Partizani nis fazën, dy miqësore për të kuqtë. Trajneri rumun i beson akademisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2026 | 8:37

Partizani nis fazën, dy miqësore për të kuqtë. Trajneri rumun i beson akademisë

Partizani ka nisur prej disa ditësh përgatitjet për sezonin e ri futbollistik dhe për herë të parë pas disa vitesh prezencë, “demat e kuq” mbetën jashtë Europës duke mbyllur një sezon zhgënjyes edhe pse deri në javët e fundit, ishin në garë për një vend në katërshen më të mirë.partizaniFundi i sezonit solli edhe ndryshime të shumta në stafin teknik ku i pari që u largua ishte trajneri Oltion Kërnaja teksa vetëm pak javë më parë, rumuni Florin Bratu zuri vendin e tij dhe tashmë do të ketë kohë të mjaftueshme për të përgatitur sezonin e ri.

Trajneri rumun e nisi me një humbje në miqësore ndaj Besës, ku më shumë se për rezultatin, trajnerit i interesonte që të jepte ngarkesë për skuadrën dhe të njihej më mirë me gjendjen fizike të lojtarëve. Gjithashtu, trajneri pati mundësi të provonte edhe lojtarë të rinj, si Qokthi që sezonin e fundit luajti disa ndeshje titullar apo edhe Çelaj, i rikthyer nga Bylisi. Minuta mori edhe Vata, një nga talentët më premtues të akademisë dhe pritet që këto lojtarë, të kenë besimin e trajnerit dhe duhet të bëjnë gjithçka deri në fillim të kampionatit, për të zënë vendin e tyre në skuadër.

FAZA PËRGATITORE- Ditën e djeshme, Partizani ka lënë kryeqytetin ku për disa ditë është stërvitur në “Shtëpinë e Futbollit”. Të kuqtë kanë vendosur të zhvillojnë fazën përgatitore në Pogradec dhe këto dy javë, pritet të jenë dy javët më të rëndësishme të verës duke qenë se skuadra do të duhet të përgatitet maksimalisht për startin e sezonit dhe ta nisë kampionatin në të njëjtën xhiro si Egnatia, Dinamo, Vllaznia apo Elbasani që luajtën në Kupat e Europës, me dy të para që ende janë në garë dhe vazhdojnë të jenë në aktivitet fizik. Partizani ka zgjedhur qytetin e Pogradecit, ku do të qëndrojë i grumbulluar deri në datën 1 gusht.

MIQËSORET- Veç stërvitjeve intensive, stafi teknik do të ketë mundësinë që të shohë skuadrën dhe t’i japë ngarkesë edhe nëpërmjet ndeshjeve miqësore. Kështu, drejtuesit kanë arritur dakordësi me Skënderbeun dhe Pogradecin për të zhvilluar dy teste miqësore gjatë kësaj faze përgatitore. Për të kuqtë, do të jenë dy ndeshje ku do të provohen edhe disa lojtarë të akademisë që janë marrë nga trajneri rumun, ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia që drejtuesit të afrojnë edhe lojtarë të tjerë në provë gjatë këtyre ditëve për të synuar që të ketë një kontingjent sa më të plotë. Me rikthimin në Tiranë, Partizani do të ketë pak ditë pushim para se të rinisë përgatitjet në kryeqytet, ku sërish do të ketë miqësore deri javën para se të nisin përgatitjet për javën e parë të Superiores.

PANORAMASPORT.AL