VIDEO/ Rodri shkon ti shtrëngojë duart, Otamendi shpërthen kundër tij: Fol më pak o idiot, u ankove për gjyqtarët gjithë javën
Nikolas Otamendi nuk e priti mirë humbjen e Argjentinës në finalen e Kupës së Botës 2026 kundër Spanjës. Pas përfundimit të sfidës, qendërmbrojtësi argjentinas u përball me Rodrin për komentet që Ajmerik Laporte kishte thënë për MARCA përpara finales.
“Fillo të flasësh më pak, idiot. Ju e kaluat gjithë javën duke qarë,” i tha Otamendi Rodrit ndërsa mesfushori spanjoll iu afrua për t’i shtrënguar duart pas ndeshjes.
“E kaluat gjithë javën duke qarë. Ti dhe Laporte, të dy. Nuk bëhet kështu. Ju u qatë gjyqtarëve gjithë javën, miku im.”
I habitur, Rodri e pyeti Otamendin se për çfarë po i referohej, dhe mbrojtësi argjentinas u përgjigj:
“Laporte? A nuk e pe çfarë tha këtë javë?” (VIDEO)
Fituesi i Topit të Artë u largua dukshëm i shtangur nga shpërthimi i Otamendit. Mbrojtësi argjentinas, i njohur për temperamentin e tij të zjarrtë dhe aftësinë për të nxitur emocione në fushë, u duk veçanërisht i shqetësuar nga deklaratat e Laportes para finales.
Çfarë i tha Laporte MARCA-s?
Përpara finales, mbrojtësi spanjoll u pyet nëse stili agresiv i lojës së Argjentinës e shqetësonte.
“Nuk shqetësohem fare për lojën fizike për sa kohë që është pjesë e futbollit. Nëse gjyqtari bën punën e tij, nuk kam problem me të. Është e vërtetë që në ndeshjet e fundit kemi parë gjëra që na kanë habitur, situata që janë lënë të pandëshkuara. Sidomos me Argjentinën, e cila është një ekip që i pëlqen të lërë mesazhe të vogla me sfidat e saj. Kjo nuk duhet të lejohet në futboll, veçanërisht në turne të kësaj madhësie, sepse mund të të shqetësojë dhe të të bëjë të humbasësh qetësinë. Është detyra e gjyqtarit t’i mbajë këto situata nën kontroll në mënyrë që ndeshja të mos i shpëtojë. Nëse një ose dy lojtarëve u lejohet të bëjnë çfarë të duan, loja do të bëhet kaotike. Që nga fillimi i turneut ne kemi qenë një ekip shumë i drejtë në këtë drejtim. Ne nuk shkojmë duke i goditur kundërshtarët me shkelma ose duke bërë faulle të pamatura, dhe mendoj se kjo është qasja që duhet të ruajmë në këtë ndeshje. Por, sigurisht, shumë do të varet nga gjyqtari”, deklaronte ai.
PANORAMASPORT.AL













