MOTO GP/ Markez mbetet i kuq, Dukati e blindon deri në vitin 2028
E kuqja do të vazhdojë të jetë ngjyra e tij edhe për dy vite të tjera. Dukati ka zyrtarizuar rinovimin e marrëveshjes me Mark Markezin për sezonet 2027 dhe 2028, duke forcuar një projekt teknik dhe sportiv që do të vazhdojë ta shohë pilotin spanjoll si protagonist me ekipin Lenovo në Kampionatin Botëror në MotoGP.

Marrëdhënia mes shtëpisë së Borgo Panigale dhe kampionit aktual të botës nisi në fillim të vitit 2024 dhe arriti kulmin në vitin 2025 me Dukatin zyrtar. Markez siguroi 14 fitore në garat Sprint dhe 11 triumfe në Çmimet e Mëdha. Ai fitoi titullin kampion bote pesë gara para fundit të sezonit dhe vendosi rekordin absolut të pikëve të grumbulluara nga një pilot në një sezon të vetëm MotoGP me 545 pikë. Gjashtë vite pas titullit të tij të fundit botëror, rikthimi i Markezit ishte një arritje e jashtëzakonshme, e cila renditet mes momenteve më të mëdha në historinë e sportit.
Në vitin 2026, një sezon simbolik për Dukatin që feston 100-vjetorin e themelimit, Markez dhe Dukati Lenovo kanë shkruar një tjetër kapitull të rëndësishëm të historisë së tyre. Në të njëjtën ditë, në Çmimin e Madh të Hungarisë, ata arritën shifrën e 100 fitoreve. Një “trepikësh” historik: 100 vitet e shtëpisë nga Borgo Panigale, 100 fitoret e Mark Markezit në karrierë në kategoritë e ndryshme të Botërorit të Motoçiklizmit (74 në MotoGP, 16 në Moto2 dhe 10 në 125 cc), si dhe 100 sukseset e ekipit zyrtar Dukati në MotoGP që nga viti 2003.
FJALËT PAS RINOVMIT – Pas njoftimit të zgjatjes së kontratës, ka ardhur edhe reagimi i Markezit, i cili u shfaq shumë entuziast që do të vazhdojë të jetë pjesë e Dukatit. “Jam i kuq. Jam vërtet i lumtur për këtë marrëveshje të re me Dukatin dhe që do të vazhdoj të jem pjesë e kësaj familjeje. Kur vendosa të vija te Dukati, isha i bindur se ky ishte projekti më konkurrues i mundshëm. Skuadra besoi tek unë dhe së bashku ndërtuam një marrëdhënie të bazuar te besimi dhe puna e palodhur.
Në vitin tonë të parë së bashku luftuam për titullin dhe arritëm ta fitojmë. Ishte një sukses me vlerë të jashtëzakonshme, që konfirmoi se rruga që kishim zgjedhur ishte ajo e duhura. Vazhdoj të garoj sepse e dua këtë sport dhe dua të punoj për të arritur objektiva edhe më ambiciozë. Jam i bindur se ky është vendi i duhur për ta bërë këtë. Për sa kohë do të jem këtu, do të jap gjithçka nga vetja për ta pikturuar të ardhmen me të kuqe”, deklaroi kampioni në fuqi i botës.
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL













