Memus: U bë padrejtësi ndaj Flamurtarit, futbolli shqiptar është i paracaktuar
Eqerem Memushi shpreh keqardhjen e thellë për rënien e Flamurtarit nga Superiorja. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri vlonjat deklaron se gara në futbollin shqiptar është e paracaktuar dhe se për këtë mban përgjegjësi FSHF. Sipas Memushit, Flamurtari zhvilloi një kampionat të ndershëm dhe larg aleancave.

“Keqardhja më e madhe është për rënien nga Superiorja. Skuadra ishte e investuar mirë, nuk i mungonte mbështetja financiare dhe kushtet ishin përmirësuar ndjeshëm. Kishim një stadium ku ishte kënaqësi të ndiqje një ndeshje të elitës. Pjesën më të madhe të fajit e kanë ata që drejtojnë garën në FSHF. Gara është e paracaktuar. Dihet se kush del kampion, kush merr pjesë në Europë dhe kush do të zbresë nga kategoria. Këto janë gjëra që nuk i bëjnë mirë futbollit. Duhet një ndryshim formule dhe një mënyrë tjetër organizimi. Flamurtari ka qenë një skuadër shumë korrekte. Që nga koha kur Sinan Idrizi mori drejtimin e klubit, nuk kemi parë një Flamurtar që të kërkojë favore apo të bëjë lëshime. Ka zhvilluar një kampionat të drejtë dhe ka marrë atë që ka merituar në fushë, por jo përmes aleancave. Janë pikërisht aleancat ato që të çojnë drejt titullit ose të rrëzojnë nga kategoria”, tha fillimisht Memushi.
Sistem dhe formulë e re- Memushi propozon krijimin e një Lige të pavarur dhe ndryshimin e numrit të skuadrave në elitë. Sipas tij, një kampionat me 14 ekipe do të ishte më efikas dhe do të rriste interesin e publikut. “U takon drejtuesve ta shikojnë këtë çështje. Edhe kolegët tanë, ish-legjenda të futbollit shqiptar, e kanë ngritur shpesh problemin e organizimit të Ligës dhe të rolit që duhet të kenë klubet. Para katër apo pesë vitesh u bë një përpjekje për krijimin e Ligës, por mbeti thjesht një formalitet. Nëse presidentët e klubeve zgjedhin drejtuesin e Ligës, futbolli do të funksionojë ndryshe. Presidenti i FSHF-së duhet të merret me organizimin e përgjithshëm dhe me Kombëtaren, ndërsa pjesa tjetër, përfshirë aspektin financiar, duhet të administrohet nga vetë klubet.
Për mua, është neglizhencë që ende nuk është bërë më shumë në këtë drejtim. Ka ardhur koha që kampionati të zhvillohet me 14 skuadra, në mënyrë që të rritet konkurrenca dhe të tërhiqen më shumë tifozë në stadiume. Shpesh përdoret si argument ana financiare, por kjo është një çështje e zgjidhshme. Me më shumë skuadra do të kemi futbollistë në gjendje më të mirë fizike dhe më shumë hapësira për lojtarët e rinj. Katër sezonet e fundit kanë qenë skandaloze. Kur sheh ndeshje si Dinamo-Tirana apo Dinamo-Elbasani me vetëm 500 tifozë në stadium, kupton se kjo formulë ka dështuar”, thotë ish-trajneri i kuqezinjëve.
Rikthimi- Ai është i bindur se Flamurtari do të rikthehet shumë shpejt në elitën e futbollit shqiptar. “Flamurtari është një fanellë e rëndë. Është një markë e futbollit shqiptar. Mendoj se presidenti Sinan Idrizi i ka të gjitha mundësitë për ta rikthyer skuadrën në Superiore”, shprehet Memushi.
Merkato- Eqerem Memushi këshillon drejtuesit të tregohen të kujdesshëm në merkaton e verës, pasi skuadra do të duhet të rindërtohet pothuajse nga e para. “Merkato nis nga zero për Flamurtarin. Kontingjenti i lojtarëve është shpërndarë pothuajse i gjithi, me përjashtim të portierit Kaloshi, për të cilin nuk dihet ende nëse do të qëndrojë. Kjo do të thotë se skuadra duhet të reformohet nga fillimi. Ndërtimi i një ekipi të ri kërkon shumë kujdes dhe bashkëpunim. Në bisedat që kam pasur me Ensar Idrizin, ai është shprehur se objektivi është ndërtimi i një skuadre fituese. Ia urojmë me gjithë zemër, sepse Flamurtari është pjesë e jetës sonë dhe e zemrës sonë”, përfundon Memushi.
ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL













