Vendimi i papritur i FSHF i krijon probleme Partizanit, tani i duhet të kërkojë një… stadium
Partizani vijon të ndjekë me vëmendje punimet në kompleksin “Arena e Demave”, por gjithçka tregon se stadiumi nuk do të jetë gati për startin e sezonit të ri të Kategorisë Superiore. Kampionati pritet të nisë në javën e fundit të muajit gusht, ndërsa puna në terrenin e ri vazhdon me ritme intensive.

Drejtuesit dhe tifozët presin me interes përfundimin e rikonstruksionit, pasi fusha e re konsiderohet një investim i rëndësishëm për të ardhmen e klubit. Ndryshe nga më parë, Partizani do të ketë në dispozicion një terren hibrid, me ndërthurje mes barit natyral dhe atij artificial. Ky ndryshim pritet të ndikojë pozitivisht në cilësinë e lojës dhe në performancën e futbollistëve. Një nga shqetësimet kryesore të viteve të fundit ka qenë edhe ndikimi që terreni i vjetër kishte te gjendja fizike e lojtarëve. Në shumë raste është diskutuar se fusha artificiale mund të ketë ndikuar në dëmtime të ndryshme gjatë sezonit.
Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit shpresojnë që fusha e re të krijojë kushte më të mira pune për ekipin dhe të ndihmojë në uljen e problemeve fizike që kanë penalizuar skuadrën në periudha të caktuara. Megjithatë, sipas planit aktual, terreni nuk pritet të jetë gati në kohë për javët e para të kampionatit. Edhe skenari më optimist parashikon që “Arena e Demave” të presë sërish Partizanin vetëm pas mesit të muajit shtator. Kjo përkon edhe me periudhën kur kampionati do të rifillojë pas ndërprerjes së parë për ndeshjet e kombëtareve. Deri atëherë, të kuqtë duhet të gjejnë një zgjidhje për ndeshjet si skuadër pritëse.
Kjo është një çështje që mbetet ende e hapur dhe që pritet të marrë zgjidhje në javët në vazhdim. Një nga alternativat më të mundshme mbetet stadiumi “Elbasan Arena”. Impianti ofron kushte shumë të mira dhe është përdorur edhe më parë nga skuadra të ndryshme të Superiores. Megjithatë, përdorimi i tij nuk është aq i thjeshtë sa mund të duket. Në këtë stadium do të zhvillojë ndeshjet e saj edhe skuadra e Elbasanit, ndërsa edhe Dinamo mund të ketë angazhime aty. Për këtë arsye, kalendari i ndeshjeve do të ketë një rol të rëndësishëm në përcaktimin e mundësive reale për Partizanin. Një tjetër alternativë teorike mbetet stadiumi “Selman Stërmasi”.
Megjithatë, ky opsion nuk shihet me shumë entuziazëm dhe nuk konsiderohet zgjedhja e preferuar nga klubi. Për momentin, drejtuesit janë të fokusuar te përfundimi i punimeve në kompleksin e tyre dhe shpresojnë që rikthimi në “Arenën e Demave” të ndodhë sa më shpejt. Fusha e re përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara për Partizanin dhe pritet të krijojë kushte më moderne për skuadrën. Deri atëherë, mbetet për t’u parë se ku do t’i luajë Partizani javët e para të kampionatit, ndërsa zgjidhja përfundimtare pritet të varet nga ecuria e punimeve dhe mundësitë që do të ofrojë kalendari i sezonit të ri.
PANORAMASPORT.AL













