Cikli i mendimit kritik për Kampionatin e Shqipërisë/ Qëndroni te më të mirët e Europës! Ose te Shqipëria 1988!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2026 | 18:03

Cikli i mendimit kritik për Kampionatin e Shqipërisë/ Qëndroni te më të mirët e Europës! Ose te Shqipëria 1988!

Nga BESNIK DIZDARI
… Le të vazhdojmë. Ndërkaq, po më duket si një thirrje ky titull. Në thelb nuk është kështu. Eshtë vetëm një kujtesë. Një kujtesë për të qëndruar te më të mirët dhe për të mos shkuar askund tjetër. Më të mirët janë fuqitë e mëdha, çka në këte rast janë Kampionatet e fuqive po të mëdha të futbollit. Ata që nuk kanë një “final four”. Që nuk kanë përgjysmim të pikëve. Që nuk e shumëzojnë me zero Kampionatin e tyre të vërtetë kombëtar. Gjermania, Anglia, Franca, Italia, Spanja, por dhe të tjerë. Janë shumicë. Madje në këta “të tjerë” na del që hyn edhe një përvojë shqiptare. Një përvojë e Kampionateve të Shqipërisë, pra. Që asnjëherë më parë nuk e ka denatyruar asisoji garën, si në këto tre edicionet e fundit.

egnatia

Kështu shkova te Kampionati i Shqipërisë i edicionit 1987-88.

Kanë qenë 14 skuadra pjesëmarrëse. Dhe vështroni se sa me mend në krye e kanë organizuar këte Kampionat 87-88, madje përmes një risie të pashlyeshme:

Mbas përfundimit të 26 javve të dy fazave klasike me shkuarje e ardhje, dy skuadrat e fundit që ishin Tomori i Beratit dhe 31 Korriku i Burrelit zbritën në Kategorinë e Dytë. Eshtë ajo që sot me rrêna të pandalshme vazhdon të quhet Kategori e Parë. Dhe gara vazhdoi në mënyrën më spektakolare. Të 12 skuadrat më të mira kaluan në ate që sot e quajnë “final four”, pse veçuan vetëm 4 skuadra, por që atëherë u quajt vazhdimësia për garën për titullin Kampion. Dhe nuk ishte “final four”, por “final 6”.

Vështroni:

12 skuadrat u ndanë në dy gjashtëshe. Gjashtëshja e parë (1-6) për titullin Kampion dhe gjashtëshja e dytë (7-12) për rënie e mosrënie nga Kategoria. Sepse në këte kampionat do të binin 4 skuadra me që vitin tjetër nga 14 skuadra, Kampionati do të kishte 12.

Do të mbetej e paharrueshme gara e gjashtëshes së parë për titullin. Skuadrat i morën me vete pikët e dy fazave të para, pra, nuk iu përgjysmuan si sot. Dhe luajtën në dy faza të tjera po me shkuarje e ardhje: një ndeshje në qytetin tim e një ndeshje në qytetin tënd. Kështu edhe gjashtëshja e dytë e “rëniemosrënies”.

Kampionati do të kishte edhe 10 javë të tjera, duke arritur rekordin e 36 javëve kampionat. Sa sot, por diçka krejt tjetër në të vërtetë.

Ngaqë siç kuptohet, ky Kampionat i vitit 1988 me 36 javë, nuk e cënoi garën e një viti të tanë. Përkundrazi, ruajti gjithçka dhe e përforcoi ate me dy faza të tjera të 10 ndeshjeve po me shkuarje e ardhje, duke i veçuar 6 më të mirat në garë për titullin Kampion.

Në fund Kampion u shpall 17 Nëntori (sot SK Tirana) me 48 pikë përballë Flamurtarit – Nënkampione me 41 pikë, ai që me rregullat tuaja “shpirtngushta” me vetëm 10 skuadra, e flakët tej. E kë? Skuadrën e Vlorës – një ndër më të famshmet e historisë sonë. Ndërkaq, në gjashëtëshen e dytë Luftëtari i Gjirokastrës i vendit 12, zbriti edhe ai në Kategorinë e Dytë, ndërsa Dinamo, e 11-ta, zhvilloi për mosrënie dy ndeshje me Naftëtarin asokohe i Qytetit Stalin (sot Kuçovë) duke i fituar të dyja 1-0.

Dhe kthehem te ky titull i pashlyeshëm i 17 Nëntorit të trajnerit të paharrueshëm Shyqyri Rreli. Ndryshe SK Tirana, ajo e cila sivjet për pak qe duke rënë. Sepse ky Kampionat me vetëm 10 skuadra, merret shumë me rëniet. Madje mund të bijen deri dhe në 3 nga 10 që janë. Siç qe duke rënë edhe Teuta e cila shpëtoi për fije të pênit.

Qëndrojmë tek kampionia 17 Nëntori 1988. Ishin këta djem: Mersini, Kepi, Hodja, Lekbello, Alimehmeti, Josa, Omuri, Stoja, Riza, A.Kola, Ramadani, Minga, Bardhi, Sharra, Alla, Sako, Daja, Ruci. Ishte një nga kampionet më të bukura të Shqipërisë. Me në krye dy golshënuesit më të mirë të Kampionatit, Agustin Kola me 18 gola dhe i paharrueshmi Arben Minga me 16. Ky ishte 17 Nëntori i madh i cili mbas dy tre vjetëve do të kthehej te emri i origjinës: Sportklub Tirana. Ishte 17 Nëntori i cili një sezon më parë kishte elimnuar nga Kupa e Kupave të Europës Dinamon e Bukureshtit të Rumanisë me dy fitore të bujshme 1-0 e 2-1.

E pra? Na del se Shqipëria, me sa duket, qenka e para në Europë që eksperimentoi këte mënyrë të “final 6” të saj më 1988. Po sa keq që e organizoi Shqipëria e sotme “final 4”-trin e saj datuar 2026!…

Lind pyetja: përse vepron sot kështu FSHF-ja jonë? Pse nuk shkoi qoftë dhe te historia e vitit 1988, por imitoi nja dy tre shtete, edhe pse me në krye Belgjikën e shquar, por e cila sivjet ndërroi kurs? Vërtet duke marrë me vete skuadrat e saj vetëm gjysmën e një viti garë, por në garën për titull ajo nuk veçoi vetëm 4 skuadra, por plot 6 të parat. Dhe më e rëndësishmja: nuk urdhëroi që skuadrat të vinin në fushën e njëanshme të Brukselit e të mbaronin punë mbrenda nja dy javësh si në Tiranën e Shqipërisë. Por i çoi edhe në 10 javë të tjera kampionat, me shkuarje e ardhje, pra në fushën time dhe në fushën tënde. Si Shqipëria më 1988. Edicionin tjetër Belgjika do t’i rikthehet mënyrës klasike të Kampionatit: dy faza, shkuarje e ardhje dhe kaq.

Dhe po e mbyll me një shembull Ballkanik. E kam fjalën për Kampionatin e Bullgarisë, që pati edhe ajo një “final four”, duke veçuar 4 skuadrat e para, por kurrsesi në stilin e sotëm shqiptar. Të katër skuadrat morën me vete të gjitha pikët e një viti garë dhe luajtën nga 6 ndeshje me shkuarje e ardhje, pra në fushën time dhe në fushën tënde. Jo në kryeqytetin Sofje.

Ndërsa Shqipëria si Shqipëria edhe me fubollin e Kampionatit të saj Kombëtar. Denatyrim! Padrejtësi! Zhgënjim! “E mjera” Vllazni e Shkodrës! Nuk ka për ta harruar kurrë as këte vit 2026, kur një skemë e pafalshme e Federatës Shqiptare të Futbollit “ia hoqi” titullin e Kampionit të Shqipërisë, ate të një vitit të tanë gare të plot 36 javëve kur ajo ishte e para! E po kështu deri diku edhe AF Elbasani, teksa ndodhej në vendin e dytë me nja 5 pikë epërsi mbi vendin e tretë ku mbas një viti garë qëndonte ajo që do të shpallej kampione. Ndoshta e keni harruar Kampionatin e vitit 2023-24. Në garën e një viti të tanë, Vllaznia ishte në vendin e tretë me 8 pikë mbi Skenderbeun. Mirëpo, përmes stilit “vrasës” të “final four”, Skenderbeu e mundi Vllazninë thjesht 3-2, thjesht në një ndehje të vetme dhe skuadra korçare u rendit e treta e ajo shkodrane e katërta!

Tash nuk më mbetet gjë tjetër, veçse të vendos edhe këtu titullin e këtij shkrimi Nr.2 që thotë:

“Qëndroni te më të mirët! Ose te Shqipëria 1988!”.

Interesant vërtet! Përse Gjermania nuk e zhvillon kështu “shqiptarçe” kampionatin e saj? Madje, përse as Anglia, as Italia, as Spanja, as Franca dhe as mbi 90 përqind e shteteve të Botës? Çka dreqin keni që i ikni shumicës e shkoni te pakica e pakicave? Don me shpikë Shqipëria e vogël? Me sa duket don ta bëjë ajo revolucionin botëror të futbollit, ndërsa sot ka një prej kampionateve kombëtare më të papeshë në botë!…

Rishpalos këte retorikë teksa mahnitem se si ka mundësi që kultura e organizimeve të Kampionatit Kombëtar 95 vjeçar të Shqipërisë, papritmas shndërrohet në “Kupë të Republikës”. Që dihet, ka për themel organizativ ndeshjet me eliminim me vetëm një apo dy takime, siç rrëmben ky kampionat. Ndonëse Kupa ende ekziston, nuk e ka fshirë historia.

Qëndroni te më të mirët e Botës.! Ndonëse, siç u pa, me guxim gazetarije e historiani ju tregova edhe se si mund të shkoni qoftë edhe te Kampionati i Shqipërisë i edicionit 1987-88. Studjojeni e mandej merrni vendime. Po a vërtet studjohet ndokund historia shqiptare e kampionateve të saj kombëtare të futbollit?…

Do të takohemi me temën Nr. 3.

*Për vazhdimësi shih Shkrimin Nr. 1 te “Panorama Sport” e 9 qershorit 2026.

PANORAMASPORT.AL