Cikli i mendimit kritik/ Kampionia Egnatia, por dhe “Kampionet” Vllaznia e AF Elbasani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2026 | 23:30

Cikli i mendimit kritik/ Kampionia Egnatia, por dhe “Kampionet” Vllaznia e AF Elbasani

Nga BESNIK DIZDARI 

Po filloj me këte shkrim të parë të ciklit tim të ri të mendimit kritik për Kampionatin e Shqipërisë. Për një çast ndokuj do t’i duket se nuk do të them diçka të re, kur kujtoj se shkrimet e mendimit kritik për këte kampionat me vetëm 10 skuadra, kanë qenë të shumtë.

egnatia

Një kampionat i cili mandej, për te 10 ditë me vetëm nja 3 ndeshje për skuadër, flak tej kontribuesit më të mëdhej të plot 36 javëve, pra të një gare të një viti të tanë. E, ndërkaq, ndonëse lexuesi do të mbetet i habitur me titullin, unë për vete këmnbëngul në te. E kam fjalën për titullin e këtij shkrimi që, siç e lexoni në krye, është ky pra: “Kampionia Egnatia, por dhe “Kampionet” Vllaznia e AF Elbasani”. Kampionia Egnatia është e tillë sepse mbas 3 ndeshjeve të saj spektakolare, mposhti me meritë dy të mëdhej të këtij Kampionati 2025-26.

Egnatia është kështu, Kampionia, si të thuash, e parë. Kësisoji, sa për zotësinë e saj të pamohueshme po aq edhe të skemës absurde, krejt të papranueshme të Federatës Shqiptare të Futbollit – “shpikëse” kryefortë kjo – e asaj që quhet jo shqip “Final Four”. Ndërkaq, Kampione më duket se është edhe Vllaznia e Shkodrës falë triumfit të saj të mbas një viti garë të 36 javëve të mundishme të saj.

Një garë maratonomake që nxori këte Renditje kryesuese për katër të parët: E shihni se skuadra shkodrane e ka fituar “titullin” duke qenë në krye me 1 pikë mbi skuadrën elbasanase, me 18 fitore, pra më shumë se askush, dhe me golaverazhin më të mirë nga të gjithë: 42-27. Të duket se këtu mbaron historia. Mirëpo që ja që për Federatën Shqiptare të Futbollit nuk mbaron këtu. Pa pikë mëshire ajo i thotë Vllaznisë se: “për t’u shpallë Kampione të urdhëroj që të vish në Tiranë, të luash edhe 3 herë të tjera e mandej “shih e bëj!”. Duket qartë se, për këte Federatë, 36 javë në krye kanë shumë pak vlerë, kanë shumë pak rëndësi.

Dhe ka guximin ta “barazojë” Vllazninë edhe me një rivale që kurrsesi nuk ishte rivale. Që është Dinamo e Tiranës e cila mbas 1 viti garë ka bukur 14 pikë më pak se Vllaznia, pa harruar se kjo Dinamo nuk do të luante në Shkodër, Elbasan apo Rrogozhinë, por do të luante në Tiranën e Dinamos, në stadiumin e qytetit të saj. Çka tregon se Vllaznia, fitimtare e 36 javëve, nuk luan të paktën në një fushë asnjanëse, por në fushën e qytetit të kësaj Dinamoje! Padrejtësi në fuqi të katërt! Dhe Vllaznia – Dinamo 0-2! Shkojmë më tej. FSHF me prepotencë të dënueshme i përgjysmon pikët e 36 javëve dhe Dinamo nga 14 pikë reale mbrapa Vllaznisë, ngushtohet në vetëm 6 pikë.

Kjo do të thoshte që nëse kjo Dinamo i ftonte 3 ndeshjet e Vllaznia i humbte, Kampione mund ishte kjo Dinamo e cila mbas një viti garë ndodhej 14 pikë mbrapa Vllaznisë. Çka për fat nuk ndodhi. Pa harruar ndërkohë, se Vllaznia kryesoi plot 21 javë të Kampionatit. Një përgjysmim ky, që dënon ashpër padrejtësisht kryesuesin e një epërsije sunduese dhe i fal jetë të pameritueme një ndjekësi thuajse të mbaruar si Dinamo, që siç u pa gjithshtu erdhi në katërshen për titull. Me sa duket vetëm për të mundë plot pasion Vllazninë e për të bërë një ekskursion të qetë, qoftë dhe me Egnatian në ndeshjen që përcaktonte titullin… Shkojmë te Kampionia tjetër.

Eshtë AF Elbasani, sepse i ka përfunduar 36 javët e kampionatit me vetëm 1 pikë larg Vllaznisë (62) dhe është 13 pikë mbi Dinamon e bukur 5 pikë mbi Egnatian që u rendit e treta. Dhe çka ndodhi? Ndodhi që Egnatia i fitoi me meritë të plotë tri ndeshjet e stilit të turneut të rrufeshëm 2 javor – jo 36 javor – të FSHF, ndërsa AF Elbasani fitoi dy dhe u barazua me pikë me skuadrën e Rrogozhinës. Kampione shpallet Egnatia në një finish të barabartë nga 37 pikë secila. Mirëpo ja që në 5 ndeshjet midis tyre të një barazije milimetike AF Elbasani ka ndoj gol më pak se Egnatia.

Lind pyetja: a vërtet gjatë Kampionatit 36 javësh Egnatia ka pasë më shumë merita se AF Elbasani? (Se nga Vllaznia as edhe një të vetme). Kurrsesi! Skuadra e Elbasanit përveçse pati 5 pikë mbi te, ka kryesues 10 javë të Kampionatit, ndërsa Egnatia vetëm 5 javë. Mirëpo, ja që 36 javë Kampionat për FSHF-në janë shumë më të vogla se sa nja 10 ditë të 6 ndeshjeve të stadiumit të njëanshëm “ku rri me shtëpi” Dinamo. Dhe e vërteta e fundit: AF Elbasani dhe Egnatia me të gjitha këto, përfunduan me pikë të barabarta: nga 37 pikë secila. Ndonëse në tanësi skuadra e Elbasanit ke tri merita e ajo e Egnatias ndaj saj ka vetëm një meritë: fitoren e bujshme 4-0 të “të famshmes” Final Four.

Tash, si përmbyllje po më ndihmon perifrazimi i këtyre rradhëve “të dikurshme” që më thonë se edhe ky Kampionat pati vetëm çoroditje, deformim të plotë të garës – pa shkuar te tradita e konsoliduar – për titullin kampion. Ka vetëm shuarje të arritjeve të një viti gare për skuadrat. Ka vetëm artificialitetin e plotë të garës. Ka vetëm njëanshmërinë kryeqytetase. Me stadium thuajse pa spekatorë, e s’di se çka. Ka vetëm denatyrim të plotë të garës për titullin kampion.

Ka vetëm shuarje të arritjeve të një viti kampionat për skuadrat, ku Kampione doli skuadra e vendit të tretë të 36 javëve Kampionat. Madje, duke i thënë “ndal” deri dhe spektatorëve të skuadrave për të cilët kujtojnë se do të udhëtojnë me nxitim për të ardhur në Tiranë për këte farë “Final Four”. Pse jo, për të parë ndoshta edhe se si e dorëzon titullin skuadra e tyre e cila e “ka fituar” një herë në bukur 36 javë Kampionat. Kështu pra: Kampionati 2025-26 ka jo një, por tri Kampione.

Do ta vazhdojmë në numra të ardhshëm ciklin tonë të një mendimi kritik, pse jo, edhe analitik për Kampionatin e Shqipërisë..

PANORAMASPORT.AL