EKSKLUZIVE/ “Kualifikimi nuk vihet në diskutim”, heroi i Elbasanit: Pengu im? Mund të shënoja tregolësh ndaj BATE-s (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 9, 2026 | 23:08

EKSKLUZIVE/ “Kualifikimi nuk vihet në diskutim”, heroi i Elbasanit: Pengu im? Mund të shënoja tregolësh ndaj BATE-s (E PLOTË)

Paraqitja ndaj BATE Borisov ishte sinjali që Elbasani priste nga një prej afrimeve më të rëndësishme të verës.

nikaj

Ardit Nikaj debutoi me fanellën verdheblu në një mbrëmje europiane dhe e shënoi menjëherë emrin në listën e golashënuesve, duke realizuar golin që ndezi “Elbasan Arena”. Sulmuesi 24-vjeçar, i rikthyer në futbollin shqiptar pas aventurës në Poloni, ishte ndër më të mirët në fushë, duke krijuar vazhdimisht rrezik për mbrojtjen e BATE Borisov. Pas ndeshjes, në një intervistë për “Panorama Sport”, Nikaj foli për debutimin me gol, barazimin ndaj bjellorusëve, shanset e kualifi kimit dhe objektivat me fanellën e Elbasanit.

Ardit, u prezantuat me gol në debutimin tuaj me Elbasanin. Sa i kënaqur jeni?

Të them të drejtën, nga njëra anë jam i kënaqur për golin, por nga ana tjetër edhe i mërzitur, sepse kishim mundësinë ta fi tonim këtë ndeshje. Krijuam raste dhe besoj se meritonim më shumë. Megjithatë, kemi edhe një mundësi tjetër në ndeshjen e kthimit për të treguar vlerat tona.

Me golin dhe paraqitjen duket se e fituat menjëherë zemrën e tifozëve. Si ndiheni?

Kjo është një mbështetje shumë e madhe për mua dhe normalisht më bëhet qejfi që tifozët më kanë pritur kaq mirë. Shpresoj shumë që t’i kënaq gjithmonë me paraqitjet e mia dhe të vazhdoj të jap kontribut për këtë skuadër.

Si e shihni tani kualifikimin për në raundin tjetër?

Shpresoj dhe besoj se do t’ia dalim. Edhe klubi e dëshiron shumë këtë gjë, pasi janë 20 vite që e pret këtë moment. Mendoj se kemi treguar se mund të përballemi me këtë kundërshtar dhe tani duhet ta vërtetojmë edhe në ndeshjen e kthimit

Në pak javë keni krijuar harmoni në skuadër, edhe pse kanë ardhur shumë lojtarë të rinj. Si e shihni grupin?

Po, kemi afro një muaj që jemi bashkë dhe dihet se kanë ardhur shumë futbollistë të rinj. Mendoj se kemi bërë mirë, edhe pse mund të bënim edhe më mirë. Megjithatë, nuk duhet të harrojmë se kundërshtari është në aktivitet, sepse atje kampionati po luhet dhe kanë një ritëm tjetër.

Sa shanse i jepni Elbasanit për kualifikimin pas asaj që u pa në ndeshjen e parë?

Me atë që treguam në fushë nuk duhet ta vëmë në diskutim se kemi mundësi ta kalojmë këtë raund. Por futbolli është shumë i çuditshëm, ndaj duhet ta marrim gjithçka me seriozitet maksimal dhe ta studiojmë shumë mirë kundërshtarin për ndeshjen e kthimit.

Mendoni se eksperienca e BATE-s bëri diferencën?

Nuk mendoj se ndikoi shumë eksperienca. Ne krijuam afro gjashtë raste për shënim dhe ishim shumë pranë fi tores. Ndoshta ndikoi më tepër gjendja fizike, pasi ata janë në aktivitet, ndërsa ne sapo kemi përfunduar fazën përgatitore.

Cili është pengu juaj nga kjo ndeshje?

Kisha mundësinë të realizoja një tregolësh të bukur. Vetëm ajo më ka mbetur peng, bashkë me faktin që nuk arritëm ta fitonim ndeshjen.

Si po e përjetoni rikthimin në futbollin shqiptar pas aventurës në Poloni?

Po e përjetoj shumë mirë. Kam ardhur për të dhënë maksimumin për Elbasanin dhe do të bëj gjithçka që edhe unë, edhe skuadra të arrijmë sa më lart.

Keni një objektiv personal për këtë sezon?

Objektiv kam, por është ende herët për të folur. Duhet t’i marrim gjërat ndeshje pas ndeshje dhe më pas do të shohim se ku mund të arrijmë.

Cili është premtimi juaj për tifozët e Elbasanit?

Premtimi im është që do të jap gjithmonë maksimumin në fushë. Tifozët kanë për t’u kënaqur me futboll të bukur dhe me rezultate të mira.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL