Almiron, në histori me kartonin e kuq më të diskutuar të Botërorit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2026 | 14:24

Almiron, në histori me kartonin e kuq më të diskutuar të Botërorit

Botërori 2026 ka regjistruar një tjetër moment historik dhe kontrovers. Sulmuesi i Paraguait, Miguel Almiron, është bërë lojtari i parë në historinë e Kupës së Botës që ndëshkohet me karton të kuq për shkak se mbuloi gojën ndërsa po fliste me një kundërshtar, sipas rregullores së re të miratuar nga FIFA dhe IFAB për të luftuar diskriminimin dhe gjuhën e papërshtatshme në fushë.almironVAR-i dhe kartoni i kuq që bëri histori

Ngjarja ndodhi gjatë ndeshjes së Grupit F mes Paraguait dhe Turqisë në San Francisko. Pak çaste para përfundimit të pjesës së parë, Almiron u përfshi në një debat me mbrojtësin turk Mert Muldur. Gjatë bisedës, paraguaiani vendosi dorën përpara gojës, veprim që u vu re menjëherë nga kundërshtari, i cili tërhoqi vëmendjen e arbitrit. Pas një kontrolli nga sistemi VAR, arbitri Ivan Barton njoftoi stadiumin për vendimin e tij dhe i tregoi kartonin e kuq ish-lojtarit të Njukasëll Junajtid. Në atë moment Paraguai kryesonte 1-0 falë golit të Matias Galarza.

Paraguai reziston me një lojtar më pak

Pavarësisht se mbeti me një lojtar më pak për më shumë se një pjesë loje, Paraguai arriti të ruajë avantazhin dhe të fitojë 1-0, duke mbajtur gjallë shpresat për kualifikim në fazën me eliminim direkt. Një fitore ndaj Australisë në ndeshjen e fundit të grupit do t’i siguronte kalimin në raundin tjetër, ndërsa Turqia mbeti jashtë garës për vazhdimin e turneut.

Alfaro: Rregulli është i qartë

Pas ndeshjes, trajneri Gustavo Alfaro pranoi se vendimi ishte në përputhje me rregulloren aktuale. “Sipas ligjit, nëse mbulon gojën gjatë një përballjeje me kundërshtarin, ndëshkohesh me karton të kuq. Nuk ka asgjë që mund të bëjmë. Miguel u kërkoi falje shokëve të skuadrës, sepse e kuptoi situatën e vështirë ku i vendosi me veprimin e tij”, deklaroi tekniku argjentinas.

Pse u vendos rregulli i ri?

Rregulli u miratua në muajin prill gjatë një mbledhjeje të posaçme të IFAB dhe po zbatohet për herë të parë në një Kupë Bote. Ndryshimi erdhi pas incidentit të ndodhur në Ligën e Kampionëve mes Xhanluka Prestianit dhe Vinicius Zhunior, një rast që hapi debat të madh mbi mundësinë e fshehjes së ofendimeve apo komenteve diskriminuese gjatë ndeshjeve. Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, kishte mbështetur më herët masa më të forta për të luftuar racizmin dhe sjelljet e papranueshme në futboll.

Reagimi i Almironit pas ndeshjes

Një ditë pas ndeshjes, Almiron reagoi për herë të parë në rrjetet sociale. Pa komentuar drejtpërdrejt kartonin e kuq, ai falënderoi shokët e skuadrës për sakrificën dhe fitoren. “Dua të falënderoj shokët e mi për përpjekjen e jashtëzakonshme, për faktin që luftuan për çdo top. Faleminderit, faleminderit, faleminderit. Është krenari të jem pjesë e kësaj përfaqësueseje”, shkroi futbollisti 32-vjeçar.

Çfarë thotë FIFA?

Shefi i arbitrave të FIFAs, Pierluixhi Kolina, kishte sqaruar para turneut se lojtarët mund të vazhdojnë të mbulojnë gojën gjatë bisedave miqësore, por jo gjatë përplasjeve apo debateve me kundërshtarët. “Nëse është një bisedë miqësore, nuk ka asnjë problem. Por kur situata është konfliktuale, mbulimi i gojës nënkupton se po përpiqesh të fshehësh diçka që mund të jetë shumë e gabuar”, kishte deklaruar Kolina. Kartoni i kuq mund t’i kushtojë shtrenjtë Almironit, i cili do të mungojë në sfidën vendimtare ndaj Australisë. Megjithatë, Paraguai tregoi karakter duke mbrojtur rezultatin dhe tani ka ende shanse reale për të vazhduar rrugëtimin në Botërorin 2026.

PANORAMASPORT.AL