranasve zbehen deri në një “autogol të shëmtuar” dhe të një konfuzioni të mbrojtjes dinamase. “Problemi i titullit përsëri në pikëpyetje” nxiton të titullojë shtypi me germa të gjithë faqen, ndonëse kryesimi i 17 Nëntorit nuk lëkundet assesi. Dhe një javë më vonë, 11 qershor, kryesuesja e cila qysh nga 1946 quhej 17 Nëndori, me “d”, fiton 2-1 me Skënderbeun dhe përsëri gjithçka i quhet lojë e dobët! Dinamo kundërpërgjigjet me 1-0 në Kavajë dhe Merhori humbet 11-metërshin.

17 Nëntori nuk merret me artikuj gazetash, sepse e ka kuptuar që nuk e duan, por ndihet tejet i sigurt në fitoret radhazi. Shkon e fiton më 14 qershor 2-0 në Shkodër e Dinamo kundërpërgjigjet me 3-0 në Vlorë. Mbas tri ditëve, 17 qershor, 3-1 në Elbasan me Labinotin, ndërsa Dinamo 2-1 me Skënderbeun në Tiranë. Gjithnjë 2 pikë epërsi. E ndërsa mbeten edhe katër javë kampionat, 17 Nëntori nuk tutet dhe as nuk i shkon nëpër mend për diçka të keqe… Vijon në numrin e nesërm

PANORAMASPORT.AL

Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i paautorizuar në çfarëdo mënyre, i këtij artikulli pa lejen e kompanisë!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"