Leao zbut tonet për largimin, fjalët e fundit ndezin shpresat e Milanit
Rafael Leao është rikthyer në qendër të vëmendjes pas golit të shënuar ndaj Uzbekistanit në Botëror, por këtë herë jo vetëm për paraqitjen në fushë. Deklaratat e tij të fundit kanë rihapur diskutimet për të ardhmen, me shumë tifozë të Milanit që kanë interpretuar fjalët e portugezit si një sinjal se largimi nga kuqezinjtë nuk është më aq i sigurt sa dukej disa javë më parë. 
Pas ndeshjes, Leao foli për një sezon të vështirë, të shoqëruar nga dëmtime dhe momente të komplikuara si me kombëtaren, ashtu edhe me Milanin. Ai zgjodhi të mos japë një përgjigje përfundimtare për të ardhmen e tij, duke deklaruar se vendimin do ta marrë vetëm pas përfundimit të Botërorit.
“Duhet të festoj me familjen time, sepse ky ka qenë një sezon i vështirë për mua. Tani jam i fokusuar vetëm te Botërori. Amorim është një trajner shumë i mirë. Ka bërë gjëra të rëndësishme në Portugali dhe mbetet një trajner i madh. Për të ardhmen do të vendos pas Botërorit”, deklaroi sulmuesi. Këto fjalë tingëllojnë ndryshe nga ato të fundit të muajit maj, kur Leao dukej se kishte mbyllur përfundimisht kapitullin me Milanin. Më 31 maj ai deklaronte se kishte dhënë gjithçka për klubin dhe se kishte nevojë për një sfidë të re në një kampionat tjetër. Pak ditë më vonë, portugezi theksoi se Premier League ose La Liga do të ishin destinacionet ideale për të, duke shtuar se sistemi taktik i përdorur te Milani nuk e kishte favorizuar. Deklaratat e asaj periudhe u interpretuan si një ndarje e pashmangshme mes palëve. Megjithatë, qëndrimi i fundit i Leaos duket më i matur dhe lë hapur çdo skenar. Sulmuesi nuk flet më për largim të sigurt, por për reflektim dhe vendim pas Botërorit. Një arsye e mundshme për këtë ndryshim mund të jetë mungesa e ofertave konkrete. Pavarësisht interesimit të disa klubeve, deri tani nuk ka pasur lëvizje të rëndësishme nga ekipet elitare të Anglisë apo Spanjës, destinacionet e preferuara të lojtarit. Gallatasaraji dhe Fenerbahçe kanë shfaqur interes, por pista turke nuk duket se e bind plotësisht portugezin.
RESPEKTI PËR TRAJNERIN Ndërkohë, edhe raporti me trajnerin e ri Ruben Amorim mbetet një pikëpyetje. Nga njëra anë, Leao ka folur me respekt për teknikun portugez, por nga ana tjetër karakteristikat taktike të skemave të Amorimit nuk duken ideale për stilin e lojës së sulmuesit. Për më tepër, trajneri njihet për disiplinën dhe vendosjen e grupit mbi individin, një aspekt që mund të krijojë sfida për një futbollist me profilin e Leaos. Për momentin, e ardhmja e yllit portugez mbetet e hapur. Goli ndaj Uzbekistanit i ka rikthyer buzëqeshjen dhe besimin, por nuk ka mjaftuar për të larguar të gjitha dyshimet. Milani shpreson që Botërori të sjellë reflektime të reja te sulmuesi, ndërsa tifozët kuqezi presin të mësojnë nëse Leao do të vazhdojë të jetë pjesë e projektit ose nëse rrugët do të ndahen pas verës.
PANORAMASPORT.AL













