Drejtuesi i Sivaspor çudit me fjalët për Rei Manajn: Qëndron këtu sepse pret të bëhet baba
Klubi i Sivaspor po zien në këto ditë pasi pret të zhvillohen zgjedhjet për të caktuar presidentin dhe drejtuesit e rinj. Por presidenti aktual i klubit, Burak Ozçoban, është gati që të vazhdojë të qëndrojë në drejtim dhe një pjesë të fushatës e ka bazuar te premtimi se Rei Manaj do të vazhdojë të jetë pjesë e klubit.

Sulmuesi mendohej se do të largohej në fund të këtij edicioni, meqë nuk arriti të kthehej me Sivaspor në elitën e futbollit turk. Por ai ka nisur stërvitjet me klubin e kategorisë së dytë turke dhe Ozçoban, në mënyrë të papritur ka zbuluar arsyen se pse Manaj nuk e sheh të arsyeshme për momentin të lëvizë nga ky klub.
“Rei Manaj pret të bëhet baba pas tre muajsh. AI dëshiron që fëmija i tij të lindë në Sivas”, tha Ozçoban, i cili insiston se kjo është për shkak të lidhjes së fortë që sulmuesi i Kombëtares ka krijuar me Sivas.
Duhet kujtuar se Manaj ka marrë oferta nga disa klube të Superligës turke, por kjo deklaratë e drejtuesit të Sivaspor, mund të jetë arsyeja pse ai për momentin i ka refuzuar të gjitha.
PANORAMASPORT.AL













