Pushim i detyruar për zbulimin e Gjermanisë, e ndalin problemet muskulore
Pas seancës së fundit stërvitore në Uinston Salem, kombëtarja gjermane udhëtoi këtë të mërkurë drejt Nju Jorkut për ndeshjen e fundit të fazës së grupeve kundër Ekuadorit. Nathaniel Braun do të pushohet për shkak të një problemi në muskujt aduktorë. Përveç të dëmtuarit Niko Shloterbek, të gjithë lojtarët e tjerë ishin të pranishëm në stërvitjen e së mërkurës në mëngjes.

Megjithatë, njëri prej tyre ndoqi vetëm një program individual: Nathaniel Braun. Mbrojtësi i majtë u stërvit veçmas nga pjesa tjetër e ekipit dhe kreu vetëm ushtrime vrapimi. 23 vjeçari i Frankfurtit vuan nga një problem i lehtë në aduktorë dhe për këtë arsye jo vetëm që uli ngarkesën në stërvitjen e fundit para udhëtimit për në Nju Jork, por do të mungoj edhe në ndeshjen e së enjtes kundër Ekuadorit.
Për Julian Nagelsman, kjo nuk përbën problem për dy arsye: Gjermania e ka siguruar tashmë kualifikimin për në fazën e 1/32 dhe trajneri planifikon të bëj disa rotacione në formacion. Kalimi nga Braun te David Raum mund të ketë qenë në planet e trajnerit edhe më herët. Lojtari i Lajpcigut ishte një figurë kyçe gjatë kualifikueseve të Kupës së Botës dhe gëzon vlerësim të lartë si nga stafi teknik ashtu edhe nga bashkëlojtarët.
Ndërkohë, Braun, pasi u rikuperua nga një dëmtim i lehtë në fund të sezonit të Bundesligës, përfitoi nga shansi në ndeshjet testuese para Botërorit kundër Finlandës (4-0) dhe SHBA (2- 1), duke bindur me paraqitje të shkëlqyera. Braun vazhdoi formën e mirë edhe në dy ndeshjet e para të grupit kundër Curaçaos (7-1) dhe Bregut të Fildishtë (2-1).
Ai konsiderohet një nga zbulimet e turneut deri tani dhe ka tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha, mes tyre edhe Bajernit. Lojtari i sapongjitur në kombëtare do të pushoj kundër Ekuadorit, por pritet të jetë sërish i gatshëm për ndeshjen e parë me eliminim direkt të hënën në Boston. Kjo do t’i jap mundësinë David Raum të regjistroj startin e tij të parë në këtë Kupë Bote. Po ashtu, shumë gjasa ka që nga minuta e parë të luaj edhe Deniz Undav. Sulmuesi më produktiv i Gjermanisë deri tani ka realizuar tre gola dhe një asist në vetëm rreth 60 minuta lojë, ndaj pritet të marrë më shumë minuta si titullar kundër Ekuadorit.
KLAJDI BAJO-PANORAMASPORT.AL













