Vllaznia lëviz në merkato, shkodranët kërkojnë një “8-sh” të ri për Martinin
Në Shkodër vijojnë me punën intensive në merkaton e verës, teksa fokusi i drejtuesve kuqeblu tashmë është zhvendosur kryesisht te reparti i mesfushës.

Pas afrimeve të bëra deri në këtë pikë dhe me skuadrën që ka nisur përgatitjet për sezonin e ri, duket se mbrojtja dhe sulmi konsiderohen repartet më të kompletuara, edhe pse nuk përjashtohet mundësia që të ketë lëvizje të tjera në ditët në vijim, veçanërisht në vijën e parë. Burime pranë klubit bëjnë me dije se për momentin prioriteti kryesor është afrimi i një tjetër mesfushori, një elementi që do t’i shtonte alternativat trajnerit Edi Martini në një repart ku kërkohet më shumë cilësi dhe konkurrencë.
Stafi teknik dëshiron të ketë në dispozicion sa më shpejt futbollistin e ri, në mënyrë që ai të integrohet me grupin para sfidave të rëndësishme europiane. Ndeshja ndaj Malishevës në turin e parë të Conference League po afrohet dhe në kampin shkodran janë të vetëdijshëm se koha nuk pret. Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit po punojnë për të mbyllur sa më shpejt negociatat me objektivat e merkatos, duke synuar që skuadra të paraqitet sa më e kompletuar në debutimin europian.
Megjithatë, merkatoja e Vllaznisë nuk konsiderohet e mbyllur. Edhe pse për momentin vëmendja është te mesfusha, situata mund të ndryshojë në varësi të lëvizjeve që mund të ndodhin brenda grupit aktual. Në veçanti, reparti ofensiv mbetet një sektor ku mund të ketë zhvillime të reja, por deri atëherë përqendrimi kryesor mbetet gjetja e mesfushorit të duhur, një përforcim që do t’i jepte më shumë balancë dhe alternativa skuadrës së Martinit në prag të sfidës me Malishevën.
PANORAMASPORT.AL













