Besa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Besa

besaEmri i plotë: KF Besa, Kavajë
Adresa: Lagja 3, Kavajë
Tel: +355 5 426 17
Fax: +355 5 432 20
Themeluar: 1925
Stadiumi: Besa
President: Nexhat Bizhdili
Trajner: Bledar Sinella
Ngjyrat e klubit: Verdhë e Zi

Trofetë
2 Kupa të Shqipërisë (2007, 2010)
3 tituj të Kategorisë së Parë
1 Superkupë të Shqipërisë (2010)

Klubi i Futbollit Besa vjen si trashëgimtare e Shoqërisë Kulturore-Sportive “Adriatiku” të themeluar në Kavajë nga popullsia sportdashëse në vitin 1925. Kjo shoqëri pas një kohe të shkurtër (1930) bëhet e njohur si “Sportklub Kavaja” dhe si “Sportklub Besa”. Ndeshjen e parë ekipi i futbollit e ka zhvilluar kundër Institutit Shqiptaro-Amerikan në malin e Robit të Golemit. Në vitin 1935 merr formën e një klubi të organizuar dhe ka kryesinë e përbërë nga: Irfan Berati – kryetar, Fehmi Kazazi – nenkryetar, Dervish Cara – sekretar, Sulejman Karkini dhe Reshat Asllani – anëtarë, Rasim Sulejmani – arkëtar, Dhori Fora – anëtar për degën e zejtarisë. Po në këtë vit “Besa” anëtarësohet në FSHF dhe merr pjesë në kampionatet kombëtare 1930,1931 dhe 1932 në Kategorinë e Dytë. Në vitin 1933 hyn në Kategorinë e Parë. Gjatë viteve 1933-1937 radhitet e treat, pas SK Tiranës dhe SK Vllaznisë.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore si luftëtarë humbin jetën disa anëtarë të klubit si: Mehmet Babamusta, Adil Alushi, Sami Karriqi dhe Millan Radosalja. Në këtë kohë fillon zvogëlimi i aktivitetit të klubit dhe mbështetej vetëm nga banorët e Kavajës.
Gjatë viteve 1945-1950 skuadra pasurohet me lojtarë të rijnj dhe arrin disa suksese në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Kështu në sezonin 1945-46 fiton Kupën e Kryesisë së Federatës Sportive, po në vitin 1945 del në arenën ndërkombëtare me ndeshjen kundër “Sarajevo” të Jugosllavisë (1-2) në Sarajevë. Gjatë këtyre viteve një pjesë e madhe e lojtarëve të klubit luanin edhe për kombëtaren. Në historinë e klubit gjate këtyre viteve hyn dhe goli i Qamil Telitit, që në ndeshjen kundër Rumanisë e nxjerr Shqipërinë kampione ballkanike e vitit 1946.
Më 1958 Besa arrin njërin ndër sukseset më të larta të saj në kampionatin shqiptar, zë vendin e dytë. Më 1961 dhe 1963 arrin në finale të Kupës së Shqipërisë dhe fiton kupën e gazetës “Sporti”, ndërsa më 1965-ën fiton kupën e gazetës “Bashkimi”.
Vitet ‘60 përshkohen nga patriotizmi dhe nga motoja e klubit “besa-besë”, e cila e dominon edhe lojën e futbollistëve në fushë. Gjatë këtyre viteve Besa zhvilloi disa ndeshje me skuadra nga Rumania, Gjermania dhe Rusia. Në mungesë të një stadiumi këto ndeshje i zhvillonte në Durrës.
Viti 1971 për Besën ishte vit i ndeshjeve për Kupë Ballkanike. Pas fitoreve kundër dy skuadrave jugosllave ajo takohet në finalen e Kupës Ballkanike me skuadren greke, Panionas, e cila pas dy ndeshjeve e fiton kupën.
Këto vite (1965-1975) në qytetin e Kavajës janë të njohura si “brezi i artë” i klubit të tyre. Në vitin 1972 merr pjesë në Kupat e Evropës dhe më 1974 bëhet inagurimi i stadiumit “Besa”.
Më 1981 dhe më 1992, Besa gjendet në finalen e Kupave të Shqipërisë. Në sezonet 1977-1978 dhe 1985-1986, Besa zbret nga Kategoria e Parë, për të mbetur vetëm një sezon në Kategorinë e Dytë.
Më 2007, Besa kthehet përsëri në finalen e Kupës së Shqipërisë. Kësaj radhe arrin të triumfojë kundër rivalëve historikë të Teutës me rezultatin 3-2, duke fituar trofeun e parë madhor në historinë e klubit. Në sezonin 2007-2008 Besa bën një kampionat shumë të mirë dhe renditet në vend të tretë në Superioren Shqiptare, duke fituar të drejtën që të përfaqësojë përsëri Shqipërinë në Europë, në Kupën Intertoto. Besa përsëri bëri një paraqitje të mirë në Europë duke eleminuar skuadrën qipriote Ethnikos Achnas në raundin e parë me dy barazime, 0-0 dhe 1-1. Në raundin e dytë, pavarësisht një loje të mirë, Besa u eleminua nga Grashoppers i Zyrihut me dy humbje, 2-1 dhe 3-0.
Besa fitoi përsëri Kupën e Shqipërisë në vitin 2010, që ishte një sezon i suksesshëm për kavajasit, pasi u renditën edhe në vend të dytë në kampionat. Si fituese e Kupës, Besa fitoi të drejtën që të luante në raundin e dytë të “Europa League”, ku shorti i vuri përballë një skuadër të njohur në Europë, Olimpiakos të Greqisë. Besa nuk arriti të kualifikohej kundër këtij kundërshtari të vështirë, por në gusht të këtij viti fitoi Superkupën e Shqipërisë për herë të parë ndaj Dinamos me rezultatin 3-1.

Ja ekipi plotë, sezoni 2014-2015

Kliko këtu