I mohuan rinovimin futbollistes pasi mbeti shtatzënë, dënohet Lacio. Maja Gothberg fiton çështjen në Lozanë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 25, 2026 | 11:10

I mohuan rinovimin futbollistes pasi mbeti shtatzënë, dënohet Lacio. Maja Gothberg fiton çështjen në Lozanë

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (KAS) në Lozanë i ka dhënë të drejtë futbollistes suedeze Maja Gothberg dhe ka dënuar klubin Lacio Femra me kompensim financiar.

maja

Bëhet fjalë për një vendim historik për futbollin e femrave, i cili krijon një precedent shumë të rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave të sportisteve. Klubi italian u shpall fajtor për ndërprerjen e paligjshme të marrëdhënies kontraktuale me lojtaren pasi kishte mësuar për shtatzëninë e saj. Pasi Gothberg humbi fillimisht çështjen në Dhomën e Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve të FIFAs, KAS vendosi në favor të saj, duke njohur për herë të parë zyrtarisht shkeljen e rregullave të FIFA-s për mbrojtjen e mëmësisë nga ana e një klubi futbolli.

RASTI – Ngjarja daton në vitin 2024, kur Gothberg ishte një nga lojtaret kyçe të Lacios në sezonin që i siguroi ekipit ngjitjen në elitën e futbollit italian për femra. Pas rikthimit në Serie A, klubi nisi negociatat për rinovimin e kontratës së saj. Palët arritën marrëveshje për detajet kryesore të kontratës së re, por firma nuk u vendos kurrë. Ndërkohë, futbollistja zbuloi se ishte shtatzënë dhe vendosi ta informonte klubin, edhe pse rregulloret e FIFA-s nuk i detyrojnë lojtaret të zbulojnë informacione të tilla. Sipas provave të KAS, menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, Lacio ndërpreu të gjitha bisedimet për rinovimin e kontratës. Gjatë procesit gjyqësor, provat vendimtare u gjetën në komunikimet përmes “WhatsApp”-it, të cilat vërtetuan se drejtuesit e klubit kishin dijeni për shtatzëninë e lojtares.

REAGON GOTHBERG – Përveç shkeljes kontraktuale, KAS konstatoi se Lacio kishte shkelur edhe rregullat e konfidencialitetit, pasi kishte zbuluar informacione private dhe të ndjeshme mjekësore, duke ua bërë të ditur shtatzëninë e lojtares bashkëlojtareve të saj. Ndërkohë, pas shpalljes së vendimit, Gothberg reagoi me një deklaratë publike: “Ky nuk ishte vetëm një rast futbolli, bëhej fjalë për t’u trajtuar me drejtësi dhe respekt në një moment shumë të rëndësishëm të jetës sime. Ky vendim përcjell një mesazh të qartë se shtatzënia nuk duhet të konsiderohet kurrë si problem apo si arsye për t’i mohuar një lojtareje mundësi profesionale. Shpresoj që ky rast të kontribuojë në krijimin e një mjedisi më të sigurt për futbollistet që duan të ndërtojnë njëkohësisht karrierën dhe familjen e tyre”.

PANORAMASPORT.AL