Mercedesi dhe Ferrari, luftë… botërore në F1

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 25, 2026 | 15:32

Mercedesi dhe Ferrari, luftë… botërore në F1

Formula 1 do të zbresë në pistën “Red Bull Ring” të dielën më 28, në orën 15:00, me një kampionat që ka marrë një tjetër kthesë. Ai që dukej si një dominim i vazhdueshëm i Andrea Kimi Antonelit pas nisjes së tij të jashtëzakonshme në sezonin 2026, ndryshoi në Barcelonë. Piloti italian vinte pas pesë fitoreve radhazi dhe dukej sikur askush nuk mund ta ndalte në një sezon që po shënonte shpërthimin dhe epokën e tij të re.

mercedes ferrari

Por në Montmelo, forma e tij ra pas një defekti mekanik, ndërsa Ferrari riktheu optimizmin falë fitores së Luis Hamiltonit. Diferencat ende mbeten të mëdha, me Formulën 1 që shkon drejt Çmimit të Madh të Austrisë, ndërsa Antoneli ka 41 pikë avantazh ndaj Hamiltonit dhe 50 ndaj shokut të skuadrës, Xhorxh Rasëllit. Megjithatë, kampionati tashmë po hyn në një fazë krejt tjetër.

Në skenarin e Formulës 1 nga Austria e tutje, natyrisht, do të vendosë ajo që ndodh në pistë. Temperaturat e larta në “Red Bull Ring”, degradimi i madh i gomave në Europën Qendrore dhe betejat mes Mercedesit dhe Ferrarit, me kundërshtarë të fortë si MekLareni, Red Bulli dhe një zonë të mesme ku Alpine ka avantazh, do të jenë faktorë vendimtarë. Por paralelisht po zhvillohet edhe një garë teknologjike. Dy skuadrat favorite kanë hyrë në një luftë zhvillimesh, ku nëse njëra përmirësohet, tjetra kërkon të bëjë një hap edhe më të madh.

MERCEDESI KËRCËNON…

Beteja do të nisë që në “Red Bull Ring”. Ajo vjen nga maja e renditjes, pasi Mercedesi ka konfirmuar se do të sjellë përditësime pas problemeve që shkaktuan tërheqjet e Rasëllit në Kanada dhe Antonelit në Barcelonë. Objektivi kryesor i skuadrës gjermane është rritja e besueshmërisë, një element shumë i rëndësishëm në fillimet e një epoke me rregullore të reja. “Barcelona ishte pika jonë e referimit për performancën dhe na tregoi realitetin ku ndodhemi. Ata na kanë ngushtuar diferencën dhe ne duhet të reagojmë”, tha Toto Volf, drejtuesi i Mercedesit, përpara Çmimit të Madh. Volf njihet si një person që nuk bën deklarata pa qëllim dhe njoftimi për ndryshime që nga Austria tingëllon si një paralajmërim. “Nuk kemi qëndruar duarkryq. Do të sjellim përditësime në Austri me fokus te performanca dhe besueshmëria. Kufijtë tanë janë shumë të ngushtë dhe duhet të përmirësohemi. Kemi humbur shumë pikë për shkak të problemeve teknike dhe duhet të shfrytëzojmë çdo fundjavë gare”, shtoi drejtuesi austriak dhe ky është pothuajse një kërcënim i hapur.

FERRARI PËRGJIGJET…

Por në Maranelo, rivalët kryesorë të Mercedes, kanë përgjigjen e tyre. Edhe skuadra italiane po përgatit ndryshime të rëndësishme dhe fokusi kryesor është njësia e fuqisë, pika që ata e konsiderojnë dobësinë më të madhe krahasuar me motorët “Mercedes W17” të Antonelit dhe Rasëllit. Nëse në Barcelonë Ferrari solli një paketë të re aerodinamike, në Austri do të nisë një seri përmirësimesh për motorin, të lidhura me projektin e shumëpërfolur ADUO.

Sipas “Motorsport”, risia e parë do të shfaqet pikërisht në “Red Bull Ring”. Ajo përfshin ndryshime në dhomën e djegies përmes përdorimit të një koke cilindri prej aliazh çeliku, që lejon punë me nivele të ndryshme presioni dhe temperature. Ndërkohë, Ferrari po përgatit edhe një hap tjetër përpara falë ADUO, këtë herë me fokus te rinovimi i turbos.

Në fillim të sezonit, kjo ishte një nga avantazhet e tyre, pasi turboja ishte më e vogël se ajo e rivalëve, por tani do të përmirësohet me ndryshime në numrin e fletëve të harkuara dhe në materialet e përdorura. Qëllimi është zvogëlimi i diferencës me Mercedesin dhe afrimi në një betejë që Ferrari beson se mund ta fitojë në fusha të tjera, si forma e pilotëve apo strategjitë nga bokset.

“Shkojmë në Austri me shumë optimizëm pas paraqitjeve pozitive në garat e fundit, edhe pse e dimë se ka ende shumë punë për të bërë. Vazhdojmë me të njëjtën mentalitet si në fillim të kampionatit dhe duam të zhvillojmë fundjava sa më të pastra”, deklaroi Frederik Vasër, drejtuesi francez i Ferrarit.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL