ZYRTARE/ Largim i bujshëm nga Partizani, konfirmohet lajmi i “Panorama Sport”: Gjithmonë një vend special në zemrën time
Etapa e mbrojtësit Altin Bytyçi te Partizani ka përfunduar. Ashtu siç kishte paralajmëruar “Panorama Sport”, mbrojtësi ka ndarë rrugët me klubin kryeqytetas pas tre viteve si pjesë e tij.

Futbollisti, i cili ishte kthyer në të paprekshëm në rreshtimin e Partizanit në vitin e fundit, ka mbyllur kontratën me të kuqtë dhe nëpërmjet rrjeteve sociale, u ka dhënë lamtumirën tifozëve të skuadrës kryeqytetase. Tashmë atë e pret skuadra e Dritës, të cilës do t’i bashkohet në ditët në vijim.
MESAZHI I BYTYÇIT
Sot po mbyllet një kapitull shumë i rëndësishëm për mua. Pas tre viteve, ka ardhur momenti të largohem nga ky ekip që për mua ishte më shumë se një klub. Kemi kaluar bashkë ditë të vështira, momente zhgënjimi, por edhe emocione e fitore që nuk do t’i harroj kurrë. Në çdo stërvitje, në çdo ndeshje dhe në çdo sakrificë, kemi qenë gjithmonë ekip dhe familje.
Një falënderim shumë special shkon edhe për tifozët, për Ultras Guerrils, që kanë qenë gjithmonë pranë ekipit në çdo moment, si në ditët më të mira ashtu edhe në ato më të vështira. Mbështetja dhe dashuria juaj nuk harrohen kurrë.
Dua të falënderoj çdo shok skuadre, trajner, staf dhe çdo person që ka qenë pjesë e këtij rrugëtimi. Largohem me zemër plot emocione, krenar që kam veshur këtë fanellë dhe mirënjohës për çdo kujtim.
Partizani do të ketë gjithmonë një vend special në zemrën time. Ju uroj suksese nga zemra në vazhdim. Faleminderit për gjithçka.

PANORAMASPORT.AL













