“Nëndetësja” në hall për transfertën, sërish me tranzit
Dinamo përballet me një problem organizativ përpara transfertës ndaj Aluminij në Slloveni, pasi udhëtimi drejt Sllovenisë nuk është i thjeshtë për skuadrën kryeqytetase. Aktualisht nuk ka fluturime direkte nga Tirana drejt Sllovenisë, duke e bërë më të komplikuar lëvizjen e ekipit për ndeshjen e datës 23 korrik. Alternativa e udhëtimit me autobus është një opsion i pamundur, pasi distanca prej rreth 1000 kilometrash do të kërkonte afërsisht 12 orë rrugë.

FOTO: PETRIT PASHOLLARI
Një udhëtim i tillë do të ndikonte në rikuperimin fizik të lojtarëve dhe nuk konsiderohet zgjidhja më e mirë përpara një sfide europiane. Për këtë arsye, drejtuesit e Dinamos po shqyrtojnë variante të tjera për të mbërritur në Slloveni. Një nga mundësitë është përdorimi i aeroporteve në shtetet fqinje, ndërsa një tjetër alternativë është udhëtimi me tranzit, ku një nga rrugët më të mundshme është kalimi përmes Beogradit. Aktualisht, linjat nga Tirana drejt Ljubljanës ofrohen me ndalesë, ndërsa një prej opsioneve të zakonshme është tranziti në Serbi.
Dinamo kërkon të gjejë zgjidhjen më të përshtatshme për të shmangur lodhjen para ndeshjes me Aluminij, sidomos pas angazhimeve të fundit dhe përgatitjeve për përballjen europiane. Udhëtimi dhe rikuperimi do të jenë një element i rëndësishëm në menaxhimin e skuadrës përpara sfidës së 23 korrikut.
PANORAMASPORT.AL













