Portieri Alliu i qëndron besnik Sopotit: Nuk ka si fanella e qytetit tim
Sopoti ende nuk e ka nisur zyrtarisht përgatitjen për sezonin e ri, por ka lojtarë që e kanë bërë të qartë se dëshirojnë të vazhdojnë të jenë pjesë e skuadrës, pavarësisht interesimit nga klube të tjera. Njëri prej tyre është portieri Herdis Alliu, i cili në fundin e sezonit të kaluar rezultoi vendimtar në arritjen e objektivit të madh, ngjitjen në Kategorinë e Parë.
“Gardiani” librazhdas po vijon pushimet, por nuk kanë munguar ofertat nga skuadra të Kategorisë së Parë dhe të Dytë. Dëshira e tij është të vazhdojë aventurën me ekipin e qytetit të lindjes. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Alliu theksoi se emocionet që përjeton duke mbrojtur fanellën e Sopotit nuk mund të krahasohen me asnjë ofertë financiare. “Zemra rreh ndryshe kur luan për fanellën e qytetit tënd. Emocionet nuk mund të përshkruhen dhe nuk krahasohen me asnjë ofertë që mund të më bëhet. Për qytetin tim u riktheva nga Superiorja për të arritur këtë sukses, ngjitjen në Kategorinë e Parë. Tani që ia kemi dalë, dua ta shijoj këtë arritje me ekipin tim.
Nuk ka si shtëpia jote”, u shpreh portieri librazhdas. Ndërkohë, klubi ende nuk ka bërë të ditur datën e nisjes së përgatitjeve për sezonin e ri. Gjithashtu, nuk është zyrtarizuar ende rinovimi i bashkëpunimit me trajnerin Rraman Hallaçi, edhe pse palët pritet të gjejnë gjuhën e përbashkët. Aktualisht, drejtuesit e klubit janë të fokusuar kryesisht te rikonstruksioni i stadiumit, një projekt që konsiderohet prioritet për të ardhmen e Sopotit.
Ledion Qoshku-PANORAMASPORT.AL













