Ish-sulmuesi, që la sportin 26-vjeç, rrëfen dramën dhe pasionin. Nasho Fili, nga largimi i detyruar në futboll tek “Alfabeti i Naftëtarit”
Historia e ish-sulmuesit që la futbollin në moshën 26-vjeçare dhe pas viteve ’90 iu përkushtua botimeve sportive. Autor i 5 librave dhe me të gjashtin në përgatitje. Nga burgosja e vëllait për sabotim në naftë, te kërcënimi me burg për ngjarjet e vitit 1988 në ndeshjen Naftëtari–Dinamo. Në vitin 2022 nderohet me titullin “Qytetar Nderi” i Kuçovës.

Nasho Fili është një figurë shumë e njohur në qytetin e Kuçovës, jo vetëm për lidhjen e tij të ngushtë dhe pasionin për futbollin, ku ka kontribuar si lojtar dhe trajner i Naftëtarit, por edhe si studiues dhe autor i historisë sportive të këtij qyteti. I diplomuar si ekonomist-kontabël, ai ka shërbyer për vite me radhë si shef finance në sektorin e naftës në Kuçovë dhe Fier, për t’u zhvendosur më pas në Tiranë, ku jeton aktualisht. Pas viteve ’90, Fili iu përkushtua botimeve sportive, duke dokumentuar me përpikmëri historinë e futbollit kuçovar dhe duke sjellë në libra ngjarje, statistika dhe personazhe që kanë lënë gjurmë në këtë qytet. Në një rrëfim të gjatë për “Panorama Sport”, ai ndalet te momentet më të rëndësishme të jetës së tij, nga karriera si futbollist, te largimi i detyruar, peripecitë gjatë regjimit komunist dhe rrugëtimi i tij si autor librash.
Kush është Nasho Fili?
Kam lindur në vitin 1950 në qytetin e Beratit, në një familje të njohur me prirje intelektuale prej tre brezash. Nëna ime është nga Vlora, por mund të them pa hezitim se jam “natyralizuar” si kuçovar, për vetë historinë e jetës sime. Formimi im arsimor dhe lidhjet e mia më të forta jetësore e sportive janë të gjitha të lidhura me Kuçovën. Një rol të madh në këtë drejtim ka luajtur familja ime, sidomos babai, i cili kishte një pasion të jashtëzakonshëm për sportin dhe na e transmetoi edhe neve fëmijëve këtë dashuri. Nga katër vëllezër që jemi, unë u përfshiva në futboll, ndërsa tre të tjerët u morën me volejboll, një rast jo shumë i zakonshëm për atë kohë.
Si vijoi karriera juaj?
Fillimet e mia në futboll kanë qenë shumë premtuese. U aktivizova fillimisht me ekipin e shkollës së pionierëve dhe më pas kalova te të rinjtë. Në sezonin 1965–1966 spikata si golashënuesi më i mirë i kampionatit me 15 gola, çka bëri që në moshën 17-vjeçare të kaloj në ekipin e parë të Naftëtarit. Aty pata fatin të punoja me trajnerë të njohur si I. Hoxha, N. Hoxha, P. Ikonomi dhe F. Duro, të cilët më ndihmuan shumë në formimin tim si futbollist. Një nga momentet më të veçanta ishte finalja e vitit 1966 në Kategorinë e Dytë ndaj Pogradecit, ku arrita të shënoj një gol. Dy vite më pas, për shkak të studimeve të larta, u aktivizova me ekipin e Studentit. Në finalen e vitit 1968 ndaj Naftëtarit ndodhi një episod që më ka mbetur gjatë në mendje, refuzova të luaja kundër ekipit tim të zemrës. Trajneri Osman Caclli u habit dhe më ndëshkoi, por unë isha i bindur në vendimin tim.

Pas kësaj periudhe, nga viti 1972 deri në 1976 u riktheva te Naftëtari, duke luajtur edhe në Kategorinë e Parë. Punova me trajnerë të njohur si Bejkush Birçe dhe Fatbardh Deliallisi. Në atë kohë isha në kulmin e formës sime sportive, kisha marrë pjesë edhe në një turne në Kosovë ku shënova gola dhe luaja përkrah futbollistit të madh kuçovar Bashkim Sulejmani. Megjithatë, në mënyrë të papritur, vendosa ta lë futbollin në moshën 26-vjeçare.
Pse e latë futbollin?
Arsyeja kryesore ishte dënimi i vëllait tim me 15 vite burg për “sabotim në ekonomi”. Ai ishte një nga specialistët më të mirë të naftës në Shqipëri, por regjimi i kohës e dënoi rëndë, në një periudhë kur shumë figura të njohura të këtij sektori u burgosën apo u pushkatuan. Për mua filloi një kalvar i gjatë dhe i dhimbshëm. Shkoja nga një burg në tjetrin për ta takuar, duke kaluar një periudhë shumë të vështirë psikologjikisht dhe familjarisht. Në këto kushte, u detyrova të lë futbollin dhe të përqendrohem te puna si financier në sektorin e naftës. Edhe pse vazhdoja të shkoja në stadium dhe të ndiqja stërvitjet, largimi im nga futbolli ishte i pashmangshëm. Situata politike dhe frika nga ndëshkimi i mundshëm ndaj familjes ishte gjithmonë e pranishme.
Si rrodhën ngjarjet më pas?
Një tjetër moment i fortë në jetën time ishte ai i vitit 1988, gjatë ndeshjes së famshme Naftëtari–Dinamo, e cila u shoqërua me tensione dhe trazira. Unë ndodhesha në tribunë dhe në një moment tensioni po u bëja thirrje tifozëve të qetësoheshin dhe të mos përshkallëzonin situatën. Por pa e kuptuar, përpara meje ndodhej edhe kryetari i Gjykatës së Beratit. Më pas, në gjyqin popullor që u zhvillua për këtë ngjarje, ai më përmendi si nxitës të dhunës. Kur tentova të sqaroja situatën, ai më ndërpreu ashpër dhe më kërcënoi duke më thënë: “Pusho, se tani të vë prangat, dhe mos harro se kush je”. Ishte një moment shumë i rëndë për mua. Për disa çaste mbeta i ngrirë nga frika, pasi rrezikoja realisht të përfundoja në burg, ashtu siç ndodhi me mikun tim, ikonën Bashkim Sulejmani, i cili bëri një muaj burg.
Kur dhe pse u rikthyet në futboll?
Pas viteve ’90, shumë miq dhe shokë më nxitën të rikthehesha në futboll, këtë herë si trajner. Nga viti 1996 deri në 1998 drejtoja ekipin e të rinjve të Naftëtarit, ndërsa më pas, në vitin 2005, punova edhe me ekipet e fëmijëve. Megjithatë, angazhimet e mia profesionale në sektorin e naftës më detyruan të shkëputem përfundimisht. Kam punuar për 12 vite në Fier dhe në vitin 2007, kur “ARMO” u transferua në Tiranë, u zhvendosa edhe unë me familjen në kryeqytet. Por lidhja ime me Kuçovën nuk është shkëputur kurrë.
Si lindi pasioni për librat?
Ideja për të shkruar libra lindi para viteve 2000, gjatë një bisede familjare me një nga vëllezërit e mi. Prej vitesh mbaja shënime, statistika dhe materiale të ndryshme sportive, si dhe një arkiv të pasur me gazeta sportive, si para viteve ’90, ashtu edhe pas tyre. Vendosa që këtë pasion ta konkretizoj në libra. Botimi i parë ishte “Naftëtari në vite” në vitin 2000. Më pas erdhën botime të tjera si: “Në albumin e kujtimeve”, “Kuçova Sportive”, libri për Bashkim Sulejmanin dhe së fundmi “Alfabeti i Naftëtarit nga A tek ZH”. Aktualisht jam duke punuar për librin e radhës, “Albumi Sportiv për Naftëtarin”, i cili do të përmbledhë një volum të madh faktesh dhe ngjarjesh, që nga ndeshjet e para të vitit 1946 e deri në ditët e sotme.
Pse “Alfabeti i Naftëtarit”?
Sepse përmes çdo shkronje të alfabetit kam përfaqësuar një histori apo një ngjarje sportive. Është një mënyrë origjinale për të sjellë historinë e klubit dhe për ta bërë më tërheqëse për lexuesin.
A keni vështirësi në botime dhe si jeni vlerësuar?
Vështirësitë janë të shumta, sidomos në aspektin financiar dhe në mungesën e mbështetjes institucionale. Ka edhe raste paragjykimesh apo keqkuptimesh, kur dikujt mund t’i mungojë emri apo një episod i caktuar në libra. Megjithatë, ka edhe njerëz dhe institucione që e vlerësojnë dhe të mbështesin. Unë nuk shkruaj për të marrë vlerësime personale, por për të dokumentuar historinë sportive të Kuçovës dhe për ta lënë atë si trashëgimi për brezat. Në vitin 2022 u nderova me titullin “Qytetar Nderi” nga Bashkia e Kuçovës, një vlerësim që më motivon të vazhdoj këtë rrugëtim me edhe më shumë përkushtim.
EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL













