“Transfermarkt” i rendit në vendin e tetën, kuqeblutë e Vllaznisë duan përgjigjen në fushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 20, 2026 | 23:39

“Transfermarkt” i rendit në vendin e tetën, kuqeblutë e Vllaznisë duan përgjigjen në fushë

Vlera në letër nuk luan futboll, por Vllaznia kërkon ta përgënjeshtrojë renditjen e “Transfermarkt”. Vllaznia nuk hyn në sezonin e ri mes skuadrave me vlerën më të lartë të kampionatit, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se kuqeblutë do të jenë jashtë garës për objektivat e tyre. Sipas të dhënave të Transfermarkt, skuadra shkodrane renditet në vendin e tetë në Superiore për nga vlera e organikës, me një total prej 3.63 milionë eurosh.

vllaznia

Ky pozicion vjen si pasojë e ndryshimeve të shumta të bëra gjatë merkatos së verës. Largimi i disa futbollistëve me vlerë më të lartë në treg ka ndikuar në uljen e vlerës së skuadrës, ndërsa afrimet e deritanishme nuk kanë pasur ende të njëjtin impakt në aspektin ekonomik. Gjithsesi, drejtuesit vijojnë punën për të përforcuar ekipin dhe merkatoja mbetet ende e hapur. Në krye të renditjes qëndron Egnatia, e ndjekur nga Partizani, Dinamo City dhe Teuta, ndërsa pas tyre vijnë Tirana, Elbasani dhe Skënderbeu. Vllaznia pozicionohet përpara vetëm Vorës dhe Laçit, një renditje që ka ngjallur diskutime mes tifozëve kuqeblu.

Megjithatë, futbolli ka treguar shpesh se vlera në treg nuk është garanci për sukses. Ajo që do të ketë rëndësi do të jetë ajo që skuadra do të tregojë në fushën e lojës, aty ku Vllaznia synon të rikthehet protagoniste dhe të lërë pas zhgënjimet e sezonit të kaluar. Me merkaton ende në zhvillim, nuk përjashtohet që edhe vlera e organikës të pësojë rritje në javët në vazhdim.

vlera

PANORAMASPORT.AL