Ndryshon Superiorja dhe Kategoria e Parë, FSHF zbulon planin për tre sezonet e ardhshme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2026 | 13:59

Ndryshon Superiorja dhe Kategoria e Parë, FSHF zbulon planin për tre sezonet e ardhshme

Departamenti i Garave dhe Komisioni i Ligave dhe Garave në FSHF zhvilluan sot një takim konsultues me përfaqësuesit e klubeve të “Abissnet Superiore” dhe Kategorisë së Parë, në kuadër të diskutimeve për strukturën dhe skemën e kampionateve për sezonet 2026/27, 2027/28 dhe 2028/29.

Departamenti-i-garave-mbledhje-mbi-formatin-e-kampionatit-scaled

Duke qenë se tashmë është fakt heqja e “Final Four”, tani po shqyrtohet formati i ri.

Takimi u organizua në vazhdën e procesit të analizës dhe përmirësimit të vazhdueshëm të garave kombëtare, me synimin për të rritur cilësinë, konkurrueshmërinë dhe atraktivitetin e futbollit shqiptar.

Në bashkëpunim të ngushtë me UEFA-n dhe kompaninë ndërkombëtare të specializuar për hartimin e formateve të kampionateve, Hypercube, Drejtori i Garave në FSHF, Marjus Sulejmani, prezantoi një propozim për formatin e ri të kampionatit.

Ky propozim synon reduktimin e numrit të ndeshjeve pa objektiv sportiv në periudha të caktuara të sezonit, rritjen e konkurrueshmërisë dhe angazhimit të klubeve në të gjitha fazat e garës, si dhe përmirësimin e përgatitjes së skuadrave shqiptare për pjesëmarrjen në kompeticionet europiane përmes ndeshjeve me rëndësi të lartë sportive.

Gjithashtu, formati i propozuar synon krijimin e një produkti gare më dinamik dhe më tërheqës për tifozët, transmetuesit dhe partnerët komercialë, duke ruajtur interesin sportiv për objektivat e kampionatit deri në fund të sezonit.

Gjatë takimit, drejtuesit e klubeve të pranishme ndanë opinionet dhe sugjerimet e tyre lidhur me propozimin e paraqitur. Të gjitha rekomandimet dhe komentet e mbledhura do t’i paraqiten Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, i cili do të shqyrtojë propozimet dhe do të marrë vendimin përfundimtar për strukturën dhe skemën e kampionateve “Abissnet Superiore” dhe Kategorisë së Parë për sezonet 2026/27, 2027/28 dhe 2028/29.

PANORAMASPORT.AL