Ish-presidenti, “Selam” Sinan Idrizit: Po ta marr unë Flamurtarin, e nxjerr kampion që vitin e pare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 25, 2026 | 12:05

Ish-presidenti, “Selam” Sinan Idrizit: Po ta marr unë Flamurtarin, e nxjerr kampion që vitin e pare

Flamurtari mbetet një nga pasionet më të mëdha të Shkëlqim Selamit. Ish-presidenti i klubit nuk e fsheh zhgënjimin për pozicionin ku ndodhet aktualisht skuadra vlonjate, duke theksuar se Flamurtari meriton shumë më tepër. Gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, Selami kujton se në vitet më të vështira ka dëshmuar me vepra përkushtimin ndaj ekipit, duke kontribuar që Flamurtari të ruante vendin që i takon në futbollin shqiptar.

shkelqim selami

Ambiciet e Selamit duket se mbeten të lidhura ngushtë me klubin kuqezi. Ai pranon se nuk do ta përjashtonte një rikthim në krye të Flamurtarit dhe se këtë dëshirë ia ka shprehur hapur edhe presidentit aktual, Sinan Idrizi. Madje, ish-presidenti shkon edhe më tej në deklaratat e tij, duke u shprehur se, nëse do të rikthehej në drejtimin e klubit, objektivi do të ishte i qartë: Shpallja kampion që në sezonin e parë. Sipas tij, Vlora meriton të ketë një skuadër futbolli dinjitoze, që ta përfaqësojë me krenari qytetin dhe traditën e tij sportive. “Është një nga pasionet e mia. Kam kaluar shumë vite me Flamurtarin. Më dhimbset pa fund. Nuk më pëlqen absolutisht pozicioni që ka. Në ditë të vështira unë kam shitur pronën time për të mbajtur Flamurtarin aty ku duhet dhe më vjen shumë keq.

Gjithashtu nuk shikoj as cilësi. Presidentit Sinan Idrizi i kam thënë një ditë: Ose mbaje, ose do të vij ta marr prapë! Por, po e mora, do ta bëj kampion që vitin e parë. Unë nuk rri dot… Do ta çoj kampion që vitin e parë. Unë them që edhe Idrizi, por të bëhet edhe një grup i mirë biznesmenësh, pasi ky qytet meriton që të ketë një skuadër shumë të mirë. Të ketë një skuadër që të jetë në Kupat e Europës. Pse jo të mos kthehem? Por nëse e marr unë, e çoj kampion që vitin e parë. Nuk ka shans tjetër”, shprehet fillimisht Selami.

KËSHILLA DHE NOSTALGJIA

Shkëlqim Selami mendon se Flamurtari mund të rikthehet sërish i fuqishëm në elitën e futbollit shqiptar, por kjo kërkon investime serioze, vizion dhe përzgjedhje cilësore. Ai kujton me nostalgji mënyrën se si ndërtoi skuadrën fituese të viteve 1995-1996, një ekip që la gjurmë në historinë e klubit dhe u kthye në simbol krenarie për sportdashësit vlonjatë. “Kampion bëhemi me cilësi. Futbolli nuk është diçka ku plotësohen dëshirat dhe qejfet e të tjerëve. Në futboll ti nuk mund të ndërhysh dot. Edhe të kesh djalin apo vëllain tënd, nuk do ta fusësh aty, por do të fusësh më të mirin. Kjo është ajo që duhet të bëjmë ne. Tjetra është që duhet investuar. Duhet parë se çfarë klubi kemi, çfarë historiku kemi si klub dhe çfarë egoje kemi për ta bërë këtë klub.

Egoja për këtë klub është që ne ta çojmë në nivelin e viteve ’85-’90. Sikundër e çova unë në vitet 1995-1996, kur bëra ekipin më të mirë, me lojtarët më të mirë. Në fazën e parë isha 11 pikë para vendit të dytë. E bëra, por na e prishi viti 1997, na e shkatërroi. Atë vit Flamurtari do të merrte kampionatin, Kupën dhe Superkupën, aq sa nuk do të diskutohej fare. Do t’i harronin kupat dhe kampionatet e tjera. Ama bëra ekip të mirë. E bëra me të gjitha. Isha edhe vetë ekspert, por merrja edhe pjesën teknike, trajnerët më të mirë. Nuk u ndërhyja, vetëm i ndihmoja dhe u zgjidhja problemet. Kjo është pjesa e çelësit të suksesit. T’u ofrosh kushtet dhe t’u kërkosh edhe llogari për rezultatet. Qytetarët duan të shikojnë futboll, nuk duan të shikojnë gjimnastikë mëngjesi”, thekson Selami.

MESAZHI

Shkëlqim Selami përcjell edhe një mesazh të qartë për të gjithë ata që kanë në dorë fatet e klubit, duke kërkuar më shumë përgjegjësi, përkushtim dhe vizion për të ardhmen e Flamurtarit. “Këtij Flamurtari i ka munguar cilësia dhe lojtarët. Flamurtari nuk duhet të dalë asnjëherë nga Kategoria Superiore , kurrë! Nuk duhet të ndodhë në asnjë lloj rrethane. Qytetarët e Vlorës meritojnë që të shikojnë Flamurtarin në nivele më të larta dhe qytetarët e Vlorës e duan futbollin, janë mësuar me futboll. Nuk janë mësuar me gjimnastikë mëngjesi. Unë jam për atë që Flamurtari të investohet dhe të shkojë në nivelet më të larta”, përfundon Selami.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL