EKSKLUZIVE/ Tirana, goditja e madhe vjen nga Superiorja! Mister “X”-i i bardhebluve për sezonin e ri…
Tirana dhe drejtuesit e saj po punojnë për një tjetër goditje të madhe. Ata duan të afrojnë një futbollist dhe njëkohësisht lider në skuadrën që është aktualisht dhe ta veshin bardheblu.

Mesa mësohet, kryeqytetasit janë në kontakte të vazhdueshme dhe shumë shpejt mund të jetë një vendim për lojtarin. Burimet në klub janë të rezervuara, por ai është një emër i njohur në futbollin shqiptar dhe pritet të jetë një surprizë më vete në Kategorinë Superiore. Luan në të gjitha pozicionet e mbrojtjes, por jo vetëm dhe nëse vjen është goditje dhe një ndihmë e madhe si për skuadrën dhe trajnerin e sapoemëruar.
PLANI – Bardheblutë pritet që të nisin punën mes datës deri në 5 korrik. Skuadra do të grumbullohet në Tiranë dhe do të zhvillojë fazën përgatitore në Ohër. Për momentin nuk ka më shumë detaje, por bëhet e ditur se trajneri i ri Dean Klafuriç kërkon lojtarët që të jenë të gjithë të gatshëm në fazë.
INFRASTRUKTURA – Trajneri Dean Klafuriç do të ketë edhe një fushë me bar natyral, ndryshe nga trajnerët që punuan këtë vit. “Skënder Halili” është prishur plotësisht për t’u rindërtuar nga e para, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet e Kampionatit Europian U-21 që do të zhvillohen në Shqipëri. Ky është një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në prag të evenimentit, duke synuar që ambientet stërvitore të përmbushin standardet më të larta të kërkuara nga UEFA. Ndërhyrja përfshin jo vetëm barin dhe sistemin e drenazhimit, por edhe përmirësime të tjera teknike që lidhen me cilësinë e terrenit, qëndrueshmërinë dhe përdorimin afatgjatë të tij. Në gusht, kur do të nisë kampionati, Tirana do ta ketë gati jo vetëm fushën e stadiumit, por edhe atë të kompleksit.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













