Kapiteni në qendër të vëmendjes, dilema e Kimish te kombëtarja gjermane

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 25, 2026 | 17:12

Kapiteni në qendër të vëmendjes, dilema e Kimish te kombëtarja gjermane

Fitorja e ngushtë 2-1 ndaj Bregut të Fildishtë të dielën i dha kombëtares gjermane disa mësime të rëndësishme. Sipas Lotar Mateus, mbrojtja duhet të ristrukturohet përpara se Kupa e Botës 2026 të hyjë në fazën vendimtare. Në qendër të vëmendjes është kapiteni i Gjermanisë dhe lojtari i Bajernit, Xhoshua Kimish.

kimish

“Kimish nuk do të bëhet më i shpejtë gjatë turneut, por kundërshtarët që vijnë do të jenë më të shpejtë”, tha Mateus. Që para turneut, trajneri i kombëtares, Julian Nagelsman, kishte vendosur ta përdorte Kimishin në pozicionin e tij të vjetër në krahun e djathtë të mbrojtjes dhe jo në mesfushë, aty ku ai kishte treguar formë të nivelit botëror në muajt e fundit.

Mateus theksoi se në krahët e mbrojtjes nevojitet një dinamikë e caktuar. Sipas tij, Kimish pati “problemet e pritshme me shpejtësinë” kundër Jan Diomande në ndeshjen ndaj Bregut të Fildishtë.

Në një përballje të mundshme në fazën e 1/16 kundër Francës, që aktualisht konsiderohet skenari më i mundshëm, kundërshtari i tij i drejtpërdrejtë mund të ishte Kilian Mbapé. Për t’i zgjidhur këto probleme, Mateus sugjeroi që Nathaniel Braun të zhvendoset në krahun e djathtë të mbrojtjes. Në këtë rast, David Raum do të luante në të majtë, ndërsa Kimish do të rikthehej në qendër të mesfushës.

Në këtë skenar, humbësi më i madh do të ishte Aleksandar Pavloviç, i cili do të duhej të ulej në stol. Edhe Tomas Myler dhe Mats Humels kishin kritikuar paraqitjen mbrojtëse të Kimish kundër Bregut të Fildishtë. Legjenda e Bajernit, Paul Breitner, kishte përdorur madje edhe fjalë më të ashpra. Megjithatë, sipas Mateusit, gjithçka mbetet e mundur për Gjermaninë në këtë Kupë Bote.

Ai sheh zhvillime pozitive në dy ndeshjet e para të turneut. Një nga shembujt është Feliks Nmeça, i cili sipas rekordmenit të ndeshjeve me kombëtaren gjermane mund të shndërrohet në një “yll botëror” në javët e ardhshme. Po ashtu, Deniz Undav, me “instinktin e tij pothuajse unik për golin”, konsiderohet një garanci suksesi për ekipin e Nagelsmanit.

PANORAMASPORT.AL