Verdheblutë fokusohen te një pozicion i veçantë, Elbasani nis kërkimin për një emër të ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 25, 2026 | 20:34

Verdheblutë fokusohen te një pozicion i veçantë, Elbasani nis kërkimin për një emër të ri

Elbasani po vazhdon punën për ndërtimin e skuadrës për sezonin e ri, teksa drejtuesit kanë ndërhyrë pothuajse në çdo repart gjatë merkatos së verës. Sulmi ka pësuar ndryshime të shumta, mesfusha po kompletohet gradualisht, ndërsa edhe mbrojtja ka marrë përforcime të rëndësishme.

elbasani

Megjithatë, ekziston një pozicion ku ende nuk ka ardhur afrimi i shumëpritur dhe bëhet fjalë pikërisht për portën. Largimi i Martin Janaçek në fund të sezonit ka lënë një boshllëk të rëndësishëm te verdheblutë. Portieri çek ishte një nga futbollistët më të spikatur të Elbasanit gjatë sezonit të fundit dhe largimi i tij ka detyruar drejtuesit të dalin në treg për të gjetur zëvendësuesin ideal. Deri tani, kjo mbetet çështja më e rëndësishme e pazgjidhur në merkaton e klubit.

AFRIMET – Ndryshe nga porta, repartet e tjera kanë pësuar ndryshime të shumta. Në sulm kanë mbërritur Rubin Hebaj, Ardit Nikaj, Ledio Tresa dhe Edoli Lukoki, ndërsa në mbrojtje është afruar së fundmi edhe Joan Epitauks, i cili vjen nga futbolli zviceran me statusin e kapitenit të Ksamaksit. Edhe në mesfushë drejtuesit po punojnë për të plotësuar boshllëqet e krijuara nga largimet, ndërsa objektivi mbetet krijimi i një grupi sa më konkurrues për kampionatin dhe Ligën e Konferencës. Pa llogaritur edhe dyshen e ardhur në formë huazimi nga Vora si Marjo Bajramaj dhe Bernard Karrica. Në këtë mënyrë, pothuajse çdo repart ka marrë ose pritet të marrë përforcime, me përjashtim të portës, ku ende nuk është zyrtarizuar asnjë emër.

PORTA – Pikërisht pozicioni i gardianit konsiderohet prioriteti kryesor i momentit për drejtuesit verdheblu. Burime pranë klubit bëjnë me dije se kërkimet vazhdojnë dhe se vëmendja është përqendruar kryesisht te tregu i huaj. Ashtu si në rastin e Janaçek, edhe këtë herë drejtuesit po shohin me interes kampionatin çek, nga ku mund të vijë pasuesi i portierit që u largua këtë verë. Tregu çek vazhdon të mbetet pista më e nxehtë dhe nuk përjashtohet që në ditët e ardhshme të ketë zhvillime konkrete në këtë drejtim. Megjithatë, koha po kalon dhe ndeshjet europiane po afrohen, çka e bën edhe më urgjente zgjidhjen e kësaj çështjeje.

ALTERNATIVA – Nëse merkatoja nuk sjell një emër të ri në kohën e duhur, atëherë Elbasani ka gati edhe një alternativë brenda grupit. Bëhet fjalë për Klevi Totoshin, i cili tregoi se mund të mbajë peshën e portës gjatë pjesës së dytë të sezonit të kaluar. Pas dëmtimit të Janaçek, ishte pikërisht Totoshi ai që mori përgjegjësinë e mbrojtjes së katërkëndëshit verdheblu, duke zhvilluar disa paraqitje pozitive dhe duke fituar besimin e stafit teknik. Për këtë arsye, nëse drejtuesit nuk arrijnë të gjejnë profilin e duhur në merkato, nuk përjashtohet mundësia që porta t’i besohet sërish gardianit shqiptar, i cili tashmë ka fituar eksperiencë edhe në ndeshje me peshë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL