Në lot gjatë himnit, Bellingam zbulon arsyen prekëse
Ylli i Anglisë, Xhud Bellingam, ka zbuluar arsyen prekëse pse emocionohet sa herë që këndon himnin kombëtar “God Save The King” para ndeshjeve të kombëtares. Mesfushori vazhdon të jetë një nga protagonistët e Kombëtares së Anglisë në këtë Kupë të Botës, që po zhvillohet në Amerikë, Kanada dhe Meksikë.

E duke folur para mediave britanike, 22-vjeçari tregoi se momenti i himnit i kujton gjithmonë gjyshin e tij, i cili ndërroi jetë pak para debutimit të tij me Anglinë. “Mendoj se himni është mundësia e fundit për të reflektuar mbi njerëzit që të kanë ndihmuar të arrish deri këtu dhe çfarë do të thotë të jesh anglez. Gjithmonë mendoj për gjyshin tim, i cili vdiq pak para debutimit tim me përfaqësuesen e Anglisë. Ai ishte jashtëzakonisht patriot”, rrëfeu Xhud.
Sipas tij, gjyshi ishte një njeri që e donte me pasion historinë dhe vendin e tij. “Ai dinte gjithçka për luftërat, betejat, mbretërit dhe mbretëreshat e Anglisë. Sa herë vjen ai moment para ndeshjes, mendoj për të”, shtoi mesfushori. Ndër të tjera, mesfushori pranoi se mendon edhe për familjen e tij dhe sakrificat që kanë bërë për ta ndihmuar të arrijë në majat e futbollit.
“Mendoj për nënën, babanë dhe vëllain tim Jobe. Ata kanë qenë jashtëzakonisht të rëndësishëm për mua. Vëllai im ka qenë gjithmonë mbështetja ime më e madhe”, u shpreh ai. Ky është turneu i katërt i madh me Anglinë për Bellingamin, i cili tashmë konsiderohet një nga liderët e skuadrës së drejtuar nga Tomas Tuhel. “Di të them se kur vesh fanellën e Anglisë dhe numrin 10 në shpinë, jap gjithçka që kam. Ëndrra e çdo futbollisti është të luajë në Kupën e Botës dhe unë ndihem me fat që po e përjetoj këtë për herë të dytë”, përfundoi Xhud.
PANORAMASPORT.AL













