ATLETIKË/ Shqipëria shkëlqen me dy medalje në Ballkanik! Rekord në stafetën 4x100m dhe me Burrajn në 400 metra

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2026 | 12:06

ATLETIKË/ Shqipëria shkëlqen me dy medalje në Ballkanik! Rekord në stafetën 4x100m dhe me Burrajn në 400 metra

Shqipëria është kthyer me dy medalje nga Kampionati Ballkanik i Atletikës, aktivitet i zhvilluar të shtunën dhe të dielën në Volos të Greqisë. Kombëtarja kuqezi arriti të fitojë dy të argjendta në garat e hedhjes së çekiçit, rezultate që mbajnë firmat nga Markelo Mema dhe Yipsi Moreno.

JH

Medalja e parë erdhi nga Markelo Mema, një atlet i afruar vitin e fundit në Kombëtare, i cili po spikat me paraqitjet e tij. Mema fitoi argjend në garën e hedhjes së çeçikit, duke shënuar rezultatin e tij më të mirë personal 76.57 metra. Një paraqitje për duartrokitje nga 25-vjeçari, i cili po shndërrohet në një prej sportistëve më të rëndësishëm të Kombëtares.

Një rezultat i rëndësishëm në Ballkanik erdhi me atletët e Vllaznisë, teksa Franko Burraj, Endri Rakaj, Leandro Çardaku dhe Kolindo Kiri, kanë vendosur rekord kombëtar në stafetën 4×100 metra me rezultatin 41.24, duke u renditur në vendin e tetë. Përmirësohet kështu një rezultat që qëndronte në fuqi prej 31 vitesh dhe për ironi të fatit, ishte vendosur po nga një katëshe shkodrane: Arben Maka, Oltion Luli, Sokol Shepeteja dhe Ilir Xhani, të cilët kishin fiksuar kohën 41.48 në Ljubjanë.

Ndërkohë, Franko Burraj shkëlqeu edhe në garën e 400 metrave, duke regjistruar kohën 45.85, për të përmirësuar rekordin e tij kombëtar. Medalja e dytë erdhi të dielën në garën e hedhjes së çekiçit për femra, ku protagoniste ishte Yipsi Moreno.

Atletja legjendare kubane, ish-kampione olimpike, e cila prej 2 vitesh mbron ngjyrat kuqezi, shënoi rezultatin 67.75 metra, më i miri sezonal për 45-vjeçaren, i përkthyer me vendin e dytë në Ballkanik. Kështu, me dy medalje argjendi të koleksionuara ekipi kuqezi kthehet me bilanc pozitiv nga Volosi.

Megjithatë, mbetet për tu theksuar se pa Luiza Gegën, e cila për vite me radhë ka qenë garanci medaljesh të arta në Ballkanik, gjithashtu edhe pa Izmir Smajlajn, në krye të FSHAsë prej një viti, Shqipëria nuk arrin dot që të prodhojë kampionë në kompeticionin rajonal të atletikës.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL