Leao do largimin nga Milani, por askush nuk e kërkon
Rafael Leao pritet t’i bashkohet Milanit në Perth pas dhjetë ditësh për të nisur përgatitjet e sezonit të ri nën drejtimin e Ruben Amorim. Megjithatë, e ardhmja e sulmuesit portugez mbetet një nga çështjet më të nxehta në shtëpinë kuqezi.

Që nga fundi i muajit maj, Leao ka bërë të qartë se dëshiron të largohet nga Milani për të nisur një aventurë të re në futbollin europian. Problemi është se deri tani klubi nuk ka marrë asnjë ofertë konkrete për lojtarin që vetëm pak vite më parë konsiderohej simboli i skuadrës.
Nga 100 milionë euro… në 50
Pas fitimit të titullit kampion në vitin 2022, Çelsi ishte gati të paguante rreth 100 milionë euro për Leaon, por Milani refuzoi ta shiste yllin e tij. Sot situata ka ndryshuar rrënjësisht. Dy sezonet e fundit kanë qenë zhgënjyese për portugezin, i cili ka humbur ndikimin në lojën e skuadrës dhe shpesh është bërë objekt kritikash nga tifozët.
Dëmtimet, zgjedhjet teknike të Fonsekës, Konceiçaos dhe së fundmi përdorimi i tij si sulmues qendror nga Alegri kanë ndikuar në rënien e rendimentit të tij. Milani kërkon 60 milionë euro për kartonin e Leaos, por drejtuesit janë të vetëdijshëm se edhe një ofertë prej 50 milionësh do të konsiderohej e pranueshme.
Asnjë klub nuk ka bërë hapin vendimtar
Ashtu si ndodhi një vit më parë me Teo Hernandez, edhe për Leaon mungojnë ofertat konkrete. Botërori nuk ndikoi në rritjen e interesit për të. Ai shkëlqeu vetëm në ndeshjen kundër Kroacisë, ku dhuroi një asist për Gonçalo Ramos, ndërsa gjeti rrugën e rrjetës vetëm në fitoren 5-0 ndaj Uzbekistanit. Interesimi i Barcelonës dhe Mançester Junajtid mbeti vetëm në fazën e kontakteve paraprake dhe nuk u shndërrua kurrë në negociata. Edhe pse merkatoja mbyllet pas rreth 40 ditësh, sinjalet nuk janë optimiste dhe raporti i ftohur mes Leaos dhe ambientit kuqezi e bën situatën edhe më të ndërlikuar.
Premier League, alternativa më e preferuar e sulmuesit
Leao ka kontratë me Milanin deri në vitin 2028 dhe synon një transferim përfundimtar. Paga e tij prej rreth 7 milionë eurosh neto në sezon, së bashku me bonuset, mbetet një tjetër pengesë për klubet e interesuara. Një nga skuadrat që mund të ketë mundësi financiare është Aston Vila, e cila pas triumfit në Ligën e Europës do të marrë pjesë në Champions League. Mbetet për t’u parë nëse trajneri Unai Emeri do të vendosë të investojë te talenti portugez. Nga ana tjetër, Gallatasaraj, Fenerbahçe dhe Beshiktash kanë shfaqur interes, por Leao nuk e konsideron kampionatin turk si një destinacion tërheqës. Ai ka refuzuar gjithashtu ofertat nga Arabia Saudite, pavarësisht dëshirës së Teo Hernandez për ta pasur shok skuadre tek Al Hilal.
Karetsas, talenti grek pret shitjen e Leaos
Për momentin, Leao do të nisë normalisht përgatitjet me Milanin dhe do të udhëtojë me skuadrën drejt Australisë. Klubi nuk ka ndërmend ta lërë jashtë grupit, pasi një veprim i tillë do të ulte edhe më shumë vlerën e kartonit të tij. Ndërkohë, merkatoja e kuqezinjve është e lidhur ngushtë me të ardhmen e portugezit. Vetëm nëse Milani arrin të shesë Leaon, do të ketë mundësinë të hidhet në sulm për Konstantinos Karetsas, talentin grek me pasaportë belge që aktivizohet te Genk.
Klubi belg kërkon 40 milionë euro dhe ka refuzuar tashmë një ofertë prej 30 milionësh nga Borusia Dortmund. Pa shitjen e Leaos, Milani e ka pothuajse të pamundur të hyjë seriozisht në garë për një nga talentet më premtues të futbollit europian.
PANORAMASPORT.AL













