EKSKLUZIVE/ Dinamo bën pazar te Bylisi, ja 3 lojtarët që presin kryeqytetasit
Dinamo nuk ka qenë shumë aktive në merkaton hyrëse gjatë kësaj vere, megjithëse ka bërë disa afrime me vlerë. Tashmë blutë kanë kthyer sërish vëmendjen nga Bylisi, skuadër që pas rënies nga kategoria pritet të kalojë një verë të nxehtë sa i përket largimeve dhe riformatimit të organikës.
Sipas burimeve pranë klubit blu, mes palëve ekziston një akord verbal paraprak për transferimin e tre futbollistëve, i arritur përpara përfundimit të sezonit, ndërsa aktualisht mbetet vetëm finalizimi i marrëveshjes, e cila është pezull për shkak të situatës së re sportive të klubit ballshiot. Dinamo, që ka objektiv të qartë forcimin e skuadrës për kompeticionet europiane dhe konsolidimin në elitë, po monitoron me kujdes tregun vendas, ku lojtarët e Bylisit konsiderohen profile të përshtatshme për projektin e klubit.
Nga ana tjetër, Bylisi ndodhet në një moment tranzicioni të fortë, pasi rënia nga kategoria e detyron të rishikojë gjithë strukturën e ekipit, duke balancuar mes nevojës për të ruajtur boshtin dhe interesit për të arkëtuar nga shitjet. Gjithashtu, objektiv i ballshiotëve është ngjitja e shpejtë në Superiore sërish dhe largimi i lojtarëve kryesorë, nuk e ndihmon diçka të tillë. Në qendër të këtij operacioni janë tre futbollistë që kanë qenë pjesë e rëndësishme e sezonit të fundit dhe që kanë tërhequr vëmendjen e Dinamos prej kohësh.
“Panorama Sport” ka mësuar se bëhet fjalë për Abubakar Kamara, Muktar Koxhi dhe Olamilekan Adeduro. Vetëm pak ditë më parë, Dinamo ariri të siguronte shërbimet e Fabjan Përndrecës, mbrojtësi i talentuar i cili ka qenë edhe pjesë e Shqipërisë U21, ndërkohë që mes klubeve ka një marrëveshje huazimi për Kupat e Europës, teksa pritet që të ketë edhe diskutime të tjera për të bërë marrëveshje afatgjatë.
ABOUBACAR CAMARA- Mbrojtësi ka qenë një nga lojtarët më të përdorur të Bylisit gjatë sezonit, duke u shndërruar në një element të rëndësishëm të krahut të djathtë të mbrojtjes. Ai ka regjistruar 20 paraqitje zyrtare, duke grumbulluar 1690 minuta lojë, çka tregon besimin e stafit teknik dhe rolin e tij si titullar i rregullt në skuadër. Në aspektin ofensiv, Kamara ka arritur të shënojë edhe 2 gola, një kontribut i vlefshëm për një mbrojtës krahu, ndërsa në aspektin disiplinor ka regjistruar 7 kartonë të verdhë dhe 1 karton të kuq, duke reflektuar një stil loje agresiv dhe të përfshirë në duele të forta gjatë gjithë sezonit. Kamara shihet si një mbrojtës modern, me aftësi për të mbuluar gjithë krahun dhe për të marrë pjesë si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm, gjë e cila preferohet shumë nga Daja.

MOUCTAR KODJI- Sulmuesi i krahut ka qenë një nga pikat më të forta të Bylisit në fazën ofensive, duke luajtur kryesisht si anësor i majtë dhe duke sjellë vazhdimisht rrezik në zonën kundërshtare. Ai ka regjistruar 29 ndeshje të luajtura, me 2076 minuta në fushë, duke qenë një nga lojtarët më konstantë në formacion. Në aspektin statistikor, Koxhi ka kontribuar me 3 gola të shënuar, duke u shfaqur si një lojtar që di të godasë në momentet vendimtare, ndërsa ka marrë edhe 6 kartonë të verdhë.

OLAMILEKAN ADEDURO- Mesfushori është profili më i ri i kësaj tresheje dhe një nga lojtarët që përfaqëson investimin afatgjatë të Bylisit në mesfushë. Ai ka regjistruar 30 paraqitje zyrtare, duke grumbulluar 2472 minuta lojë, duke qenë një nga elementët më të përdorur në repartin e mesfushës gjatë sezonit. Roli i tij ka qenë kryesisht defensiv, me fokus në shkatërrimin e aksioneve kundërshtare dhe mbulimin e hapësirave në qendër të fushës, pa kontribuar në statistikat ofensive si gola apo asistime. Megjithatë, prania e tij në fushë ka qenë e rëndësishme për ekuilibrin taktik të skuadrës.

E SHKUARA- Kjo lëvizje nuk është e para mes dy klubeve, pasi në merkaton e janarit Dinamo afroi nga Bylisi mesfushorin Malomo dhe sulmuesin Mustafa. Në këtë rast, Malomo rezultoi një goditje e rëndësishme për skuadrën kryeqytetase, ndërsa Mustafa nuk arriti të linte impaktin e pritur. Ky precedent tregon një marrëdhënie të qëndrueshme mes dy klubeve në tregun e transferimeve, ku Dinamo ka ditur të përfitojë nga situatat sportive të Bylisit për të ndërtuar skuadrën e saj. Në këtë kuadër, marrëveshja për tre futbollistët mbetet ende në fazën e diskutimeve, por sinjalet janë të qarta, me Dinamon po ndërton një skuadër me ambicie europiane, ndërsa Bylisi po hyn në një periudhë të vështirë rindërtimi pas rënies nga kategoria.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













