“Njerëzit u zhdukën por askush nuk di ku shkuan”/ Të pastrehët rrëfejnë se si Botërori i dëboi nga rrugët e Amerikës
FIFA thotë se futbolli bashkon botën, por për njerëzit e pastrehë në Atlanta, Kupa e Botës solli dëbim, përjashtim dhe ndjesinë se u trajtuan si të padëshiruar për t’i hapur rrugë spektaklit. Reportazh i “The Guardian”:

“Një pjesë e madhe e komunitetit tonë është dëbuar për shkak të Kupës së Botës. Ne nuk jemi thjesht shenja dollari. Jemi njerëz dhe ndihemi të fyer që na kanë trajtuar si të ishim më pak se qenie njerëzore”.
“Na lanë atje në mes të natës. E quajnë qendër strehimi apo si të duan, por në të vërtetë ishte një depo e mbushur me policë. Dukej si një kamp i FEMA-s. Sapo e pashë, u largova dhe u ktheva në këmbë. Gjithçka po bëhet për shkak të Kupës së Botës. Duan që qyteti të duket bukur për turistët. Nuk duan të shohin njerëz si ne”.
Dy botë krejt të ndryshme
Një javë përpara fi nales së Kupës së Botës, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, fl uturoi nga Miami drejt Katarit me një avion privat luksoz për të marrë pjesë në funeralin e ish-emirit Sheikh Hamad bin Khalifa Al Thani, të cilin e cilësoi si “një vizionar dhe mentor”. Fotot e tij, ulur në një fron argjendi gjatë ceremonisë, bënë xhiron e botës.
Po atë ditë, presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi një vizitë zyrtare në kompleksin e tij të golfi t në Virxhinia, një resort me një klub prej 50 mijë metrash katrorë, pishinë olimpike dhe pamje të hapur mbi lumin Potomac, panoramë e krijuar pas prerjes së 465 pemëve. Po atë të diel, “The Guardian” publikoi një tjetër histori, krejt ndryshe nga luksi dhe ceremonialet zyrtare.
Bëhej fjalë për pastrimin e kampit të të pastrehëve në Freedom Park, vetëm pak minuta larg zonës ku tifozët mblidheshin për të ndjekur ndeshjet e Kupës së Botës në Atlanta. Punonjësit e bashkisë hynë në park pa asnjë paralajmërim dhe larguan tendat, dokumentet personale, ilaçet dhe sendet e njerëzve që jetonin aty.
“Mirëmbajtje rutine”, sipas bashkisë
Autoritetet e qytetit deklaruan se Freedom Park nuk konsiderohej një kamp i autorizuar dhe, për këtë arsye, nuk zbatoheshin procedurat që parashikohen në raste të tilla. Operacioni u përshkrua thjesht si “mirëmbajtje rutinë e parkut”. Një ditë përpara gjysmëfi nales Angli–Argjentinë, ndeshja e fundit e Botërorit që zhvillohej në Atlanta, Freedom Park ishte pothuajse bosh. Lëndina e gjelbër, e rrethuar nga shtëpi elegante, nuk mbante më asnjë gjurmë të tendave, çantave apo karrigeve që deri pak ditë më parë përbënin strehën e dhjetëra njerëzve.
Një fenomen që u përsërit në qytetet organizatore
Largimi i të pastrehëve nga qendrat e qyteteve u shndërrua në një tipar të përbashkët të Kupës së Botës në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë. Kryebashkiaku i Atlantës, Andre Dickens, nuk e fshehu arsyen. “Duam të sigurohemi që personat e pastrehë të mos qëndrojnë në qendër të Atlantës, jo vetëm gjatë Kupës së Botës, por edhe më pas”. Një qëndrim i ngjashëm u mbështet edhe nga administrata amerikane. Në një aktivitet në Peachtree City, zv/presidenti JD Vance deklaroi: “Askush nuk duhet të detyrohet të kalojë në anën tjetër të rrugës në qendër të Atlantës për të shmangur një njeri që bërtet para familjes së tij”. Deklarata u kritikua gjerësisht për gjuhën e ashpër ndaj njerëzve të pastrehë.

“Downtown Rising”, projekti i Botërorit
Atlanta nisi një program të posaçëm me emrin “Downtown Rising”, i cili kishte si objektiv largimin e kampeve të të pastrehëve nga qendra e qytetit përpara nisjes së turneut. Autoritetet deklarojnë se projekti kishte fonde të konsiderueshme dhe synonte strehimin e qindra njerëzve. Sipas bashkisë, rreth 500 persona janë sistemuar në banesa ose qendra pritjeje. Megjithatë, ajo që ndodhi në Freedom Park ka ngritur pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si u zbatua ky program. Në disa raste, sipas dëshmive të mbledhura nga “The Guardian”, ndërhyrjet ishin tepër të ashpra. Madje, në një rast, ato përfunduan edhe me humbjen e një jete.
Një tragjedi që tronditi Atlantën
Freedom Park nuk është rasti i vetëm që ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si janë trajtuar njerëzit e pastrehë në Atlanta. Në janar të vitit të kaluar, Cornelius Taylor po fl inte në tendën e tij në Old Wheat Street, në lagjen historike afro-amerikane “Sweet Auburn”, kur punonjësit e bashkisë mbërritën për të pastruar zonën. Taylor nuk arriti të largohej.
Ai u shtyp për vdekje nga një buldozer pesëtonësh ndërsa fl inte. Më vonë, e fejuara e tij tregoi se kishte gjetur gjak dhe pjesë të trupit mes sendeve personale të Corneliusit. Vdekja e tij shkaktoi reagime të forta në opinionin publik dhe detyroi autoritetet e qytetit të premtonin procedura më të sigurta gjatë operacioneve të ardhshme. Atlanta, sipas vlerësimeve, ka rreth 3 mijë njerëz të pastrehë. Megjithatë, mbetet ende e paqartë nëse premtimet për trajtim më njerëzor janë zbatuar realisht.
“Njerëzit u zhdukën… por askush nuk di ku shkuan”
Përballë Freedom Park ndodhet “Center for Health and Rehabilitation” në Fulton County, një qendër që trajton persona të pastrehë me probleme të shëndetit mendor dhe varësisë. Një prej punonjëseve të qendrës tha se gjatë Kupës së Botës kishte vënë re një rënie të ndjeshme të numrit të njerëzve që jetonin në rrugë.

Ajo kishte lexuar raportime sipas të cilave shumë prej tyre ishin strehuar përkohësisht, por askush nuk dinte të shpjegonte se ku ishin dërguar dhe nëse kishin pasur mundësi të zgjidhnin vetë. “Nuk kam prova për atë që ka ndodhur, por dimë se ata njerëz nuk janë më aty. Atëherë lind pyetja: ku shkuan? Shumë prej tyre donin të qëndronin pikërisht në atë zonë dhe nuk di nëse janë zhvendosur
“Na lanë në mes të natës”
Gjatë Kupës së Botës nuk ekzistonte asnjë qendër zyrtare strehimi për të pastrehët në Atlanta. Një burrë që prezantohet me emrin Sirius, i cili frekuenton “Crossroads Community Center”, pranë hoteleve të FIFA-s dhe rreth 20 minuta në këmbë nga stadiumi, rrëfen përvojën e tij.
“Na lanë atje në mes të natës. E quajnë qendër mormonësh apo diçka të tillë, por nuk ishte gjë tjetër veçse një magazinë plot me policë. Dukej si një kamp i Agjencisë Federale për Menaxhimin e Emergjencave (FEMA). Sapo e pashë, u largova. U ktheva këtu në këmbë”.
Sipas tij, gjithçka kishte një arsye të vetme. “Është për shkak të Kupës së Botës. Po përpiqen ta bëjnë qytetin të duket bukur për turistët”. Ai tregon se më parë policia i linte të pastrehët pranë “Pryor Road”, ndërsa tani i dërgonte shumë më larg, në periferi të qytetit.
“Nuk jemi thjesht shifra në ekonomi”
Edhe Drayvon Clark, një tjetër i pastrehë në Atlanta, shprehet se Botërori ka ndikuar drejtpërdrejt në jetën e komunitetit të tyre. “Ndiejmë se një pjesë e madhe e komunitetit tonë është dëbuar.
Ne nuk jemi thjesht shifra ekonomike. Jemi njerëz dhe na dhemb fakti që na trajtojnë si qenie më pak të vlefshme vetëm për të fi tuar më shumë para”. Clark thotë se nuk ka asgjë kundër futbollit. Madje e pëlqen këtë sport. Por mënyra se si u trajtuan njerëzit e pastrehë, sipas tij, ishte traumatike. “Sollën roje private, organizata të ndryshme dhe njerëz të tjerë vetëm për të larguar komunitetin tonë. Nuk kishte rëndësi nëse ishe i bardhë apo me ngjyrë. Mjaftonte të ishe i pastrehë. Ne vetëm duam që zëri ynë të dëgjohet”.
Një problem shumë më i madh se Botërori
Sipas shifrave zyrtare, në Shtetet e Bashkuara jetojnë të paktën 770 mijë njerëz pa strehë. Gjatë dy viteve të fundit janë miratuar qindra ligje të reja që kriminalizojnë fjetjen në rrugë ose qëndrimin për periudha të gjata në hapësirat publike. Sipas “The Guardian”, Kupa e Botës vetëm sa e përshpejtoi këtë proces në qytetet organizatore. Një histori që përsëritet në çdo event të madh sportive Largimi i njerëzve të pastrehë nga qendrat e qyteteve nuk është një fenomen i ri. Ngjarje të mëdha sportive janë shoqëruar shpesh me politika të ngjashme, ku autoritetet përpiqen të largojnë nga sytë e publikut varfërinë dhe problemet sociale.

Gjatë Lojërave Olimpike të Atlantës në vitin 1996, rreth 9 mijë persona u mbajtën në një qendër që, sipas shumë organizatave, funksiononte praktikisht si një qendër ndalimi. Edhe Parisi, gjatë Lojërave Olimpike të vitit 2024, u kritikua pasi transportoi shumë njerëz të pastrehë jashtë qendrës së qytetit përpara mbërritjes së sportistëve dhe turistëve. Sipas “The Guardian”, edhe përpara Kupës së Botës 2026, qytetet organizatore në SHBA nisën programe të ndryshme për të larguar kampet e të pastrehëve, disa prej të cilëve synonin realisht sigurimin e strehimit, ndërsa të tjerë u kritikuan se kishin më shumë karakter kozmetik sesa social.
Premtime të mëdha, rezultate të kufizuara
Në Los Angeles, autoritetet rezervuan motele për të strehuar përkohësisht një pjesë të njerëzve pa banesë. Në Dallas, u çmontua një kamp me afro 200 tenda, pranë godinës së bashkisë. Ndërkohë, kryebashkiakja e re e Seattle, Katie Wilson, kishte premtuar ndërtimin e 500 banesave të reja, me synimin për të mbyllur kampet e të pastrehëve në qendër të qytetit përpara nisjes së Kupës së Botës. Por deri në fi llimin e turneut, ishin përfunduar vetëm 50 banesa. Kjo diferencë mes premtimeve dhe realitetit u bë një tjetër argument për kritikët, të cilët akuzuan autoritetet se ishin përqendruar më shumë te imazhi i qytetit sesa te zgjidhja afatgjatë e problemit.
Pas stadiumeve plot, një Amerikë krejt tjetër
Pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve, prania e njerëzve të pastrehë në qytetet organizatore mbeti një kujtesë e vazhdueshme e pabarazisë sociale në Shtetet e Bashkuara. Ajo tregonte hendekun e madh mes pasurisë dhe varfërisë, por edhe sa lehtë mund të mbeten jashtë sistemit njerëzit më të pambrojtur. Madje, në prag të finales së Kupës së Botës, një kamp i të pastrehëve ishte ngritur pranë hyrjes së aktivitetit të shumëpromovuar të “Fanatics” në Manhattan. Pamje të tilla, shkruan “The Guardian”, e bëjnë Amerikën të duket si një vend ku dhuna nuk shfaqet domosdoshmërisht me armë, por edhe përmes mungesës së mbështetjes sociale. Një vend ku rrjeta e sigurisë për njerëzit më të dobët është gjithnjë e më e brishtë.
“Amerika është ndërtuar në këtë mënyrë”
Sirius e sheh problemin shumë më gjerë sesa Kupa e Botës. “Ky vend është ndërtuar kështu. Është një vend i luftës. Kjo është ajo që bën. Njerëzit rriten duke u mësuar të jenë agresivë dhe të mos reagojnë ndaj asaj që shohin. Është e qëllimshme. Amerika është e vështirë. Të drejtat e vërteta janë kthyer në privilegje që duhen paguar”. Ai ndalet edhe te marrëdhënia mes komunitetit të tij dhe futbollit. “Do të jem i sinqertë. Shumë njerëz me ngjyrë në Atlanta nuk e luajnë futbollin. Kur ftuat gjithë botën këtu, ftuat njerëzit të merrnin pjesë në një sport ku komuniteti ynë nuk është i përfshirë”. Sipas tij, kontrasti është i dukshëm. “Ky sport gjeneron miliarda dollarë, ndërsa ne nuk kemi asgjë. A do ta bashkojë vërtet botën? A do ta rregullojë qytetin? Derisa të krijohen mundësi të barabarta dhe edhe komuniteti ynë të ketë të njëjtat shanse, asgjë nuk do të ndryshojë. Kjo nuk ka të bëjë me ne. Ne jemi të vetmit që mbetemi jashtë”.
Kur slogani i FIFA-s përplaset me realitetin
Për FIFA-n, Kupa e Botës është turneu që “bashkon botën”. Ky është mesazhi që përsëritet në çdo event, në çdo reklamë dhe në çdo fushatë promovuese. Por, sipas “The Guardian”, realiteti që përjetuan shumë njerëz të pastrehë në qytetet organizatore ishte krejt ndryshe. Për ta, Botërori nuk ishte një festë ku të gjithë ishin të mirëpritur.
Përkundrazi, ishte një spektakël nga i cili u ndjenë të përjashtuar. Në këtë kontekst, slogani i FIFA-s tingëllon gjithnjë e më kontradiktor përballë historive të njerëzve që u larguan nga rrugët, parqet dhe kampet ku jetonin. Sipas gazetës britanike, Kupa e Botës u shndërrua në një industri gjigante argëtimi, e administruar me rregulla të forta, ku imazhi i qyteteve kishte përparësi ndaj realitetit social që fshihej pas tyre.
“Na trajtuan si mbeturina”
Në fund të bisedës me gazetarin, Sirius rikthehet te mënyra se si e përjetoi gjithë këtë periudhë. Për të, organizimi i Botërorit nuk ishte gjë tjetër veçse një mënyrë për të larguar vëmendjen nga problemet reale. “Sa herë organizojnë një aktivitet të madh, njerëzit magjepsen prej tij. Është si te fi lmi Gladiatori, si lojërat në arenë. Për këtë shërben. Është një shpërqendrim”. Ai nuk e fsheh zhgënjimin. “Na trajtuan si mbeturina.
Na shkelën me këmbë. Por kështu është Amerika, apo jo? Në fund të fundit, secili do të përballet me parajsën ose ferrin. Zoti e bekoftë Amerikën”. Fjalët e tij nuk janë vetëm një kritikë ndaj organizimit të Kupës së Botës. Janë një reflektim mbi mënyrën se si trajtohen njerëzit më të pambrojtur në një nga vendet më të pasura të botës.
Një Botëror me dy fytyra
Për miliona tifozë, Kupa e Botës 2026 do të kujtohet për stadiumet plot, emocionet, rekordet dhe spektaklin. Por për mijëra njerëz pa strehë në qytetet organizatore, kujtimi është krejt tjetër. Ata nuk fl asin për gola apo trofe. Flasin për tenda të hequra, sende personale të humbura, zhvendosje të detyruara dhe një ndjenjë të fortë përjashtimi. Kjo është ana tjetër e një Botërori që, ndërsa u prezantua si festa më e madhe e futbollit, nxori në pah edhe plagët sociale të një vendi ku hendeku mes pasurisë dhe varfërisë mbetet i thellë.
Në fund, pyetja që përshkon të gjithë reportazhin e The Guardian mbetet pa një përgjigje të qartë: Ku shkuan të gjithë ata njerëz që u larguan nga rrugët e Atlantës dhe qyteteve të tjera organizatore? Për autoritetet, qytetet u bënë më të pastra dhe më mikpritëse për vizitorët. Për njerëzit e pastrehë, ato thjesht u bënë vende ku nuk kishte më hapësirë për ta.
PANORAMASPORT.AL













