Egnatia përballë Europës, a është gati për nivelin tjetër…?
Tre tituj kampionë radhazi. Tre sezone të mbyllura në majën e futbollit shqiptar. Trofe, rekorde, shitje lojtarësh dhe një klub që nga viti në vit ka vazhduar të rritet. Por për Egnatian, sezoni që po nis mund të jetë më i rëndësishmi i historisë së saj. Në Rrogozhinë tashmë askush nuk matet vetëm me atë që ndodh në kampionatin shqiptar.

Pas dominimit në vend, prova e radhës është Europa. Ndoshta prova më e vështirë, por edhe ajo që mund ta çojë klubin në një nivel krejt tjetër. Kur Egnatia fitoi titullin e parë, shumë e konsideruan një surprizë. Kur fitoi të dytin, u kuptua se nuk ishte rastësi. Ndërsa titulli i tretë radhazi vulosi dominimin e një projekti që është ndërtuar me durim dhe vizion. Pak skuadra në Shqipëri kanë arritur të ruajnë këtë nivel për kaq gjatë. Edhe më pak kanë mundur ta bëjnë duke shitur rregullisht lojtarët më të mirë dhe duke vazhduar të fitojnë. Në tre vitet e fundit, klubi ka arkëtuar mbi 2 milionë euro nga shitjet e futbollistëve, por pavarësisht largimeve të rëndësishme ka arritur të mbetet në krye. Kjo është ndoshta fitorja më e madhe e drejtuesve të klubit.
SFIDA E VËRTETË – Megjithatë, suksesi në Shqipëri nuk është më lajmi kryesor për Egnatian. Kampionët kanë krijuar një standard të ri për veten dhe tashmë gjykohen me një tjetër matës. Nëse vitet e fundit objektivi ishte fitimi i kampionatit, tani synimi është të bëhet një hap përpara në arenën europiane. Pikërisht për këtë arsye, merkatoja e kësaj vere ka qenë më agresive se zakonisht. Janë afruar lojtarë me eksperiencë, janë rikthyer futbollistë që e njohin ambientin dhe është rritur ndjeshëm konkurrenca në grup. Mesazhi është i qartë: Egnatia nuk po ndërton vetëm për të mbrojtur titullin kampion. Nevil Dede ka sot në dispozicion ndoshta organikën më të plotë që ka pasur ndonjëherë Egnatia. Në mbrojtje ka disa alternativa për çdo pozicion. Në mesfushë vazhdon të mbështetet te boshti Fernando-Aleksi-Albanese, ndërsa në sulm konkurrenca është rritur ndjeshëm me afrimet e fundit. Në shumë pozicione, diferenca mes titullarit dhe zëvendësuesit është minimale. Kjo është një domosdoshmëri për një skuadër që do të luajë njëkohësisht në kampionat dhe në Europë.
PETROKUBI – Rruga europiane nis ndaj Petrokubit. Në letër, nuk është kundërshtari më i fortë që mund të kishte shorti, por askush në Rrogozhinë nuk e nënvlerëson përballjen. Për Egnatian, ky çift nuk është thjesht një tur kualifikues. Është testi i parë për të kuptuar nëse investimet, merkatoja dhe puna e bërë gjatë viteve të fundit mund të prodhojnë më në fund një sukses europian. Kalimi i turit do të ishte një tjetër konfirmim se klubi po ecën në drejtimin e duhur. Një eliminim, nga ana tjetër, do të linte sërish të hapur pyetjen që shoqëron futbollin shqiptar prej vitesh: a janë skuadrat tona gati për të konkurruar rregullisht në Europë?
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













