EKSKLUZIVE/ Ish-kapiteni Beqiri: Ekipit i mungoi përgatitja psikologjike në “Final 4”, prioriteti i Vllaznisë të jenë grupet në…
Nga Kanadaja ku jeton prej disa vitesh tashmë, ka folur ekskluzivisht për “Panorama Sport”, Elvin Beqiri. Ish-mbrojtësi kuqezi nuk i ndahet futbollit, duke treguar eksperiencën e tij me një akademi shqiptare në Toronto.
E po ashtu duke folur edhe për emocionet e Botërorit në këtë vend. Por, ndër të tjera shkodrani ndalet edhe te Superiorja e Vllaznia në veçanti, ku analizon kuqeblutë dhe atë se çfarë mungoi në syrin e tij në fazën finale të sezonit. Ndër të tjera, Beqiri vlerëson faktin se projekti vijon me Martinin e Sinani. Teksa po ashtu thekson se Vllaznia duhet të nxjerrë mësime nga gabimet e ti përmirësojë ato.
Beqiri, fillimisht ndalemi tek një organizim gjigand së fundmi i akademisë ku ju punoni tashmë në Kanada. Diçka më shumë për publikun?
Ishte iniciativa e një prej biznesmenëve shqiptarë këtu në Toronto, Tomi Loçi, si edhe me mbështetjen e biznesmenit tjetër, Erjon Beqiraj, të cilët shprehën dëshirën për hapjen e një akademie futbolli këtu në Toronto. Duke ditur se më parë nuk ka pasur diçka të tillë, ata menduan të ndërmerrnin këtë nismë për komunitetin tonë, i cili tashmë është mjaft i madh në Kanada dhe veçanërisht në Toronto. Ata më ofruan pozicionin e drejtuesit të akademisë, ku shumë shpejt presim të na bashkohet edhe një emër i njohur i futbollit shqiptar, Olsi Teqja. Të dy do të jemi në drejtimin e akademisë Albanian Eagles FC. Regjistrimet kanë filluar dhe po ecin me një ritëm të kënaqshëm, pasi akademia jonë, përveç komunitetit shqiptar, është e hapur të bashkëpunojë edhe me komunitete të tjera, duke qenë në përputhje me mënyrën dhe sistemin kanadez të zhvillimit të futbollit.
Çfarë i mungoi kuqebluve për triumfin final?
Mendoj se mungoi përgatitja e duhur psikologjike e ekipit. Mu duk sikur po shihnim një skuadër tjetër në krahasim me paraqitjet që Vllaznia kishte bërë gjatë sezonit të rregullt. Në ndeshjet vendimtare ekipi nuk arriti të shfaqte të njëjtën qetësi dhe siguri që kishte treguar më parë.
Si e shikon duelin e Conference League, Vllaznia e “detyruar” për kualifikim?
Unë mendoj se Vllaznia duhet të fokusohet më shumë te kalimi i tureve dhe pjesëmarrja në grupet e Conference League sesa vetëm te titulli kampion. Kjo do të rriste ndjeshëm të ardhurat dhe kredibilitetin e klubit në arenën ndërkombëtare, duke krijuar mundësi më të mëdha për afrimin e futbollistëve cilësorë. Një sukses i tillë do t’i jepte klubit më shumë stabilitet dhe do të krijonte bazat për rezultate të qëndrueshme edhe në vitet e ardhshme.
INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS PANORAMA SPORT
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













