Egnatia “harron” festën, fokusi total te Celje. Tani synohet faza e grupeve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 20, 2026 | 10:34

Egnatia “harron” festën, fokusi total te Celje. Tani synohet faza e grupeve

Kualifikimi historik ndaj Petrokubit u festua siç duhej në Rrogozhinë, por te Egnatia askush nuk ka kohë të qëndrojë gjatë te suksesi i sapoarritur.

EGNAATIA

Kalimi i turit të parë të Ligës së Kampioneve ka hyrë tashmë në histori, ndërsa vëmendja është zhvendosur menjëherë te sfida e radhës me Çeljen. Koha në dispozicion është shumë e shkurtër, pasi ndeshja e parë do të luhet të mërkurën në “Arena Egnatia”, çka nuk i lejon kampionët e Shqipërisë të humbasin asnjë ditë. Pikërisht për këtë arsye, ditët në vijim iu kushtuan më shumë rikuperimit fizik dhe analizës së kundërshtarit, sesa festimeve. Stafi teknik është i vetëdijshëm se niveli i vështirësisë rritet ndjeshëm dhe çdo detaj mund të jetë vendimtar në një përballje që mund ta afrojë edhe më shumë klubin me objektivin europian.

BESIM TEK GRUPI – Paraqitja bindëse ndaj Petrokubit ka bërë që Nevil Dede të mos ketë shumë dilema për formacionin. Trajneri pritet t’i besojë thuajse të njëjtit ekip që dominoi kampionët e Moldavisë, pasi skuadra tregoi se ka gjetur ekuilibrin e duhur si në fazën mbrojtëse, ashtu edhe në ndërtimin e lojës. Rikthimi i Albano Aleksit pas pezullimit është risia më e rëndësishme në organikë, ndërsa për pjesën tjetër nuk priten lëvizje të shumta. Dede ka fituar me këtë skemë dhe me këtë grup lojtarësh, ndaj logjika të çon te vazhdimësia. Automatizmat e krijuara gjatë javëve të fundit dhe harmonia që është parë në fushë janë argumente të forta për të mos prekur një formulë që ka dhënë rezultate.

PESHA E SFIDËS – Përballja me Çeljen konsiderohet si testi më i fortë i Egnatias në këtë edicion europian. Kampionët sllovenë përfaqësojnë një nivel më të lartë se Petrokubi, por në kampin rrogozhinas besojnë se paraqitja e dy ndeshjeve të fundit u ka dhënë të drejtën të ëndërrojnë edhe më tej. Një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë, për më tepër në shtëpi, do të ishte me rëndësi të madhe për mënyrën se si do të administrohej sfida e kthimit. Pikërisht për këtë arsye, Dede pritet t’i kushtojë rëndësi maksimale 90 minutave në Rrogozhinë, duke synuar që skuadra të marrë avantazhin përpara transfertës.

OBJEKTIVI I MADH – Kalimi i Petrokubit i ka garantuar Egnatias minimalisht fazën “play-off” të Ligës së Konferencës, por objektivi tashmë është bërë edhe më i madh. Nëse kampionët e Shqipërisë eliminojnë edhe Çeljen, atëherë do të sigurojnë matematikisht pjesëmarrjen në fazën e ligës së Conference League, duke qenë të garantuar të paktën në një nga tre kompeticionet europiane të UEFA-s. Ky është motivimi më i madh për skuadrën rrogozhinase. Përveç një tjetër arritjeje historike në planin sportiv, një kualifikim i tillë do t’i sillte klubit edhe përfitime të konsiderueshme financiare, ndërsa do ta vendoste Egnatian mes emrave që do të luajnë futboll europian edhe në muajt e vjeshtës. Për këtë arsye, te kampionët e Shqipërisë askush nuk mendon më për atë që kaloi. Festa ka përfunduar dhe tashmë ka nisur numërimi mbrapsht për sfidën më të rëndësishme të sezonit deri në këtë moment.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL