Cikli i mendimit kritik për Kampionatin e Shqipërisë/ Prap ju me vetëm 10 skuadra?!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 25, 2026 | 21:13

Cikli i mendimit kritik për Kampionatin e Shqipërisë/ Prap ju me vetëm 10 skuadra?!

Nga BESNIK DIZDARI
… Le të vazhdojmë pra, me Editorialin Nr. 3 të ciklit tonë kritik.

komiteti ekzekutiv

Ndërsa, për hir të së vërtetës, të dy këta nëntituj janë një përsëritje me vetëm ndonjë ndryshim të vogël në emrat e skuadrave të cituara. Hoqa Tomorin e Beratit që e keni degdisur në Kategorinë e Tretë. Kjo edhe ngaqë me stinën 2025-2026, ndodhën befasi krejt të papranueshme. Ra dhe Flamurtari i Vlorës!

E, tash, vështroni hartën e Shqipërisë kushtuar Kampionatit të saj Kombëtar të Futbollit, që shoqëron këte Editorial Nr.3. Vështrojeni pak gjatë, pra, pa u ngutur. Do të shihni se sa asgjësuese që është. Veriu mirëfilli i Shqipërisë ka vetëm Vllazninë e Shkodrës. Teksa, hapësira boshe e futbollit të Jugut është mjerane. Duket vetëm Skenderbeu i sapo kthyer dhe nuk ka të tjerë. Ndërkohë mesi i Shqipërisë ka plot 7 skuadra: SK Tirana e SK Tiranës, Partizani i Tiranës, Dinamo e Tiranës, FK Vora e Tiranës, Teuta e Durrësit, Egnatia e Rrogozhinës, AF Elbasani i Elbasanit! Kjo do të thotë se ju pa pikë mëshire paskeni dëshirë të paspjegueshme për të organizuar një Kampionat të Shqipërisë kryesisht për zonën e Shqipërisë së Mesme.

Janë plot 7 skuadra të ngjeshura pranë njëra tjetrës, në një rreth që ta merr frymën në ngushtinë e tij të një perimetri gjeografik unikal, që, ngado që ta matësh, nuk i kalon 40- 50 kilometra! Kjo do të thotë se 70 përqind e skuadrave të Kampionatit të Shqipërisë janë fqinje. As rrethi i skuadrave të shumta të Londrës me klube legjendarë, nuk është i tillë. Dhe, 4 nga 10 skuadrat janë të “rrethit të Tiranë”: Vorë, SK Tiranë, Partizan, Dinamo! Çka do të thotë se 40 përqind e skuadrave janë thuajse të një qyteti të vetëm. Ky është rekordi botëror i vendosur nga Shqipëria e cila ka një nga kampionatet ndër më modestët në Europë. Si është e mundur ta pranoni këte ngushtim, deri aty saqë gati gati të duket se kemi të bëjmë jo me një kampionat kombëtar, por lokal?…

dssdadsadsasaddas

Dhe shihni se çfarë ka harta poshtë Elbasanit. Ka vetëm një skuadër: Skenderbeun e Korçës. Mungojnë Flamurtari i Vlorës, Tomori i Beratit, Luftëtari i Gjirokastrës, Apolonia e Fierit, KS Lushnja e Lushnjës. E, duke shkelë paksa gjeografinë jugore, po u afroi këtyre edhe Besën e Kavajës, sot pa stadium, në të cilin pashë këto dit duke u hazdisur kuajt! Dhe Besa luan në një fshat që është Luzi. E pra, këta 6 emra qytetesh kanë qenë krenari e pasur gjeografike gati 90 vjeçare e Kampionatit të Shqipërisë. Sot “askurgjë”?

S’kam çka bëj. Edhe kësaj here më duhet të përsëris thënien emblematike të Loro Boriçit të madh: “Na duhen më shumë skuadra në Kampionat. Mbasi je lodhë e munduar fort me rivalin madh e mezi i ke shënuar një gol, duhet të vijë java tjetër e të kesh përballë një skuadër të lehtë, për ta mundur me shumë gola. Sepse ku do të mësojnë tjetërkund lojtarët me ba gola?”…

Kështu e mbyllte Boriçi legjendar për ne, retorikën e tij. Duket si një thënie arkaike, mirëpo ja që kështu si keni vepruar, befas ajo shndërrohet në një thënie aktuale. Dhe këte, mjeshtri i madh e thoshte qysh heret, ndonëse asokohe kishim një Kampionat jo me vetëm 10 skuadra, si sot.

E unë, një gazetar, jo një trajner, që ashtu si dhe shumë të tjerë, siç e kam shkruar njëqind herë, jam për 16 skuadra. Ashtu siç i kemi pasur Kampionatet e viteve 1955, 1993, 1995. Madje dy herë, më 1996, 1997 e 1998 kemi patur 18 skuadra. Dhe nuk qe përmbysë Bota! Asisoji qytetet e vërteta, jo artificiale të futbollit kombëtar, mbanin pranë e pranë mbi shpatullat e tyre, peshën e vërtetë, po qytetare të Kampionatit të Shqipërisë.

Ndërkaq, 12 edicionet e fundit, këto të viteve 2015 – 2026 me vetëm 10 skuadra, nuk shënuan asnjë rritje e fuqizim të Kampionatit, madje shënuan rënie. Mbërriti puna që kush nuk qe jashtë Kampionatit Kombëtar! Deri edhe SK Tirana, Vllaznia, Dinamo, Skenderbeu, AF Elbasani, Flamurtari, Besa! Kjo e fundit madje, ka qysh ga viti 2014, 12 vjet rresht e cila nuk e din se çka është Kampionati i parë i Shqipërisë.

Lind pyetja: përse FSHF është kaq prepotente me Kampionatin me 10 skuadra? Mos ka menduar ngaqë 10 skuadra ajo i bën zap më lehtë?…

Kuptohet ndërkaq, se për të mbërritur, bie fjala, te 16 skuadrat, na duhen edhe 6 skuadra të tjera. Apo për të mbërritur qoftë edhe te një kampionat me 14 skuadra. Skemat për ta jetësuar këte, dihet janë të pafund.

Skuadrat e shtuara mund të dalin mbas një turneu me sistemin e grumbullimit në një qytet, përshembull midis dy skuadrave të fundit të 10-shes të cilave iu shtohen 6 skuadrat e para të Kategorisë së Dytë (rrêjshëm e Parë) dhe 4 apo 6 të parat e këtij turneu hyjnë në Kampionatin 2026-27 që do të kishte pra, 16 apo 14 skuadra.

E mandej? Mandej Kategoria e Dytë, edhe ajo në një grup po me 16 skuadra, ku tri të parat e secilit grup hyjnë drejtpërdrejt në Kampionatin tjetër Kombëtar, e ku prej të 16-tave të këtij, mund të bijen tre të fundit. Nuk e di nëse e merrni me mend sado pak, se sa do të forcohej gara! Po më tej? Më tej Kategoria e Tretë, të cilën po deshët mund ta bëni zonale apo rajonale.

Kampionati Kombëtar kërkon me padurim 16 skuadra, e pakta 14.

Në vitin 2010 kam botuar shkrimin e parë në gazetën “PanoramaSport”, nën këte okielo (mbititull): “2010 – prirje për ndryshime të domosdoshme”. Shkrimi mbante titullin: “16 skuadra? Po! Kjo mund ta shpëtojë Kampionatin Kombëtar”. Pa harruar thënien e famshme latine, “Errare humanum est, perseverare autem diabolicum”. (“Me gabue është njerëzore, me këmbëngulë në gabim, është djallëzore”)”.

Tash, mund të them se ka plot 16 vjet që është këmbëngulë mû në gabim dhe kjo doemos rrezikon të shndërrohet në djallëzore.

Vendimi për shtimin në 16 apo 14 skuadra, menjëherë, qysh në këte vit apo stinë 2026-27, nuk e cënon aspak seriozitetin e drejtimit të Kampionatit. Dhe ky ndryshim i menjëhershëm, nuk ka të bëjë aspak me UEFA-n, e cila e di më mirë nga ne se nuk ka asnjë të drejtë ligjore të ndërhyjë në skemën e Kampionatit të një shteti, siç pata shkruar, ngaqë për ndryshimin e menjëhershën na kërcënonin pikërisht me UEFA-n.

Më 14 prill 2018, në Editorialin Nr.10 të Kampionatit me titullin “Më shumë se i yni, ky është Kampionati i FSHF”, kam ritrajtuar edhe një herë fatalitetin e vendit të 9-të Kampionatit, që mund të çonte në Kategorinë e Dytë Vllazninë e Shkodrës ose Teutën e Durrësit.

Dhe vështroni se çka ndodhë në gjithë këto vite: SK Tirana e Dinamo ranë nga Kategoria thjesht sepse zunë vendin e 9-të në Kampionatin Kombëtar. Po kështu edhe Vllaznia e së fundi Skenderbeu thjesht sepse zuri po vendin e 9-të. Kështu pra, mund të jesh një nga 9 skuadrat e para të Kampionatit të vendit tënd dhe megjithate mund të përjashtohesh nga Kampionati.

Dhe shkojmë te historia tjetër. Më 1999 Apolonia e Fierit u rendit e 13-ta, por nuk zbriti, sepse Kampionati kishte bukur 16 skuadra. Nuk zbriti as Besa, e 14-ta, ngaqë Kampionati kishte pra 16 skuadra. Po për këte numër skuadrash pjesëmarrëse, nuk kanë zbritur as Elbasani (i 13-ti), as Luftëtari i Gjirokastrës i 15-ti. Më 1998 Flamurtari u rendit i 15-ti, por nuk zbriti sepse Kampionati kishte 16 skuadra dhe binte vetëm një. Më 2001 Tomori i Beratit u rendit i 12-ti, por nuk zbriti ngaqë Kampionati kishte 14 skuadra.

Mund të vazhdoja gjatë, por po e mbyll duke iu rikujtuar rastin e 17 Nëntorit (sot SK Tirana) e cila më 1974 u rendit në vendin 13, por nuk zbriti nga që Kampionati kishte 14 skuadra. Dhe skuadra e vendit të 13- të kalonte në një play out me të dytën e Kategorisë së Dytë, ndeshje të cilën skuadra e Tiranës e kaloi me sukses.

Shihet qartë që një Kampionat me 14 po 16 skuadra, ruan një ton mirëfilli më kombëtar. Dhe nuk mund të krahasohet kurrsesi me kampionatin e sotëm, kur prej 10 skuadrave u kërkua të dilnin jashtë deri 3 skuadrat e fundit, kur kujtojmë një ndeshje play-out në fushën e Durrësit, krejt artificiale, ate Teuta – KF Pogradeci. Pasion i madh për të përjashtuar!…

E kemi shkurtuar numrin e skuadrave vetëm prej prepotencës së FSHF-së në gjithë këto 12 vjetë të fundit. Që, siç kam shkruar me kohë, ndoshta Komiteti Ekzekutiv i saj në ndonjë mbledhje të shpejtë a të gjatë, ka vendosur pa pyetur askend (në vend që të bëjë, pse jo, një lloj referendumi) të shkurtojë për “qejfin” e vet numrin e skuadrave. Si të ishte Kampionati i Shqipërisë pronë private e këtij Komiteti Ekzekutiv.

Kujtojmë ndërkaq, se një sondazh i vitit 2018, pat qenë rasti i parë i fuqishëm për dëshirën për shkëputje të klubeve nga tutela e FSHF-së e cila duket qartë që me zvarritjen e saj të pafund ka penguar themelimin e Ligës Kombëtare të Futbollit. Çka do të ishte autonomia e fortë e klubeve për t’u shkëputur nga tutela e drejtimit të saj deri në këte masë të palejueshme si sot. Dhe vazhdoj të përsëris edhe këtu thënien tallëse që u pat dëgjur të ishte kjo: “Le të bijen nga Kategoria Kavaja e Elbasani, Tirana e Dinamo, sepse edhe Juventusi e Milani kanë rënë”. Kujtonin se Kategoria e Dytë e Shqipërisë kishte nivelin e lartë të Serie B të Italisë! Kur dihet se Kampionatet e Kategorisë Dytë e të Tretë të Shqipërisë (se të tillë janë, pra nuk janë të Parë e të Dytë) të cilët vijnë mbas asaj që artificialisht quhet “Superligë”, nuk kanë as ata asnjë rritje. Kësisoji, është e pafalshme, që dikush mbron ende Kampionatin e dështuar Shqiptar me 10 skuadra. Kushdoqoftë ai. Më e pakta kjo tregon se këta personazhe, nuk ndjejnë asnjë dhimbje për futbollin e Vlorës, Gjirokastrës, Kavajës, Beratit, Fierit, Lushnjës… Çka do të thotë se nuk ndjejnë dhimbje për tanësinë e futbollit tradicional qytetar të Shqipërisë

Tek e keni edhe këte herë më të plotë historinë e ndryshimeve organizuese të të gjithë Kampionateve të Shqipërisë, të dhëna simbas viteve të stinave. Ky përimtim kaq i plotë, i realizuar me mund, jo me plagjiat, ribëhet duke vënë për çdo vit dhe skuadrën kampione.

Kronologjia e të gjitha ndryshimeve është kjo:

1930 – SK TIRANA: 6 skuadra.
1931 – SK TIRANA: 7 skuadra dy grupe.
1932 – SK TIRANA: 5 skuadra.
1933 – SKENDERBEU: 5 skuadra.
1934 – SK TIRANA: 7 skuadra.
1936 – SK TIRANA: 8 skuadra.
1937 – SK TIRANA: 10 skuadra.
1939 – SK TIRANA: 8 skuadra dy grupe.
1940 – VLLAZNIA: 8 skuadra dy grupe.
1942 – SK TIRANA: 10 skuadra tre grupe.
1945 – VLLAZNIA: 12 skuadra dy grupe.
1946 – VLLAZNIA: 12 skuadra dy grupe.
1947 – PARTIZANI: 9 skuadra.
1948 – PARTIZANI: 14 skuadra dy grupe.
1949 – PARTIZANI: 9 skuadra.
1950 – DINAMO: 12 skuadra dy grupe.
1951 – DINAMO: 14 skuadra.
1952 – DINAMO: 20 skuadra tre grupe.
1953 – DINAMO: 10 skuadra.
1954 – PARTIZANI: 12 skuadra.
1955 – DINAMO: 16 skuadra.
1956 – DINAMO: 9 skuadra.
1957 – PARTIZANI: 8 skuadra.
1958 – PARTIZANI: 8 skuadra.
1959 – PARTIZANI: 8 skuadra
1960 – DINAMO: 10 skuadra.
1961 – PARTIZANI: 10 skuadra.
1962-63 – PARTIZANI: 12 skuadra.
1963-64 – PARTIZANI: 12 skuadra.
1964-65 – SK TIRANA: 12 skuadra.
1965-66 – SK TIRANA: 12 skuadra.
1966-67 – DINAMO: 12 skuadra.
1968 – SK TIRANA: 14 skuadra.
1969-70 – SK TIRANA: 14 skuadra.
1970-71 – PARTIZANI: 14 skuadra.
1971-72 – VLLAZNIA: 14 skuadra.
1972-73 – DINAMO: 14 skuadra.
1973-74 – VLLAZNIA: 14 skuadra.
1974-75 – DINAMO: 14 skuadra.
1975-76 – DINAMO: 12 skuadra.
1976-77 – DINAMO: 12 skuadra tri faza (e treta në dy grupe).
1977-78 – VLLAZNIA: 12 skuadra dy faza.
1978-79 – PARTIZANI: 14 skuadra.
1979-80 – DINAMO: 14 skuadra.
1980-81 – PARTIZANI: 14 skuadra.
1981-82 – SK TIRANA: 14 skuadra.
1982-83 – VLLAZNIA: 14 skuadra.
1983-84 – KS ELBASANI: 14 skuadra.
1984-85 – SK TIRANA: 14 skuadra.
1985-86 – DINAMO: 14 skuadra.
1986-87 – PARTIZANI: 14 skuadra.
1987-88 – SK TIRANA: 14 skuadra tri faza (e treta në dy grupe).
1988-89 – SK TIRANA: 12 skuadra tri faza (e treta në dy grupe).
1989-90 – DINAMO: 12 skuadra tri faza.
1990-91 – FLAMURTARI: 14 skuadra tri faza.
1991-92 – VLLAZNIA: 16 skuadra.
1992-93 – PARTIZANI: 16 skuadra.
1993-94 – TEUTA: 14 skuadra.
1994-95 – SK TIRANA: 16 skuadra.
1995-96 – SK TIRANA: 18 skuadra.
1996-97 – SK TIRANA: 18 skuadra.
1997-98 – VLLAZNIA: 18 skuadra.
1998-99 – SK TIRANA: 16 skuadra.
1999-00 – SK TIRANA: 14 skuadra.
2000-01 – VLLAZNIA: 14 skuadra.
2001-02 – DINAMO: 14 skuadra.
2002-03 – SK TIRANA: 14 skuadra.
2003-04 – SK TIRANA: 10 skuadra katër faza.
2004-05 – SK TIRANA: 10 skuadra katër faza.
2005-06 – KS ELBASANI: 10 skuadra katër faza.
2006-07 – SK TIRANA: 12 skuadra tri faza.
2007-08 – DINAMO: 12 skuadra tri faza.
2008-09 – SK TIRANA: 12 skuadra tri faza.
2009-10 – DINAMO: 12 skuadra tri faza.
2010-11 – SKENDERBEU: 12 skuadra tri faza.
2011-12 – SKENDERBEU: 14 skuadra.
2012-13 – SKENDERBEU: 14 skuadra.
2013-14 – SKENDERBEU: 12 skuadra tri faza.
2014-15 – SKENDERBEU: 10 skuadra katër faza.
2015-16 – SKENDERBEU: 10 skuadra katër faza.
2016-17 – KF KUKESI: 10 skuadra katër faza.
2017-18 – SKENDERBEU: 10 skuadra katër faza.
2018-19 – SKENDERBEU: 10 skuadra katër faza.
2019-20 – SK TIRANA: 10 skuadra katër faza.
2020-21 – TEUTA: 10 skuadra katër faza
2021-22 – SK TIRANA: 10 skuadra katër faza
2022-23 – PARTIZANI: 10 skuadra katër faza
2023-24 – EGNATIA: 10 skuadra katër faza + për titull i 4 të parave
2024-25 – EGNATIA: 10 skuadra katër faza + për titull i 4 të parave
2025-26 – EGNATIA: 10 skuadra katër faza + për titulli 4 të parave

A thua do t’i studjoni bukur e mirë para se të vendosni, qoftë edhe “personalisht”, për ndryshimet urgjente?

E shihni që janë plot 40 ndryshime në 96 vjet kampionate. Rekord botëror i markës shqiptare! Por, interesant: kampionatet më të shumtë, plot 34 herë janë kampionate me + 14 skuadra e më tepër. Dhe pikërisht këta janë kampionatet më të bukur dhe më cilësorë të Shqipërisë. Ndërkohë që shkurtimi i skuadrave në vetëm 10, nuk solli asnjë rritje dhe fuqizim të Kampionatit, por zbehu edhe më tej cilësinë e tij. Ka dështuar ky variant i proklamuar si shpëtimtar. Ka dështuar plotësisht varianti me “10” i katër fazave monotone, më i rrezikshmi – frytet e të cilit janë përjashtimet e bujshme të skuadrave të qendrave të mëdha futbollistike deri dhe me Partizan, Dinamo, SK Tiranë, Vllazni, Elbasan, Flamurtar, Skenderbe të cilët së bashku kanë fituar plot 83 Kampionate të Shqipërisë. Në të vërtetë 86!

Dhe ka stërdështuar mënyra e tre vjetëve të fundit të Kampionatit, kjo e “final four”-t “vrasës”! Me këte jeni fajtorët më të parë që tronditët për keq vlerat e Kampionatit të Shqipërisë, duke mbërritur deri në boshatisje të tribunave të stadiumit modern të njëanshëm të Tiranës. E tash, duhet një drejtim titanik për të mbërritur kthesën e madhe të shumëpritur.

Ndërkaq, për çudi të pamatë shohim se i gjithë ky dështim nuk iu bën përshtypje. Dështoi më 2023-24. Dhe ju prap vazhduat. Dështoi më 2024-25 dhe ju prap nuk deshët t’ia dinit. Dështoi më 2025-26, e tash prap nuk po dini bash mirë se çka do të bëni. Jeni vërtet fantastikë! Nuk patët burrërinë të kërkoni të falur, qoftë dhe formalisht. Për çudi, ngjasoni jo pak me drejtimin e dështuar qeveritar të Shqipërisë, kundër të cilit kanë shpërthyer demostrata gjigande të papërmbajtëshme të rinisë shqiptare.

E dimë, me në krye ju, do të ketë njerëz që nuk do t’iu mbushet mëndja për këte dështim që tronditi skuadrat e qyteteve më themelues e më tradicionalë të fubollit kombëtar: Tiranë, Shkodër, Elbasan, Korçë, Vlorë. Dihet, në Shqipëri për shumë gjëra, ka prepotencë, jo llogjikë demokratike dhe studjuese. Por po aq dihet, se gazeta dhe gazetari kanë vetëm një të drejtë: të kritikojnë dhe të propozojnë edhe një herë në kohën e duhur ndryshimin, në këte rast rikthimin te organizimet më të mira, më serioze, më të vërteta të garës në mbi nja shtatë a tetë dekada të Kampionatit të Shqipërisë. Kësisoji, në mënyrë që stina e re, ajo 2026-27, të na gjejë me një Kampionat tjetër. Ashtu siç e patën kërkuan 30 klubet e sondazhit të gazetës vite parë.

egnatia

Dështimi i Kampionatit të shifrës “10”, shihet qartë edhe në tregues të tjerë. Mbi të gjitha kur kujton ikjen dhe shterrimin e pashembullt të spektatorit. Në të shumtën e ndeshjeve nuk po kemi mesatarisht as dhe 700 shikues për ndeshje. Ky është shkatërrimi i madh. Kampionati Kombëtar i Shqipërisë ka përfunduar në një shfaqje thuajse pa spektatorë.

Dhe vazhdon të mungojnë cilësia dhe e qëndrueshmia në drejtimin e klubeve “presidencialë” shqiptarë. Mbi të gjitha mungon veprimtaria e Ligës Kombëtare të Futbollit. E çka nuk mungon! Përjashto ndërtimin e hijshëm të një pjese të mirë të fushave (e, edhe ato sa shpejt po prishen) dhe e ndërtimit të tre stadiumeve modernë, “Elbasan Arena”, “Loro Boriçi”e “Air Arena Stadium”.

E keni ulur tejet “piazzan”e Kampionatit të Shqipërisë. Nuk e keni ulur thjesht ngaqë kanë shpërthyer forca të reja, klube të rinj modernë, me financa të fuqishme, të një stili europian të tipit teuton të një Leipzig e Hoffenheim, apo dhe të tipit italian Sassuolo, përjashto Egnatian e Rrogozhinës, për fat pa asnjë lojtar të të ashtuquajturave “akademi” të të rinjve. Pse jo, nëse do të vazhdohet kështu, atëherë populli shqiptar, dashamir i madh i futbollit të qyteteve të hartës historike të vërtetë të këtij sporti në këte Atdhe, ka të drejtë të kërkojë largimin e kësaj Federate të Futbollit dhe themelimin e një tjetre.

Dhe po e mbyll me mendimin që lulëzon tash 12 vjet te shpikësit apo drejtuesit e “10-shes”, të cilët sa herë që iu kërkohet ky ndryshim, thonë: “Kjo mund të bëhet vetëm mbas një viti, në stinën “e mbasnesërme”.

Përrralla! Askush nuk pengon që ndryshimi të bëhet qysh sivjet, pra për stinën 2026-27. Ftoni drejtuesit e klubeve dhe i lini ata të vendosin përësëmbari. Natyrisht nëse do të flakin tej servilizmin që po lulëzon edhe ndaj drejtimeve të futbollit. Ia vlen fort pra, të themeloni urgjentisht Ligën Profesioniste Kombëtare të Futbollit duke iu nënshtruar asaj që të vendosë. Ashtu siç veprohet në gjithë shtetet e Europës, pra jashtë diktatit të Federatës së Futbollit. Ajo Federatë së cilës i takon të vetbindet se dy sukseset e mëdha të Kombëtares së Shqipërisë në KE 2016 e 2024 – pa harruar se me 80 përqind lojtarë jo të Kampionatit të Shqipërisë – nuk vlejnë aspak për të fshehur situatën tejet të varfëruar të Kampionatit Kombëtar të Republikës së Shqipërisë.

* Për vazhdimësi shih Shkrimin Nr. 1 dhe Nr. 2 te “Panorama Sport” e 9 dhe 22 qershorit 2026.

PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE: 

Cikli i mendimit kritik/ Kampionia Egnatia, por dhe “Kampionet” Vllaznia e AF Elbasani

Cikli i mendimit kritik për Kampionatin e Shqipërisë/ Qëndroni te më të mirët e Europës! Ose te Shqipëria 1988!