“Vakëfi ” i Beratit, djepi i legjendave të Tomorit, që mbajti peshën e futbollit. Historia e “Mapos”, pallati që nxori 13 futbollistë
Futbolli në qytetin e Beratit ka një histori të vjetër, që i kalon kufijtë e një shekulli dhe në nëntorin e këtij viti shënon plot 104 vjet.

Ashtu si kudo në botë, edhe në qytetin e një mbi një dritareve, futbolli mbetet sporti më i dashur. Por fillesat e tij të hershme i gjejmë në lagjet autoktone të qytetit, si dhe në fushat e improvizuara buzë lumit Osum. Megjithatë, sipas arkivave të kohës, kanë qenë rrugicat e lagjeve karakteristike ato që gumëzhinin nga ndeshjet e zjarrta, të mbushura me rivalitet dhe pasion.
Me kalimin e viteve, këto përballje spontane u shndërruan në kampionate lagjesh, të cilat mbartnin një rivalitet të madh sportiv. Kjo vinte edhe si rezultat i karakterit dhe krenarisë që kishte secila lagje e qytetit. Futboll luhej kudo, por epiqendra e tij ishte një nga lagjet më të njohura dhe më të vjetra të Beratit, “Vakëfi ” i famshëm.
Kjo lagje identifi kohej jo vetëm për traditat e saj, por edhe për faktin se aty jetonin kryesisht shtresat më të thjeshta të kohës. Krahas familjeve të njohura autoktone beratase, në Vakëf ishte vendosur prej kohësh edhe një pjesë e madhe e komunitetit egjiptian të Beratit, duke u bërë pjesë e identitetit dhe historisë së kësaj lagjeje.
Realisht, Vakëfi nisi të dominonte futbollin beratas për nga numri i futbollistëve që prodhonte. Edhe pse rivaliteti me lagjet e tjera të qytetit ka qenë gjithmonë i fortë, dominimi i “Vakëfit” ishte i dukshëm. Nga kjo lagje dolën brez pas brezi futbollistë që më pas u bënë shtylla të Tomorit dhe emra të respektuar të futbollit shqiptar.
Në qendër të jetës së lagjes ishin gjithmonë bisedat për futbollin. Futbollistët e Tomorit konsideroheshin heronj dhe idhuj për fëmijët e lagjes, të cilët ëndërronin të ndiqnin gjurmët e tyre. Futbolli nuk ishte thjesht një sport, por një mënyrë jetese për banorët e “Vakëfit”.
HISTORIA E “MAPOS” SË VAKËFIT, PALLATI QË U BË FABRIKË TALENTESH
Vakëfi kishte edhe epiqendrën e vet. Aty mblidheshin banorët e lagjes, por edhe tifozë nga pjesë të tjera të qytetit, për të takuar futbollistët e tyre të preferuar. Gjatë gjithë javës flitej vetëm për futbollin, për ndeshjet e Tomorit dhe për organizimin e tifozëve, si brenda ashtu edhe jashtë Beratit. Një pjesë të kësaj historie e rrëfen ish-kapiteni legjendar i Tomorit dhe “Mjeshtër i Sportit”, Petrit Çilingiri, i cili kujton me nostalgji emrat e mëdhenj që dolën nga Vakëfi dhe u kthyen në legjenda të futbollit beratas.
JA SI E PËRSHKRUAN HISTORINË PETRIT ÇILINGIRI
“Të flasësh për futbollin beratas dhe historinë e tij mbi një shekullore, është e pamundur të mos fl asësh për lagjen e njohur të “Vakëfit” dhe mbi të gjitha për futbollistët e mëdhenj që dolën prej saj. Ashtu si çdo lagje karakteristike e qytetit tonë, edhe “Vakëfi ” ka qenë shumë i lidhur me futbollin, por në mënyrë të veçantë. Kjo lagje identifikohej me familje të shtresave të thjeshta dhe lidhjet mes banorëve kanë qenë gjithmonë shumë të forta.
Është një traditë që ruhet edhe sot, pavarësisht ndryshimeve që kanë sjellë vitet dhe lëvizjet demografi ke. Në këtë frymë u kultivua edhe futbolli. Fëmijët e lagjes rrinin bashkë, shkonin bashkë në lumë dhe luanin futboll në rrugica apo në fushën e lagjes. Më pas luanin në kampionatet ndërmjet lagjeve, ku “Vakëfi ” spikaste jo vetëm për talentin, por edhe për rezultatet. Në çdo brez të Tomorit ka pasur përfaqësues nga “Vakëfi ” dhe shpeshherë ata kanë qenë shumicë. Kujtoj se në vitet ’70 dhe ’80, vetëm nga “Vakëfi ” kishte tetë futbollistë në ekipin e parë të Tomorit.
Një meritë të veçantë në zbulimin dhe mbështetjen e talenteve kanë pasur trajnerët e njohur Sabri Behri dhe Polizoi Ikonomi, të cilët ishin shumë të lidhur me lagjen. Pas tyre erdhën dhjetëra futbollistë të tjerë që u kthyen në emblema të Tomorit. Por para se të përmend emrat, dua të kujtoj një detaj interesant. Në vitin 1962, në qendër të “Vakëfit” u ndërtua pallati katërkatësh që të gjithë e njihnin si ‘Mapua e Vakëfit’, pasi në katin e parë funksiononte MAPO-ja industriale.
Ky pallat me tre hyrje dhe 18 familje ka hyrë në histori, sepse prej tij dolën plot 13 futbollistë. Ishte një rast i rrallë, që një pallat i vetëm të prodhonte kaq shumë sportistë. Aty banonte Sabri Behri i paharruar. Aty ishte familja e njohur Zinxhiria me katër futbollistë: Asqeriun, Bajazitin, Emiljanon dhe Demokratin. Ishte familja Çilingiri me tre futbollistë: Petritin, Vladimirin dhe Fatosin. Më pas vijnë emra si Agim Matrapazi, Përparim Kovaçi, Nasho Kule dhe Filip Leci. Pa harruar edhe legjendën e alpinizmit shqiptar, Petraq Kule.
Për shkak të këtyre emrave, si dhe figurave të mëdha të futbollit që dolën nga “Vakëfi ”, në parmakun e katit të parë të ‘Mapos’ mblidheshin çdo ditë dhjetëra e qindra tifozë. Ata na prisnin para dhe pas ndeshjeve për të diskutuar, për të na pyetur dhe për të ndarë emocionet e futbollit. Madje, shumë figura të njohura të futbollit shqiptar, kur vinin në Berat, ndalonin fillimisht në ‘Vakëf’.
Do të veçoja mikun tim Sajmir Dauti, që ka qenë trajner i Tomorit, arbitrin e njohur Arsen Hoxha, si dhe shumë futbollistë të tjerë nga qytete të ndryshme që kanë luajtur për Tomorin. Në fund dua të them se historia e futbollistëve të “Vakëfit” është shumë e madhe dhe nuk mund të përmblidhet në një shkrim të vetëm. Për më shumë se gjysmë shekulli, lagjja mbante zyrtarisht emrin ‘Kushtrimi’, por për beratasit ajo ka qenë, është dhe do të mbetet gjithmonë “Vakëfi ”.
Një emër që lindi nga vetë populli dhe që mbetet një simbol i historisë, traditës dhe futbollit beratas. Një lagje që nuk prodhoi vetëm futbollistë, por krijoi një kulturë sportive që vazhdon të kujtohet me krenari edhe sot”, u shpreh Çilingiri për “Panorama Sport”.
EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL













